Thellë

Apartamentet, ja çmimet në zonat e Tiranës

Temat Kryesore

  • Çmimet e banesave, të cilat të paktën për qytetin e Tiranës kishin mbetur thuajse të pandryshuara, kanë shënuar rritje të menjëhershme. Sa paguhet sot metri katror në kryeqytet dhe arsyet e shtrenjtimit  
Nga Neritan Gjergo

Çmimi i apartamenteve në Tiranë u rrit me 3.3% në 6-mujorin e dytë të vitit të shkuar, ndërkohë që në bregdet është shënuar një rënie e lehtë. Ky ndryshim është paralajmëruar më herët nga ndërtuesit, ndërsa lajmin e keq për qytetarët e jep Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit të stabilitetit financiar. Shifrat vijnë përmes një sondazhi të kryer mes 230 agjentësh të pasurive të paluajtshme dhe shoqërish ndërtimi. Agjentët kanë raportuar për rritje të numrit të shitjeve, ashtu si dhe çmimeve të apartamenteve. Kjo ecuri pozitive e tregut të banesave vjen në një çast kur norma e interesit për vitin 2016 ra në nivele historike me një mesatare prej 4.2%, duke vijuar prirjen rënëse të viteve të fundit. Sipas agjentëve, rreth 68% e pronave për banim dhe për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Ndërkohë që për herë të parë prej vitit 2013, agjentët e pasurive të paluajtshme kanë raportuar për rënie të stokut të pasurive të pa shitura si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare. Paralelisht, raporti i kredive me probleme për kredinë për pasuri të paluajtshme ra në nivelin 8.8%, nga 10.4% në qershor dhe nga rreth 11.5% një vit më parë.

Faktorët

Sipas ndërtuesve, arsyet e rritjes së çmimeve lidhen tërësisht me shtimin e ngarkesës fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e banesës për stokun e pa shitur) dhe jo me faktorë të kërkesës. Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave, edhe pse ky stok ka pësuar rënie. Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8 për qind të çmimit të shitjes nga 4 për qind e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8 për qind, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale. Për shembull, një ndërtues, i cili shet apartamente me 900 euro/m² dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m², më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m²*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 euro/m² (900 euro/m²*0.08), apo 3.6 herë më shumë. Ende nuk ka ndërtime të reja këtë vit, pohojnë ndërtuesit, por stoku që do të vijë, do të sjellë rritje të menjëhershme të çmimit, faturë të cilën e merr blerësi në kryeqytet. Por, ndërtuesit paralajmërojnë se paralelisht do rriten dhe çmimet e banesave të ndërtuara tashmë, ndonëse me ritme më të ulëta se ato të reja.

 Raporti

Përpos lajmeve dhe llogarive që vijnë nga ndërtuesit, raporti i Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e dytë të vitit 2016 referoi se indeksi i çmimit të banesave u rrit 12.8 për qind. Subjektet e intervistuara, që janë agjenci të pasurive të paluajtshme dhe kompani ndërtimi, kanë përmirësuar perceptimin e tyre për gjendjen e tregut, ndonëse në tërësi ai ende vlerësohet i vështirë. “Ky zhvillim është ndikuar nga rritja e çmimit dhe vëllimit të shitjeve në zonat qendrore të kryeqytetit dhe nga rritja e çmimit dhe vëllimit të shitjeve në zonat e tjera. Për zonën bregdetare, agjentët kanë raportuar rënie të çmimit mesatar dhe të vëllimit të shitjeve. Indeksi i çmimit mesatar për Tiranën vlerësohet 3.3% më i lartë në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar. Në tërësi, ecuria e inventarëve të raportuar dhe rënia e numrit të pronave të pashitura mbështesin një situatë më optimiste të këtij tregu, ashtu siç konfirmohet edhe nga pritshmëritë e subjekteve të intervistuara për periudhën e ardhshme”, thuhet në raport.

  Tabelat by Anonymous hFWwZJ on Scribd



 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM