Politikë

Koço Kokëdhima: Reforma Zgjedhore, mëma e të gjitha reformave

Koco_Kokedhima3Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima gjatë një takimi që ka pasur me socialistët në Lushnjë është shprehur se Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Kokëdhima u shpreh se kjo reformë bën që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën politike të vendit se sa reforma zgjedhore, pastrimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e krizës. PS-ja është duke e humbur shansin që të udhëhiqte procesin e reformës zgjedhore dhe ta çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.

Asnjë manovër nuk e zgjidh këtë krizë. Asnjë artificë nuk bën punë. Duhet konsensus me opozitën. Të bëhet reforma zgjedhore, të vendoset votimi dhe numërimi elektronik, të departizohet administrata zgjedhore, të përmirësohet legjislacioni për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit të zgjedhjeve, të caktohet një datë e re e zgjedhjeve për në tetor dhe të vendoset një qeveri e të majtës së bashkuar që i jep besim opozitës. Me këtë kompromis opozita të kthehet në parlament dhe të vazhdojë puna për zgjedhjen e presidentit dhe për reformat e tjera.

Këto nuk duhen bërë për vetëm për dakordësi me Partinë Demokratike, as thjesht për të kapërcyer krizën e rëndësishme. Kjo formulë është artikuluar për herë të parë nga “Zgjidhja” si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund qeverisjes nga regjimet e urryera hibride antidemokratike, antipopullore dhe antikombëtare që kanë sunduar vendin këto 26 vite dhe për t’i hapur popullit tonë rrugën e demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe mirëqenies, për të ndërtuar përfundimisht shtetin modern në Shqipëri.

Socialistët dhe qytetarët e thjeshtë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e bëjmë këtë luftë për këta socialistë e qytetarë të thjeshtë dhe për faktin se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk do ketë as shtet modern shqiptar dhe as zhvillim. Por unë këtu dua të deklaroj se këtë luftë do e bëjmë me të njëjtën vendosmëri edhe në mbështetje të kërkesave të drejta të vëllezërve dhe motrave tona, anëtarë e simpatizantë të thjeshtë të Partisë Demokratike sepse jemi të sigurt se ashtu si socialistët e ndershëm të bazës ata as nuk kanë përgjegjësi dhe as nuk kanë përfituar nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në të shkuarën. Kërkesat e anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme janë të drejta dhe gëzojnë mbështetjen e socialistëve dhe të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë, gëzojnë mbështetjen e anëtarëve të “Zgjidhjes”. “Zgjidhja” qëndron në pararojë të të gjitha formacioneve politike shqiptare që luftojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mos u shqetësoni. Mos u manipuloni. Mos u turbulloni. Ka ardhur ora e ndryshimeve të mëdha. Po vjen koha e përmbysjeve të mëdha. Pas instalimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do shembim partitokracinë. Do i rrëzojmë dhe shembim pa mëshirë kryetarët që na përdorën, na mashtruan, na vodhën, na përbuzën, na shkelën, na prenë në besë e na rraskapitën në mjerim”, tha Kokëdhima.

/D.Xh/

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

5 + 5 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM