Thellë

Në prag të zgjedhjeve, qeveria jep 1 miliardë lekë për komunitetet fetare

Temat Kryesore

  • Fondi do të përdoret për të paguar administratën, institucionet arsimore por dhe katër teqe. Urdhri: Tu paguhen brenda prillit
Qeveria ka miratuar dje vendimin për të financuar me rreth një miliardë lekë komunitetet fetare në Shqipëri. Vendimi vjen vetëm dy muaj në prag të zgjedhjeve parlamentare, teksa është argumentuar me ndarjen e  fondit që i përket buxhetit të vitit 2015. Pikë kjo e parë me rezerva prej opozitarëve. Në vendim, janë përcaktuar dhe se si do të përdoret fondi i dhënë në ndihmë të këtyre komuniteteve fetare. Përfituesi më i madh do të jetë komuniteti Mysliman shqiptar, si komuniteti dhe më i madh në Shqipëri.

“Masa e financimit, nga buxheti i vitit 2017, prej njëqind e nëntë milionë lekësh, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare”, thuhet në vendimin e Qeverisë teksa renditen përfitues Komuniteti Mysliman Shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore.

“ Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën tridhjetë e një milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë lekë, të ndarë në: njëmbëdhjetë milionë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës;  19. 668 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar”, thuhet në vendimin e qeverisë. Pas komunitetit Mysliman renditet Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike të cilat do të përfitojnë rreth 5 milionë lekë më pak dhe financimi do të jetë si për pagat ashtu dhe për institucionet arsimore.

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25. 872 mijë lekë, të ndarë në: 20 592 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës; 5. 280 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar”. Në të njëjtën shumë përfiton dhe kisha Katolike. “Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25. 872 mijë lekë, të ndarë në: 5. 676 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës; 20. 196 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Thuajse të njëjtën shumë përfiton dhe kryegjyshata botërore. “Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25. 840 mijë lekë, të ndarë në: 3. 696 mijë lekë për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës”, thuhet në vendim ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet për teqetë. Më konkretisht “10. 144 mijë lekë, për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;  3 milionë  lekë, për ndërtimin e Teqesë në Shtufit, Gjirokastër; 2 milionë lekë, për ndërtimin e Teqesë së Martaneshit. 7 milionë  lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2017, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara”, thuhet në vendimin e qeverisë. Po ashtu përcaktohet se paratë do të ndahen brenda muajit prill. Teksa në datën 18 qershor parashikohet zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Tashmë do të jetë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet që do të zbatojnë këtë vendim.


Fredi
1 miliarde leke????? Nga cbuxhet? AAA, i popullit. Bravo, njerezit nuk kane per te ngrene, por feja do i ushqeje.

Shto komentin tuaj

5 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM