Jetë

Vlashent Sata përfaqëson  Shqipërinë në Ballkan Trafik Festival në Bruksel

Temat Kryesore

  • Kantautori prezanton Shqipërinë në Ballkan Trafik Festival në Bruksel. Përveçse këngëve të tij që tashmë dëgjohen në mbarë botën, do të ketë pjesë muzikore tradicionale, arbëreshe, etnofolk dhe pjesë të luajtura për orkestër
Valeria Dedaj

Kantautori Vlashent Sata përfaqëson Shqipërinë në Ballkan Trafik Festival në Bruksel nesër. Ai do të prezantojë traditën tonë kulturore me muzikën e tij, në të cilën ndërthuret, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Vëmendja që i kushton Sata muzikës folklorike, jazz dhe asaj moderne nuk do të mungojnë as në këtë festival. Koncerti i parë për Ballkan Trafik Festival do të jetë në Bruksel më 22 prill, në Bozar (një nga sallat më të rëndësishme të kryeqytetit Europian) dhe në 3 qershor në Paris në Le Palace (një nga sallat më emblematike). “Përveçse disa nga këngët më të njohura të miat që dëgjohen në disa radio në mbarë botën, kam riaranxhuar këngë arbëreshe, të cilat kam besimin që do të pëlqehen shumë”, thotë Vlashenti. Organizatorët e festivalit janë shumë entuziast nga cilësia e muzikës me të cilën Vlashenti përfaqëson Shqipërinë këtë vit, që i shton vlerës së prezantimit folklorik ndërthurjen midis folkut të mirëfilltë me muzikën moderne! Ai beson se, kjo cilësi do ta vendosë Shqipërinë në një vend me merita artistike.

Projektet e ardhshme të kantautorit janë bashkëpunime me arte të tjera, si teatri, kinemaja, baleti bashkëkohor, si dhe së shpejti fillimi i punës për një album të ri, që do të jetë një ndërthurje midis së shkuarës, muzikës folklorike të vjetër dhe kërkimeve në muzikën e së ardhmes.

Këngët e albumit “Hana” të Satës janë transmetuar në shumë radio në mbarë botën si: Canada, Kinë, Spanjë, Maqedoni, Katar, Belgjikë dhe sigurisht në radiot më prestigjioze në Paris, si radio Fip, France Musique, France Inter, RFI etj. Pas disa koncertesh në Shqipëri në muajin dhjetor 2016 ku ishte i ftuar edhe si anëtar jurie në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar në muajin shkurt, luajti edhe në Paris në një koncert special. I ftuar nga David Grimal, një nga violinistët klasikë me famë në të gjithë globin luajti në një festival bashkë me artistë me famë ndërkombëtare të muzikës klasike dhe jazz. Festival, i cili u shkoi në ndihmë të pastrehëve në Paris. Vlashenti dhe David Grimal ishin njohur disa muaj më përpara në një emision në Radio France Musique ku ishin të ftuar të dy. Koncerti ishte një sukses jo vetëm nga fakti që publiku i huaj ishte i shumtë në numër, por sidomos nga gjesti që një shqiptar i vjen në ndihmë të pastrehëve në Paris. Gjest ky, që e vendos Shqipërinë në një pozicion të veçantë e të vyer që ndoshta vetëm artistët e këtij vendi bëjnë, si ambasadorët e tij.

Ballkan Trafik Festival

Balkan Trafik është një festival që shpalos vit pas viti më të mirën e kulturës jug-lindore, një simbol i Europës dhe Brukselit multikultural. Ky festival unik dhe tipik në llojin e vet, në 10 vitet e ekzistencës së tij është kthyer në një aktivitet të rëndësishëm në Bruksel. Ballkan Trafik bashkon traditat e ndryshme kulturore, duke krijuar një festival jo vetëm multikultural, por ndërkultural. Vendi që zhvillohet ky festival është pikërisht Brukseli, dhe kjo jo vetëm një zgjedhje rastësore. Nicolas Wiewrs, krijuesi i këtij festivali, u frymëzua për krijimin e tij pas një udhëtimi në Kosovë. Këtë vit edicioni i 11 i festivalit do të zhvillohet në datat 20-23 Prill në Bruksel.

Në Bruksel edhe Blerta Zhegu

Sot do të prezantohet punimi artizanal i Plisit/Qeleshes tradicionale dhe grupi Aman Duo de Belgique së bashku me sopranon shqiptare Blerta Zhegu. Repertori muzikor i këtij grupi është i frymëzuar nga muzika klasike dhe ajo tradicionale serbe, boshnjake si dhe ajo shqiptare.

Biografi

Vlashent Sata, u lind në Tiranë në 1983 në një familje muzikantësh. Ngjitet e këndon në skenë që në moshën pesëvjeçare si solist. I inkurajuar e i drejtuar nga i ati Loro Sata, muzikolog, këngëtar lirik tenor, nis pianon në moshën 6­vjeçare në shkollën 8­vjeçare "Servete Maçi". Merr pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë, si këngëtar e më pas në "Zërat e rinj" ku merr çmime për çdo prezantim. Në moshën 15­vjeçare një ëndërr tjetër e zgjon të krijojë muzikën e vet. Mëson kitarën në mënyrë autodidakte dhe nis të kompozojë këngët e para. Paralelisht përfundon studimet e pianos në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë me rezultate të larta. Në vitin 2002 shkon të thellojë studimet për piano në Francë ku edhe i përfundon shkëlqyer të gjitha ciklet e konservatorit në fillin në Bordeaux e më pas në Paris me profesorë e solistë me meritë e njohje ndërkombëtare, si Denis Pascal, Romano Pallottini etj. Më pas i tërhequr nga dëshira për të transmetuar dijen, dashuria për mësimdhënie, diplomohet në 2011 për pedagogji. Që nga ky vit ai është i emëruar si pedagog i pianos në konservatorin e "Xenakis" dhe "Oliver Messiean" në Evry e gjithashtu në konservatorin "Paul Ducas" dhe “Gabriel Faure” në Paris. Ka bashkëpunuar me Elina Dunin nga ku lindi dhe nevoja për të bërë album, gjithashtu dhe me artistë të fushave të ndryshme, ku bëhet pjesë e disa urave komunikimi midis muzikës e arteve të tjera, si kinemaja, teatri, baleti e performancave të ndryshme kontemporane.

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM