Jetë

Idromeno është Mikelanxhelo shqiptar

idro.Në kuadër të ekspozitës "Dy Rrugët e Idromenos"dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve arkitekti Skënder Luzati rrëfeu portretin arkitektonik të qytetit të Shkodrës, lidhur me figurën e Kolë Idromenos. “Prej mëse 40 vjetësh  kemi filluar studimin për Shkodrën. Në mënyrë të natyrshme del se Kolë Idromeno është autor i shumë objekteve jo vetëm si projektues, por dhe si zbatues e dekorator. Mund të themi se arkitektura e dekoracioni i Kolë Idromenos tregojnë virtuzitetin e këtij personaliteti të kulturës sonë kombëtare”, tha Luzati. I prezantuar brenda dhe jashtë vendit, si në Kosovë dhe Itali, ai është konsideruar si një Mikelanxhelo i Shqipërisë, sepse ka krijuar ndërtime dekotarive për rreth 100 objekte. “Kjo është kolosale në limitet e vendit tonë të vogël. Ka punuar rreth 60 vjet banesa, shtëpi e objekte sociale, industriale, varreza etj., pra ka një krijimtari të larmishme”, shtoi arkitekti. Luzati mendon se përherë mundet që të frymëzohesh nga aktiviteti i tij, sepse Idrmomeno mund të jetë shembull për krijimtarinë urbanistiko-arkitekturore. “Unë pata fatin që të njoh bashkëpunëtorë të tij, sa ishin gjallë, sepse Kola vdiq në fund të vitit 1939, dhe të njihem me projektet e tij autotentike, me firmën e tij, të cilët janë paraqitur në libra apo ekspozita”.

Një fond i tërë me krijime të tij ndodhet në Arkivin e Shtetit. Idromeno ka qenë i veçantë, sepse siç i kanë treguar arkitektit ata që kanë bashkëpunuar me të punonte me shumë pasion. Për shembull, tavanin e katedrales, që është monumental e ka piketuar poshtë, i ka vënë rrjetën sipër dhe më pas e ka montuar lart, si kapakët e një rafti. “Kolë Idromeno ka lidhur shumë bukur arkitekturën me artet figurative, si piktura e skulptura, një vlerë kjo plotësuese. Po të shohim tablotë e tij aty gjejmë elemente të lagjeve të Shkodrës, objekteve të saj që sot nuk ekzistojnë. Pra përveç piktura ai ka lënë dhe shembuj të trashëgimisë sonë”. Të tilla janë lagja “Alaibeaj” apo “Tabakë” me objektet e tyre, që sot nuk janë më si shtëpi, kishë etj. “Kemi 30 vjet që insistojmë, për mbrojtjen e të gjithë krijimtarisë së Idromenos nga ana e shtetit. Idromeno dhe Marubi janë dy shembuj që tregojnë se Shkodrës e Shqipëria kanë qenë prej mbi 100 vitesh në nivele të larta kulturore, arkitekturore etj”. Babai  i Idromenos erdhi nga Greqia dhe u vendos në Shkodër në gjysmën e shekullit të 19-të. Po kështu erdhi Marubi nga Italia, pasi në Shkodër gjetën ambientin e duhur për të zhvilluar artin.

Kolë Idromeno (1860-1939) lindi në Shkodër. Kronologjikisht njihet si piktori i parë i Rilindjes. Ka qenë piktor, skenograf, fotograf, arkitekt, urbanist, muzikant si dhe nismëtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Ka studiuar vetëm pak kohë në Akademinë e Arteve në Venedik, ka udhëtuar dhe ka ekspozuar në disa vende evropiane dhe gjithë pjesën tjetër të jetës e ka kaluar në Shkodër. Me realizimet e tij në arkitekturë dhe urbanistikë, Idromeno ndryshoi pamjen e Shkodrës, ndërsa me veprimtaritë artistike ndikoi që qyteti i tij të mbetet për një kohë të gjatë vatra kryesore e zhvillimit të arteve vizive në gjithë Shqipërinë. Me tablotë e Idromenos fillon shkolla realiste shqiptare, dhe disa nga veprat e tij bëjnë pjesë në traditën kombëtare.  Risitë që pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke ìa nisur me realizmin e nga laicizmi i përfaqësuar, si tek "Motra Tone", “Dasma shkodrane” deri tek "Plaku i Postrribës". /Anila  Dushi/

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

6 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM