Thellë

"Koalicionet shtyhen vetëm nëse ndryshon data e zgjedhjeve"

Temat Kryesore

  • Dy ish-kryetarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e datës për regjistrimin e koalicioneve e cilësojnë jo legjitime
  • Krsitaq Kume e quan kërkesë absurde, ndërsa Çlirim Gjata pranimin e mundshëm të KQZ-së e cilëson thellim të krizës politike
Nga Isuf Kurtaj/ Erneta Shevroja

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata kërkesën e PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e datës për regjistrimin e koalicioneve e kanë quajtur pa bazë ligjore. Sipas ekspertëve nëse KQZ lëshon pe duke shtyrë datën e regjistrimit të koalicioneve do të humbasë besimin.

Saktësimi

Njohësi i Kodit Zgjedho, Kristaq Kume, në një prononcim për “Shekullin tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shtyjë për asnjë arsye afatet për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, apo edhe të subjekteve politike, pasi sipas tij KQZ është institucion, i cili është ngarkuar me ligj vetëm për zbatimin e kodit zgjedhor dhe jo të marrëveshjeve politike. “Nuk mund të vendoset KQZ-ja në pozita të tilla. Partitë politike duhet ta kenë të qartë se KQZ-ja është e ngarkuar të zbatojë kodin dhe jo të marrë vendime për dakordësitë e palëve. Të kërkosh është e ndryshme nga të zbatosh. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos mbi bazën e kësaj kërkese politike do të prodhojë precedentin e keq në administrimin  e zgjedhjeve”, është shprehur Kume. Ndërsa për zgjidhjen e ngërçit për regjistrimin e partive dhe koalicioneve, Kume i rekomandon klasës politike që të lënë të qetë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa për pamundësinë e regjistrimit të partive dhe koalicioneve për shkak të kalimit të afateve, ai thotë se është në dorë të politikës që të ndërhyjnë në kodin zgjedhor. “Nuk kanë pse t'i kërkojnë KQZ-së të shkelë Kushtetutën.

Ka mënyra të tjera për zgjidhjen e kësaj situate ku e kanë futur vendin. Këtë ata duhet ta kërkojnë në sallën e parlamentit dhe jo te KQZ-ja. Maxhoranca e sotme e ka fuqinë e kartonëve për të ndryshuar kodin dhe ta ndryshojnë afatin nga 60 ditë. Cilado marrëveshje në tavolinën e partive politike do ketë fuqi vetëm nëse reflektohet në Kod dhe Kushtetutë”, nënvizoi ai. Ndërsa i pyetur nëse në të kaluarën ka pasur precedente të ngjashëm, ai kujton atë të vitit ‘97, por nuk këshillon që të kthehemi 20 vite pas. “Nuk është normale që të kthehemi në vitin ’97, kohë kur ka ndodhur një precedent i tillë dhe nuk ka pse të përdoret si argument. Procesi i zgjedhjeve është procedural dhe si të tilla afatet janë vendosur në Kod”, tha Kume. Dhe ish-kreu tjetër i KQZ-së, Çlirim Gjata është shprehur se kërkesa e PS-së dhe LSI-së për shtyrje të datës së regjistrimin të koalicioneve nuk ka asnjë bazë ligjore. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Gjata shprehet se nëse KQZ-ja do të pranojë kërkesën e PS-së dhe LSI- së do të shënonte një precedentë të keq dhe do të humbiste besimin. Veç kësaj, sipas Gjatës, nëse KQZ-ja pranon kërkesën shton konfliktin dhe do të thellonte më shumë krizën politike. “Kërkesa nuk ka bazë ligjore. Por, më e rëndësishme se kërkesa është përgjigjja që do kthejë KQZ-ja. Neni 65 pika 1 e Kodit Zgjedhor ka përcaktuar si afat të fundit, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo dispozite është dispozitë taksative, urdhëruese, që do të thotë se nuk lejon për asnjë arsye të kalohet afati 60 ditor.

Nëse KQZ shkel këtë afat duke pranuar kërkesën për shtyrje, do të shkelte rëndë ligjin dhe do të merrte prerogativat e Parlamentit, pasi do të ishte KQZ-ja ajo që do të bënte ligj dhe jo parlamenti. E thënë shkurt nëse kërkesa pranohet, kjo do të shërbente si precedent i keq dhe atëherë KQZ mund të ndryshojë çdo pikë të Kodit Zgjedhor. Kështu ajo do të humbiste besimin dhe do të shtonte edhe një konflikt më shumë në krizën e rëndë politike që po i shoqëron këto zgjedhje”, deklaron konstitucionalisti Gjata. A sjell kërkesa e PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e koalicioneve edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, konstitucionalisiti Gjata shprehet se ligjërisht po. Sipas tij, shtyrja e datës së zgjedhjeve duhet të bëhet me marrëveshje por ligjërisht, vetëm po u shty data e zgjedhjeve mund të shtyhet edhe data e regjistrimit të koalicioneve. “Data e zgjedhjeve shtyhet me një kompromis të madh politik. Nuk shtyhet duke shkelur dispozita ligjore apo nëpërmjet -deus ex machina- zgjidhjeve mekanike, pasi këto nuk shkojnë larg. Por logjikisht, nëse dy partitë e maxhorancës qeverisëse kërkojnë të shtyhet afati ligjor i regjistrimit të koalicioneve, në kundërshtim me ligjin dhe pa asnjë shkak madhor, atëherë përse të mos shtyhet edhe data e zgjedhjeve me shkakun madhor që paraqet opozita, atë të manipulimit të zgjedhjeve nga krimi i organizuar? Ndërsa ligjërisht, pra që të jemi në rregull me procedurat ligjore, vetëm po u shty data e zgjedhjeve mund të shtyhet edhe data e regjistrimit të koalicioneve, pasi afati fundor 60 ditë do të llogaritet me datën e re të zgjedhjeve”, theksoi ish-kryetari i KQZ-së.

Letra

PD-KQZ-së: Mos prano kërkesën, shkelja e afateve thellon krizën

Pas kërkesës që PS-LSI i kanë dërguar KQZ-së për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicioneve, koalicioni opozitar i është drejtuar me një letër KQZ, ku i kërkon që të mos bëhet marionietë e partive. Sipas tij, opozitës “mosrespektimi i afateve prekluzive ndikon drejtpërsëdrejti në thelbin e të drejtave dhe detyrimeve që ato garantojnë, dhe shkelja e këtyre afateve nuk mundet të ketë pasojë tjetër përveçse asaj të parashikuar nga ligji, pra humbjes së mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës. Në letrën drejtuar KQZ, opozita thotë se “afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një  konsensusi  gjithëpërfshirës në Kuvend”. Më tej në letër thuhet se pranimi i kërkesës do ta paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës. Po ashtu koalicioni opozitar vlerëson se “çfarëdolloj qëndrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi kërkesën për shtyrje të afateve të përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, dhe aq më tepër disponimi me vendimmarrje mbi këtë kërkesë, do të paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës së thellë politiko-institucionale në vend, por veçanërisht do të përvijonte KQZ si një institucion thellësisht politik i cili i shërben si mashë elektorale kastës qeverisëse në vend”.

Letra e plotë e opozitës drejtuar KQZ.

Koalicioni i bashkuar opozitar, është vënë ditën e sotme në dijeni të një kërkese të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuar institucionit tuaj, me anë të së cilës kërkohet mbajtja e një qëndrimi lidhur me mundësinë e shtyrjes së afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhje, si dhe të shtyrjes së regjistrimit të koalicioneve zgjedhorë. Në lidhje me sa më sipër, vlerësojmë të domosdoshme të sjellim në vëmendje tuaj, se afatet  e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë afate prekluzive, çka do të thotë se të drejtat ose detyrimet të cilat duhen ushtruar dhe/ose përmbushur brenda këtyre afateve, nuk mund të ushtrohen tej përmbushjes së afatit të sipërcituar. Pra, me fjalë të tjera, mosrespektimi i afateve prekluzive ndikon drejtpërsëdrejti në thelbin e të drejtave dhe detyrimeve që ato garantojnë, dhe shkelja e këtyre afateve nuk mundet të ketë pasojë tjetër përveçse asaj të parashikuar nga ligji, pra humbjes së mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës. Edhe praktika e konsoliduar shumëvjeçare e vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e konfirmon këtë qasje ligjore. Nga ana tjetër, afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një  konsensusi  gjithëpërfshirës në Kuvend.Ne vlerësojmë se çfarëdolloj qëndrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi kërkesën për shtyrje të afateve të përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, dhe aq më tepër disponimi me vendimmarrje mbi këtë kërkesë, do të paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës së thellë politiko-institucionale në  vend, por veçanërisht do të përvijonte KQZ si një institucion thellësisht politik i cili i shërben si mashë elektorale kastës qeverisëse në vend. Për sa më sipër, ritheksojmë edhe njëherë qëndrimin e koalicionit opozitar mbi nevojën e respektimit rigoroz të detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor, veçanërisht nga institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë e organizimit  dhe menaxhimit të zgjedhjeve.

Letra e dërguar në KQZ nga shumica

Dje ka qenë dita e fundit për regjistrimin e koalicioneve, por ky afat është djegur pa asnjë kërkese zyrtare ne Komisionin Qendror te Zgjedhjeve. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim depozituan në KQZ një letër me kërkesën për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Kjo letër, mban firmat e kryetarëve të dy grupeve parlamentare të PS dhe LSI, Gramoz Ruçi dhe Luan Rama. Por pikërisht këtu krijohet edhe “ngërçi”, për të cilin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e pikërisht anëtari Klement Zguri e quan këtë kërkesë si jo legjitime.

Letra

Për shkak të situatës politike, 2 partitë kryesore te maxhorancës PS dhe LSI i janë drejtuar KQZ për të shtyre jo vetëm afatin e regjistrimit te koalicioneve, por edhe te regjistrimit te partive. “Në këtë kontekst social-politik i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e, aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor). Në gjykimin tonë, tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës”, thuhet në letrën që është nëshkruar nga PS dhe LSI. Dy partitë më të mëdha të majta theksojnë se kjo shtyrje duhet realizuar për t’i dhënë një mundësi me shume arritjes se një marrëveshje politike me opozitën. “Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18.06.2017″.

Bylykbashi: Rama e Meta me dy firma hedhin në erë një Kod me 84 vota

Pas kërkesës së PS-LSI për shtyrje të afatit të regjistrimit të koalicioneve, reagon Partia Demokratike.

Deputeti demokrat i cili është angazhuar dhe si negociatori i PD-se për zgjidhjen e krizës aktuale politike,  Oerd Bylykbashi e cilëson këtë kërkesë, gallatë idioteske. “Këta duan ta bëjnë Kodin Zgjedhor si ate paçavuren që bënë për “Veting-un” ku nuk lanë procedurë e afat pa bërë çorap, aq sa nuk merret vesh më llumi që kane sajuar. Lodhu 10 vjet ne duke përmirësuar Kodin me konsensus, lodhu ODIHR duke rekomanduar të qartësojmë afatet. Të del Rama me Metën, e me një shkresë me dy firma hedhin në erë një Kod me 84 vota”, shkruan Bylykbashi në Facebook. Deputeti demokrat vijon se KQZ nuk e ndryshon dot ligjin dhe afatet e tij edhe sikur të votoje me 7 vota unanime. Megjithatë, tërheq vëmendjen Bylykbashi, mos u habisni qe ndokujt mund t’i shkojë në mendje që me akt normativ ndryshohet ligji.

 

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 6 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM