Opinion

Tavani i qelqtë në tregun e punës

  • 21 Prill 2017, 10:43
  • Përditësuar 10:43
mar.Ka qenë viti 1986 ku u përmend për herë të parë termi "Tavani i qelqtë" në gazetën amerikane "Wall Street" për të përshkruar diferencimet që bëheshin në atë kohë kryesisht midis burrave dhe grave në tregun e punës për shkak të gjinisë, racës, etnisë etj. Ky tavan i vendosur jo ligjërisht, por nga shoqëria, në pamje të parë duket thuajse i padukshëm, por frenon përparimin në karrierë. Kjo ndarje vjen për shkak të paragjykimeve dhe etiketimeve dhe është një term ekonomik por edhe social i cili shoqëron edhe sot realitetin shqiptar.

Çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Kjo është një ndër shumë pyetje standarde që i bëhet fëmijëve që kur janë fare të vegjël. Shpesh, ata mund të tregojnë interes për ato profesione, duke u nisur nga dëshira e momentit e krijuar nga fantazia, apo çfarë shohin në media dhe dëgjojnë përreth. Faktikisht një fëmijë as nuk e kupton që më vonë të tjerët mund t'i vendosin kufizime kryesisht për shkak të gjinisë. Me ecurinë e viteve kjo pyetje merr një tjetër përgjigje, ku frenimi i parë vjen nga prindërit. Nëna dhe babai në pavetëdije mund të brumësojë te fëmija interesa të ndarë në gjini. Këto janë hapat e para të krijimit të tavanit të qelqit në zgjedhjen e profesionit.

Djemtë kryesisht stimulohen të luajnë lojëra formuese që kërkojnë energji dhe fantazi të organizuara jashtë shtëpisë, dhe paralelisht iu ngulitet në mendje të zgjedhin profesione që lidhen me paranë, pushtetin dhe prestigjin. Vajzat priren të organizojnë lojëra më pasive duke mësuar kështu që dhe profesioni i tyre të lidhet më tepër me përkujdesjen (edukatore, mësuese, infermiere etj). Këto ndarje mund të ndryshojnë nga njëra shoqëri në tjetrën, por në vendin tonë ende janë të dukshme. Për ta konkretizuar këtë gjë mund të përmendim edhe faktin se auditorët e Universiteteve të  shkencave shoqërore, janë të mbushura me vajza, ku numri i djemve është dukshëm i ulët. Ndërsa në Universitetet me degët në shkencat natyrore do të gjejmë pothuaj vetëm djem. Pavarësisht se kjo tendencë është në zbehje sërish diferenca ndihet.

Historikisht për shkak të ekzistencës së familjes patriarkale, kanë qenë vetëm burrat e punësuar, ose ata që edhe më vonë ishin në profesione drejtuese. Nga ana tjetër duhet theksuar se gratë kanë qenë gjithmonë më të diskriminuara dhe nuk iu është lejuar as të arsimohen, sepse primare për to ka qenë përkujdesi për familjen. Vitet që kanë pasuar kanë sjellë ndryshim pozitiv për emancipimin e grave, por kjo ende e frenuar në zonat rurale. Pabarazitë në respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave thellohen edhe nga niveli i dobët i përfaqësimit të tyre në procesin e vendimmarrjes. Po ashtu edhe nga fakti që shoqëria shqiptare, ende nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur eliminimit të stereotipeve gjinore në edukimin mbi pozicionin që të dy palët duhet të kenë si brenda familjes ashtu edhe në jetën shoqërore. Problemet për gratë nuk mbarojnë këtu, pasi edhe për ato që kanë zgjedhur të bëjnë karrierë duke e thyer tavanin e qelqit, janë përballur me paragjykime të vazhdueshme. Ato konsiderohen si nëna jo të mira apo gra kaotike meqenëse nuk qëndrojnë bashkë me fëmijët e tyre për 24 orë, dhe nuk kujdesen për burrin. Fajësimi që këto gra i bëjnë vetes shpesh mund të sjellë rezultate jo të larta në punën e tyre. Nënat e punësuara përjetojnë stres dhe konflikt me veten e tyre dhe me të tjerët. Në këtë mënyrë disa zgjedhin të heqin dorë nga kjo punë ose të mos ngrihen në detyrë. Për këtë arsye shumë vajza zgjedhin profesione që nuk kërkojnë orare të zgjatura, apo shumë përkushtim pas pune.

Për burrat kjo situatë nuk ndodh thuajse asnjëherë. Nëse baballarët mungojnë qoftë edhe me ditë në ambientin familjar, janë të justifikuar. Ata kanë më shumë kohë të lirë të cilën e përdorin për punë jashtë orarit zyrtar duke ia shtuar vetes shanset për tu rritur në detyrë si dhe për tu paguar me shumë. Nëse burrat do të ndanin më mirë kohën për kujdesin familjar edhe gruaja do të gjente hapësira për veten e saj.

Fatmirësisht po bëhen përmirësime në jetën familjare edhe pse jo në ritmet e duhura. Tavani i qelqit është ende aty. Ndoshta në disa zona të vendit tonë ajo është edhe e hekurt. Burrat po e ndiejnë më tepër përgjegjësinë në familje dhe e kanë shtuar ndihmën e tyre, por duhet të përfshihen më tepër. Një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar këtë dukuri është të rikthejmë edhe njëherë vëmendjen tek edukimi i fëmijëve. Këta të fundit duhet të marrin modele të ndryshme të njerëzve të suksesshëm qofshin gra apo burra. Prindërit nuk duhet t'i kufizojnë apo frenojnë dëshirat e fëmijëve, por të bëhen mbështetësit më të mëdhenj. Ata duhet të jenë aty për t'i treguar djalit apo vajzës se mund të bëhen kushdo nëse dëshirojnë, munden dhe përkushtohen.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 5 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM