Thellë

KQZ “rrëzon” PS-në dhe LSI-në,  dy aleatët mbesin pa koalicion më 18 qershor

kqzNga Isuf Kurtaj

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkojnë në zgjedhje parlamentare secila veç e veç, gjithmonë nëse ato do të mbahen me 18 qershor. Ka qenë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili me “injorimin”  që i ka bërë kërkesës së PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve zgjedhore të skaduar më 19 prill, që i “detyron” dy partitë më të mëdha të së majtës të shkojnë në zgjedhje të ndara. Penalizimi për të konkurruar në një çati për PS-në dhe LSI-në ka ardhur pas dy orë diskutimesh që KQZ bëri, duke vendosur që të mos shqyrtojë fare kërkesën e dorëzuar dy ditë më parë nga PS dhe LSI, për të shtyrë me tetë ditë afatin për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Diskutimet

Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i KQZ-së, Denar Biba ka theksuar se ky institucion nuk ka pse të marrë një vendim për këtë kërkesë, pasi sipas tij nuk ka bazë ligjore që e detyron KQZ-në të marrim një vendim për këtë çështje. Biba tha se nuk ka më kohë për manovra politike. “KQZ nuk duhet të marrë një vendim të njëanshëm. Ne nuk kemi pse të marrim një vendim për këtë kërkesë, nuk ka bazë ligjore që na detyron të marrim një vendim. Kërkesën e çmoj, por KQZ nuk duhet të marrë vendim. Nëse KQZ merr vendim duhet të jetë unanim gjithë përfshirës. PS e LSI japin argument politik dhe jo juridik. Ne nuk jemi interpretues shabllon të ligjit, por paguhemi për të mbrojtur interesin e publikut”, tha Biba, duke qartësuar më tej se nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, proces do të ketë, por këto zgjedhje nuk do të jenë të mirëfillta. “Opozita është në çadër, dhe ne nuk bëjmë dot një vesh shurdh e një sy qorr. Pa opozitën do ketë proces, por jo zgjedhje të mirëfillta”, u shpreh kreu i KQZ. Përfaqësuesit ligjorë të dy forcave më të mëdha në KQZ, Eridian Salianji dhe Ivi Kaso janë përplasur për mënyrën se si shohin kërkesën e bërë nga maxhoranca për shtyrjen e ditës së regjistrimit të koalicioneve. për Salianjin mos regjistrimi i koalicioneve cenon procesin zgjedhor dhe pamundëson mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa për Ivi Kasos e PD-së një shtyrje e datës së regjistrimit do të cenonte besueshmërinë, që sipas tij është dhe dëmi më i rëndë që mund ti bëhet shtetit ligjor.

Deklarata

Ka qenë përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji ka saktësuar se që kërkesa e maxhorancës lidhet me situatën jo normale politike. Më tej ai tha se PS dhe LSI nuk kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë kohë që t’i jepet mundësia të regjistrohet edhe opozita e në këtë mënyrë të respektohet Kushtetuta. Vija e kuqe sipas Salianjit do të ishte 28 prill. “Është një kërkesë që është bërë nga PS mbështetur nga LSI. Vjen në një kohë jo normale për një proces zgjedhor. Këtu në KQZ po përgatitet procesi zgjedhor për 18 qershorin por situata politike nuk është e mire që do të thotë se kemi opozitën të regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit. PS dhe LSI në mënyrë të vazhdueshme opozita si institucion të bëhet pjesë e zgjedhjeve të datës 18 qershor. Gjatë kësaj kohe dhe në ditët në vazhdim janë negociatat që t’i bëjnë të mundur opozitës të hyjë në zgjedhje. Ne kërkojmë një qëndrim nga ana juaj në lidhje me koalicionet zgjedhore. Kemi bërë një kërkesë ku kemi kërkuar të mbani një qëndrim. për ne më e rëndësishme procesi zgjedhor, 18 qershori dhe hyrja e opozitës në zgjedhje se afatet. Afatet janë caktuar të bëjnë të mundur zhvillimin e çdo procedure ligjore deri më 18 qershor. Ne kemi kërkuar shtyrjen me disa ditë. Shtyrja me disa ditë nuk e cenon procesin ligjor. Afati për ne nuk është i ngurtë, jo prekluziv, në një situatë normale duhet të respektohej nga palët, por sot nuk është situata normale. për ne më e rëndësishme është zbatimi i Kushtetutës që në 18 qershor të jenë të gjitha palët. Me shtyrjen e afatit ne i referohemi sërish mos cenimit të procesit zgjedhor. Deri në datën 28 prill nuk cenohet procesi zgjedhor. Është një kufi ligjor. Ligji thoshte që jo më vonë se 60 ditë para zgjedhjeve të regjistroheshin por edhe Kushtetuta iu jep të drejtë të gjithëve të garojnë. Ne kërkojmë që t’u japim mundësi një javë”, tha Salianji.

Reagimi

Pretendimet e Salianjit, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, i ka quajtur të denja për tu mbajtur në Kuvend, por jo në KQZ. Më tej Kasi ka saktësuar se qëndrimi i opozitës është bërë i ditur me një material për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur. “Që ditën e diel i është bërë i ditur KQZ. Fjala e Salinajit nuk ishte për tu mbajtur në KQZ, por në sallën e Kuvendit, apo në një ambient tjetër. Shpreh mirënjohje dhe për pranimin e krizës së thellë politike që i bëri përfaqësuesi socialist. Janë shqetësime të prekura. I kërkohet mirëkuptim KQZ që të garantohen të drejtat e opozitës. Të drejtat kushtetuese të partive i garanton Kushtetuta. Duhet të bëjmë shumë kujdes kur sjellim këto argumente. Kushtet e opozitës ia krijon Kushtetua dhe ligjet e vendit. Opozita vetëm ato që i garanton Kushtetua, merr. Ajo që mund t’i jepet krizës institucionale, është dialogu dhe gjithë përfshirja politike. Kjo është një kërkesë,që nuk di të qeshësh apo të qash, apo frymë të ligjit që e mbështet. Ligji thotë se nuk mund të pranohet kur paraqitet më vonë, si pas 60 apo 70 ditësh. KQZ më herët i ka konsideruar këto shkelje. KQZ nuk ka kompetencë për të marrë vendim tjetër. Kjo është shkelje e qartë dhe e pastër e ligjit dhe akrobaci zgjedhore. Refuzoni të zgjidhni problematika që nuk i keni krijuar më parë dhe nuk keni kompetencë”, tha Kaso.

Blushi: Koalicioni PS-LSI ka rënë

Deputeti Ben Blushi ka komentuar letrën që dy ditë më parë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i drejtuan KQZ-së ku kërkonin shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve. Blushi tha se është absurde që të kërkohet ndryshimi i afateve zgjedhore me anë të një letre. Sipas tij nëse KQZ-ja e pranon kërkesën, do të thotë që ka rënë. “Nëse shkelet 18 prilli, pse mos të shkelet 18 qershori? Thoni që po i jepni PD-së kohë, por e keni bërë për të fituar kohë për fatin e koalicionit PS-LSI. Ky koalicion ka rënë. Sot nuk kemi koalicion. Një palë u çmend dhe u fut në çadër, ndërsa pala tjetër shkel 18 prillin. Nuk ka më 18 prill 2017, skadoi dhe koalicioni mbaroi”, shtoi Blushi. Më tej, ai shtoi se kjo krizë politike mund të çojë në mijëra vende pune të humbura dhe në një krizë të thellë të popullit. Ndërsa deputeti socialist, Taulant Balla tha se kërkesa për shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve është bërë në bazë të “dëshirës që edhe në tunelin e çadrës ku ka hyrë PD-ja, t’i mundësohet një vrimë daljeje për tu regjistruar në zgjedhje. KQZ-ja i ka të gjitha mundësitë që të mundësojë deri në datë 29 regjistrimin e PD-së dhe partive të tjera opozitare”, tha Balla.

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM