Thellë

Sot raundi i dytë për Presidentin, Rama dhe Meta: Konsensus me PD

Temat Kryesore

  • Sot zhvillohet raundi i radhës për zgjedhjen e Presidentit. Rama dhe Meta përcaktojnë karakteristikat që duhet të ketë Presidenti i ri
Nga Erneta Shevroja

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë vendosur të presin opozitën për arritjen e një kandidaturë konsensuale të Presidentit të Republikës. Pas tezaurimit pa kandidatë të raundit të parë në Parlament për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Rama dhe Meta u shprehën se presin që opozita të kthehet në Parlament për të zgjedhur një kandidaturë sa më gjithëpërfshirëse. Kreu i qeverisë, Edi Rama në një deklaratë pas përfundimit të raundit të parë, tha se maxhoranca ende ka durim për të zgjedhur një kandidaturë konsensuale ose relativisht e paanshme për President. Kreu i qeverisë shpjegoi dhe karakteristikat që duhet të ketë figura e Presidentit të ri, duke u shprehur se shumica kërkon që t’i kthejnë atij institucioni dinjitetin. “Sikundër e kemi thënë edhe më parë, sot ishte një tjetër shprehje vullneti për t’i dhënë të gjithë hapësirën PD-së brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike. Ndaj dhe nuk paraqitëm një kandidat sepse duam të krijojmë mundësinë që të gjejmë me atë pjesë që na mungon në parlament një konsensus për një figurë presidenciale. Unë jam i duruar se besoj te durimi, ndaj përsa i përket Presidentit duam t’i kthejmë atij institucioni dinjitetin, figurën që të ngrihet mbi palët dhe të ketë paanshmëri dhe jo figurë të anshme si kjo që kemi.

Ne do presim, më mirë një President i duhur e i pranuar nga sa më shumë sepse ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si motiv për të qenë arrogantë, por për të qenë të duruar”, tha Rama. I pyetur nëse është i gatshëm t’ia ofrojë Presidentin opozitës, Rama tha se nuk ka asnjë kufi të paravendosur për kandidatin. “Bota opozitare është një koncept që po zgjerohet. Opozita e Parlamentit të ri do jetë më sfiduese, se sa kjo opozitë. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Duam t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz që të qëndrojë sa më mbi palët, aq sa e bën Shqipëria të mundur, nuk po e presim të vijë nga materniteti. Ama të jetë një President që të ketë autoritetin që t’u bëjë një telefon të gjithëve për të zgjidhur një situatë”, theksoi kryeministri. Ndonëse ende nuk ka një kandidaturë dhe opozita nuk ka treguar shenja se do të rikthehet shpejt në Parlament për të zgjidhur një kandidaturë konsensuale, Rama tha se vendi nuk do të mbetet asnjë ditë pa President. “Vendi nuk do të jetë asnjë ditë pa president. Presidentin e duam për vendin jo për veten se po ta donim për vete do ishit duke e intervistuar. Do mundohemi t’ia lehtësojmë rrugën PD-së për të dalë nga kjo krizë por të jeni të bindur se Shqipëria në të gjitha rastet nuk do mbetet as pa President, as pa parlament sepse ne i kemi numrat”, u shpreh kryeministri.

Ilir Meta për Presidentin

Në të njëjtën vijë u shpreh edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta ndërsa sqaroi përshpejtimin e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit, që Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të zhvillohet ditën e sotme, në orën 15:00. “Ishte kërkesë e grupit të shumicës, por nuk e përjashton mundësinë për tre raundet tjera. Ne do ta presim opozitën brenda të gjitha mundësive, por duhet të vijë edhe ajo nuk mjafton vetëm të presim ne. Raundi i dytë nesër, por i treti jo pasnesër, shpresoj që fillimi i javës që vjen të fillojë dialog. I kam kërkuar PPE të luajë një lojë vendimtar në këtë dialog duke pasur në konsideratë këtë mosbesim prej dy muajsh. Roli lehtësuese shpresoj të ketë një efekt te opozita dhe do respektojmë çdo rekomandim të tyre për të dalë nga kjo krizë”, u shpreh Meta. Menjëherë pas mbylljes së seancës së djeshme, Konferenca e Kryetarëve vendosi që raundi i dytë për zgjedhjen e kreut të shtetit të zhvillohet sot në orën 15:00.

Qeveria e Besimit

Kreu i Kuvendit, njëherësh i LSI-së, Ilir Meta u shpreh edhe për “Qeverinë e Besimit”, e artikuluar disa javë më parë. Ai tha se i qëndron deklaratës se qeveria duhet të kërkojë besimin. “Unë bëra një artikulim të tillë dhe i qëndroj që qeveria duhet të kërkojë besimin. Por për fat të keq, deklarata ime u keqpërdor për të ndezur retorikën duke kërkuar arrestimin e politikanëve të caktuar, por partnerët duhet të ulen për t'i dhënë zgjidhje situatës. Asgjë nuk ka ndryshuar në funksion të një zgjidhje politike, dorëzojmë mandatet, por askush nuk duhet të presë që LSI të rreshtohet me cilindo që kërkon ta çojë këtë krizë në ekstrem, pasi nuk i shërben vendit dhe të gjithë duhet të punojmë për të arritur pikat e takimit, pasi çdo ditë që ikën e bën më të vështirë daljen”, tha Meta. në vijim ai u shpreh edhe për zgjedhjet pa opozitën. Nuk dua të mendoj zgjedhje pa opozitën, i prirur të kuptoj shqetësimet e tyre, si kanabisi, dekriminalizimi, LSI ka qenë e qartë, sepse janë probleme mjaft shqetësuese me të cilat duhet të ballafaqohemi dhe ti godasin fort”, tha ai.

Negociatorët e huaj, në Tiranë më 24 prill

Eurodeputetit, David McAllister pritet të mbërrijë në Tiranë në datën 24 prill si negociator për të zgjidhur krizën politike. Bashkë me numrin dy të PPE-së McAllister, në Tiranë pritet të mbërrijë edhe  Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Mësohet se ndërkombëtaret janë duke hartuar një dokument mbi bazën e të cilit palët do të negociojnë në këtë tryezë dialogu. Zv/president i parë i PPE, David McAllister, pritet të mbërrijë në Tiranë pasditen e 24 prillit, së bashku me raporterin për Shqipërinë  në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein në përpjekje për të lehtësuar një tryeze të dialogut politik mes palëve, me qëllim zgjidhjen e krizës aktuale politike. Ndërsa puna e tyre konkrete pritet të nisë të martën më 25 prill për të vijuar edhe të mërkurën 26 prill. Ndërkohë, nuk përjashtohet që bashkë me ta të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar edhe europarlamentari Eduard Kukan, një njohës i mirë i politikës së Tiranës, veçanërisht i të djathtëve.

Ndërkaq, një përgjigje dje ka dhënë edhe Ministria e Jashtme gjermane pas pretendimeve se ministri Sigmar Gabriel, duke qenë i majtë, gjatë vizitës së tij në Tiranë të hënën, dha mesazhe kundër bojkotit të opozitës. përgjigjen e ka marrë ‘Deusche Welle”. Ministria e Jashtme e Gjermanisë iu përgjigj pyetjes së Deutsche Welles, nëse në deklaratën e ministrit të Jashtëm Gabriel për opozitën në Shqipëri kemi të bëjmë me një qëndrim të qeverisë gjermane ndaj zhvillimeve në Shqipëri apo me një deklaratë nga pozita partiake të ministit të Jashtëm gjerman. Nga Ministria e Jashtme gjermane u deklarua se, kërkesa e ministrit të Jashtëm Gabriel ndaj opozitës shqiptare për t'i dhënë fund bojkotit të Parlamentit dhe që opozita të shfrytëzojë rrugët e parashikuara në kushtetutën e Shqipërisë është qëndrimi i Qeverisë Federale gjermane. Sipas DW në disa artikuj në shtyp dhe në forume në internet kjo kërkesë po karakterizohet si kërkesë që buron nga përkatësia e ministrit të Jashtëm gjerman në Partinë Socialdemokrate gjermane.

 

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 5 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM