Jetë

Sindikata e Artistëve thirrje qeverisë: Mbroni artistët e Cirkut


1 Nga 3 Foto


Nga Valeria Dedaj

Pavarësisht premtimit, që bëri ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, para dy vitesh për artistët e Cirkut Kombëtar, duket se për ta asgjë nuk ka ndryshuar. Sot, ora 10.00 artistët e Cirkut do të përballen me zyrat private të përmbarimit, që kërkojnë lirimin e çadrës së Cirkut. Ndonëse, deri më tani letrës që Sindikata e Pavarur e Artistëve u ka dërguar krerëve të shtetit nuk i është përgjigjur askush nga krerët e qeverisë pozitivisht, artistët janë të vendosur që mos të dorëzohen, derisa qeveria të gjejë për ta një zgjedhje.

Letra drejtuar krerëve të shtetit

Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, drejtuar nga Reshat Ibrahimi, i kërkon kryeministrit, ministres së Kulturës, Presidentit, kryetarit të Kuvendit nëpërmjet një letre të drejtuar në datë 13 prill 2017, që “të shpëtojnë” artistët e Cirkut Kombëtar. Por, deri ditën e djeshme ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje! Një nga zyrat private të përmbarimit i ka dorëzuar Cirkut Kombëtar vendimin për ekzekutim (11.11.2014) të Gjykatës së Rrethit Tiranë, e cila ditën e sotme (20 prill) ora 10-12.00 do të lirojë një pjesë të çadrës së Cirkut Kombëtar me sipërfaqe 409 metra katror. Ky veprim është bërë edhe para dy vitesh, ku artistët edhe punonjësit e Cirkut Kombëtar qëndruan dhe rezistuan për të mos lejuar këtë veprim absurd dhe të pa pranueshëm, mbasi institucionet janë publike shtetërore, ku pronarët kompensohen nga shteti. Kjo sipërfaqe prej 409 m, duhej që nga ministria e Kulturës, bashkia e Tiranës të ishte zgjidhur me poseduesin e pronës, duke futur në veprim edhe qeverinë, sepse Cirku Kombëtar, sipas ligjit “Mbi Artin”, është institucion kombëtar. Por, fatkeqësisht mosveprimi i këtyre institucioneve bëri që Cirku Kombëtar të rrezikojë punën dhe aktivitetin e tij artistik, pra artistët dhe punonjësit të dalin në rrugë, sepse puna e tyre është çadra dhe kur hiqet kjo humbet vendi i punës. Pra i nderuar kryeministër dhe ministre e kulturës, heqja e çadrës së Cirkut, ka të bëjë me ekzistencën e këtij institucioni kulturor, i cili ka një trashëgimi kulturore, që nuk duhet të preket, mbasi Cirku është një gjini arti për të gjitha moshat dhe brezat, ku fëmijët, prindërit e tyre kënaqen me këtë art të bukur dhe çlodhës. Ky problem, ne mendojmë se ka zgjidhje nga më të ndryshmet dhe këtë duhet ta japë qeveria në bashkëpunim me poseduesin e 409 metrave. Por, duhet në mënyrë urgjente të veprohet, mbasi artistët dhe punonjësit e Cirkut Kombëtar janë të vendosur deri në fund se nuk do të lejojnë, të lirojnë sipërfaqen ku është ngritur çadra e Cirkut, duke e mbrojtur me trupat e tyre, se është puna, jeta, mundi dhe djersa prej shumë vitesh që ka arritur Cirku në këtë stad. Ne jemi gati të shkojmë kudo që do të vendosë qeveria për Cirkun Kombëtar. Shpresojmë se shqetësimi ynë ligjor të zgjidhet sa më shpejtë.

“Arrëthyesi” u la përgjysmë në Cirkun Kombëtar

Cirkut Kombëtar gjendet në krah të Teatrit të Metropolit në qendër të Tiranës. Dhoma e lartë, e vetmja që ka shërbyer, si palestër për akrobatët, ku drita hynte vetëm nga një dritare vogël mundet t’i ketë rënë në sy kujtdo që ka qenë në Cirk. Brenda asaj çadre janë ulur çdo fundjavë shumë dashamirës të Cirkut për të ndjekur vetëm apo bashkë me fëmijët e tyre shfaqjet, që organizon stafi nën drejtimin e drejtorit të Cirkut, Kujtim Dumi. Ajo që i ka bashkuar të gjithë artistët është pasioni që ata kanë për punën. Cirku Kombëtar i njohur nga shteti me këtë emërtim prej gati katër vjetësh është objekt i një rëndësie të veçantë kombëtare, edhe mbrohet nga shteti. Shfaqja e parë e Cirkut është dhënë në vitin 1959. Ndërsa, që nga viti 1975 çadra e Cirkut ka qenë në vendin ku është deri më sot. Shfaqja e fundit që është prezantuar gjatë kësaj periudhe në Cirkun Kombëtar është “Arrëthyesi”, realizuar Sokol Zhugri. Kjo shfaqje është një nga projektet emë të mëdha të kalendarit artistik të vitit 2017.  “Arrëthyesi” në shumë skena është realizuar si shfaqje baleti, nuk ka munguar dhe në kinema apo teatër. Baleti "Arrëthyesi" është një vepër e veçantë për kompozitorin e famshëm rus Çajkovski, për të cilin ajo u bë njëfarë pike reflektimi, përsiatjesh në lidhje me kuptimin e jetës. Historia e “Arrëthyesit” flet për një vajzë të re me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe arrëthyesi i saj i dashur shkon në luftë, së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig. Më vonë ai transformohet në një princ të bukur dhe ata shkojnë së bashku në mbretërinë e zanave flokësheqer (Confiturembourg) për të mbretëruar përgjithnjë. Kjo vepër me dy akte me muzikë të gëzueshme dhe kërcim po të tillë është bërë baza e baleteve popullore të shekullit të njëzet.

Gazeta “Shekulli” kontaktoi dje në email, për të mësuar më tepër rreth fatit të artistëve të Cirkut, edhe me përgjegjësen për mediet në Ministrinë e Kulturës, por nuk pati asnjë përgjigje.

Cirku Kombëtar

Cirku Shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë.

Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur fuqishëm nga shikuesit.

 

 

 

 

 

 

free fall
Shuarja e Cirkut Kombetar eshte shuarje e nje pjese te shpirtit kombetar. Tregim suksesi?!!!

Shto komentin tuaj

1 + 6 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM