Politikë

Koço Kokëdhima: Zgjedhjet do të shtyhen në vjeshtë për shkak të krizës politike

Koco_Kokedhima2Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima në fjalimin e mbajtur përpara socialistëve të Lushnjës është deklaruar në lidhje me krizën politike që ka kapluar vendin. Kokëdhima tha se kjo krizë e rëndë politike në vend bën që data e zgjedhjeve të shtyhet dhe ato të mbahen në vjeshtë.

“Të dashur pjesëmarrës! Kriza është tani e qartë dhe e plotë. Nuk e di se çdo të thonë drejtuesit e qeverisë tani. Për javë të tëra ata thoshin se Shqipëria s’ka krizë, PD ka krizë, Kriza e PD-së nuk është dhe nuk do kthehet në krizë politike për vendin. Pas kaq javësh këto deklarata është pak të thuhet se duken qesharake. Tani nuk ka dyshim askush se kemi një krizë të rëndësishme, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë përfundimisht. Rama thoshte se në 18 qershor do bëhen zgjedhjet. Tani vetëm bufi e beson se zgjedhjet mund të bëhen përpara vjeshtës. Siç duken gjasat do të ndodhin të gjitha parashikimet dhe konkluzionet e përcaktimet që ka bërë “Zgjidhja”.

Të gjitha deklaratat e Ramës duket se kanë rënë në ujë dhe nuk rezistuan dot asnjë ditë. Ai e ka lënë në errësirë PS-në, pa vizion, pa strategji, pa plan. E transferoi iniciativën dhe kauzën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në duart e PD-së, duke e vënë në një pozitë shumë të ulët e të pamerituar morale e politike PS-në. Tani do të pranojë me siguri Reformën Zgjedhore, votimin elektronik dhe një paketë tjetër masash ligjore. Ajo që nuk po e dëgjojmë akoma nga opozita është artikulimi i vullnetit që administrata zgjedhore të mos jetë më partiake. Të jesh komisioner apo numërues i PS-së apo PD-së është diçka me shumë rëndësi për personat në fjalë. Numëruesit dhe komisionerët kanë privilegje të veçanta në punësime dhe në përfitime të tjera nga pushteti përveç faktit se shumë përtej tyre tradicionalisht kanë nxjerrë edhe shumë përfitime të paligjshme duke bërë pazare me votat e pambrojtura të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur.

Në zgjedhjet e vitit 2013 Feruz Basho kishte përfshirë në listat e komisionerëve të PS-së disa të fortë. Kur e kontrollova listën unë i hoqa këta persona të cilët ishin në fakt militantë socialistë prej vitesh. Pasi unë i zëvendësova, në mbrëmje vonë erdhën në grup dhe, pasi rrëzuan me shkelma derën e jashtme të selisë të PS-së, protestuan gjatë për t’u rivendosur në lista. Sigurisht që unë nuk bëra asnjë tërheqje. Komisionerët dhe numëruesit janë një barrë e rëndë për partitë politike, procesin zgjedhor dhe popullin shqiptar. Në asnjë vend demokratik në botë nuk ndodh që dy apo 4 partitë e mëdha të numërojnë votat e partive të tjera. Komisionet e votimit duhet të jenë shtetërore dhe të ngrihen me gjykatës, prokurorë, noterë, avokatë, pedagogë të universiteteve, studentë të ekselencës të fakulteteve juridike etj. Votimi dhe numërimi elektronik krijon kushte që departizimi i administratës zgjedhore të bëhet me reformën zgjedhore të këtij viti. Kjo reformë do të kursejë edhe gjithë atë energji të pashembullt njerëzore që harxhohet me ditë e netë të tëra në qendrat e numërimit dhe ato skena të shëmtuara kur numëruesit ja shtrojnë me pula e me raki në tavolinat e numërimit!

/D.Xh/

 

 

 

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

6 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM