Opinion

Fund i mandatit të Ramës, finalizim i disa aferave të pista

  • 20 Prill 2017, 09:29
  • Përditësuar 09:29
Lavdosh FerruniLavdosh Ferruni

Janë kritikuar nga publiku, nga maxhorancat që  kanë ardhur në fuqi, nga mediat, nga analistët aferat me impakte negative në shoqëri e mjedis të miratuara në muajt e fundit të mandatit qeverisës të qeverive paraardhëse gjatë gjithë zgjedhjeve të bëra në  këto 25 vjet . Këtë radhë po përmendim disa afera që mund të rrëshqasin tani në vorbullën e madhe parazgjedhore.

Afera e pistë nr. 1: Miratimi i importit të plehrave. Megjithëse opinioni i gjerë publik mendon se me mosdekretimin e ligji të importit të plehrave prej Presidentit dhe heshtjes së gjatë parlamentare për të, ligji i importit të plehrave ka rënë. Por jo. Nisur dhe nga një konfirmim metaforik i kryeministrit së fundmi, miratimi i importit të plehrave mund të ndodhë nga maxhoranca e sotme dhe çdo revoltë qytetare menjëherë do të etiketohet partiake. Edi Rama ka të drejtë që nuk jep dorëheqjen si kryetar i Qeverisë, pasi siç thotë dhe vetë,  është vullneti i shumicës së popullit që e ka votuar, kërkon që ai të qëndroj e ti shërbej atij deri në ditën që populli do votoj përsëri. Por Edi Rama duhet të respektojë gjithashtu vullnetin e popullit që kërkoi me mbi 60.000 firma, sipas Kushtetutës të kryhej referendum nëse është pro apo kundër importit të mbetjeve, kërkesë që u aprovua nga Gjykata Kushtetuese dhe u miratua nga presidenti të kryhej më 22 Dhjetor 2013. Partia Socialiste nuk duhet ta harrojë këtë. Nëse Edi Rama është i bindur se importi i plehrave do të ndriçojë Shqipërinë me djegien e tyre në Elbasan, Fier,Tiranë e gjetkë e ka për detyrë të lejoj popullin të votojë sipas vullnetit te tij të shprehur, me referendum, të bllokuar nga vetë Edi Rama në Shtator 2013. Nismëtarët e referendumit në emër të mbi 60000 firmëtarëve nuk e kanë tërhequr kërkesën për referendum, kur ja kërkoi KQZ në 2013, duke parashikuar që një pabesi, si kjo e Ramës mund të ndodhte.

Afera e pistë  nr. 2: Miratimi i nenit 449 të kodit penal

Në nenin 449, qe pritet të kthehet mbrapsht nga Presidenti, miratuar në 30 Mars është shkruar: “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”. Ndërsa varianti i rekomanduar dhe nga ekspertët ndërkombëtar ishte: “Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod dhe me kërkesë, lejohet rishikimi i vendimeve të dënimit që kanë marrë formë të prerë”. Ky nen edhe pse i shoqëruar me heshtje politiko- mediatike nuk kaloi pa u dënuar fort edhe me protesta nga shoqëria civile. Diskutimet kritike janë bërë mbi efektin mbi të kaluarën kriminale. Por, neni 449 afekton shumë dhe të ardhmen në raport me kriminalen e sotme dhe në vazhdim. Janë bërë dhe krime mjedisore, që nuk mund të amnistohen. Mund të bëhen edhe tani krime mjedisore, por dikush do përgjigjet edhe pas 5 viteve të ardhshme, kur krimi të shfaqet, pasi krimet mjedisore nuk janë, si psh, vrasjet, që konstatimi i krimit bëhet edhe për disa sekonda, krimet mjedisore mund të konstatohen edhe dekada më vonë. Psh, nëse hartuesit e VNM të HEC të Poçemit firmosin që diga nuk afekton ujërat e pijshëm të burimeve të Poçemit dhe gjykata tani vendos qe VNM është OK, nëse rezulton pas 20 vitesh që burimet e Poçemit janë ndotur, dikush a disa do përgjigjen për krimin. Neni 449 e përjashton ndëshkimin për këtë krim, impakti i të cilit mund të jetë katastrofik. Kështu edhe për krimet mjedisore krahas të tjerave neni 449, duhet të bjerë.

Afera e pistë nr 3. Miratimi i ndërtimit të HEC-eve mbi Vjosë

Larg çdo interesi kombëtar dhënia e lejeve për ndërtim HEC të Poçemit në Vjosë apo hapja rrugë Beketit për HEC-in e Kalivaçit shkatërron një pasuri natyrore Europiane, siç është klasifikuar nga vetë Europianët, si i vetmi lum i madh i egër në Europë. E duke qenë një pasuri Europiane e ndodhet në Shqipëri, përfituesit e mëdhenj ndër breza do të jenë vetë Shqiptarët. Fund mandati mund të vendos t’ja japë këtë pasuri një turku apo italiani të korruptuar, në kundërshtim me komunitetet që jetojnë në luginë, në kundërshtim me shkencëtarët vendas e të huaj, në kundërshtim me gjithë shoqërinë civile. Natyrisht me shpejtësinë e zhvillimit të teknologjive të energjisë solare, apo të erës, etj ndërtimi HEC-eve mbi Vjosë është veç të tjerash  dhe vendimmarrje shumë primitive veç dyshimeve të forta për aferë të pisët.

Afera e pistë nr 4. Miratmi i ndërtimit të resortit turistik në Parkun Kombëtar Divjak Karavasta.

Është prezantuar një projekt i një resorti turistik ekzaktësisht brenda parkut Kombëtar Divjak Karavasta, zonë e mbrojtur jo vetëm me ligjin shqiptar, por dhe me konventat ndërkombëtare. Resort-qytet, me apartamente, hotele, rrugë, parkingje etj, etj me kapacitet 18.000 turistë në ditë. Shkatërrim total i ekosistemit. Kundërshtimi i shoqatave mjedisore është shprehur në konsensus të plotë. Kjo ndërhyrje me ndërtime në Park kombëtar është e pa precedent në shkallë globale. Dhe si rrjedhojë është e pa tolerueshme edhe pse duken shenja se Qeveria mund ti japë OK. Normalisht ka vetëm një mundësi që ai resort të bëhet. Nëse  parlamenti Shqiptar e anulon ligjin që e ka shpallur Divjak – Karavastanë Park Kombëtar.

Afera e pistë nr 5. Miratimi i ndërtimit të resortit turistik në zonën e mbrojtur pranë lagunës së Nartës

I papritur qe dhe guximi për të propozuar resort turistik në zonën e Zvërnecit e lagunës së Nartës, strikte e mbrojtur me ligj. Këtu ishte dhe një histori e shëmtuar, madje kriminale tipike shqiptare, propozuesi i resortit e kishte privatizuar tokën me dokumente falso, siç thanë vendasit pronarë të vërtet, të një pjese të territorit, të cilët thanë se janë në gjyq me falsifikatorin. Nuk dihet akoma qëndrimi i Qeverisë për këtë aferë, por rreziku është i madh. Ekosistemi tepër delikat Nartë-Karavasta, tashmë i dëmtuar edhe pa ndërtime në të  mund të degradohet përfundimisht. Një propozim që ju bë iniciatorëve të resortit ishte ndërtimi i tij në zonën, ku është ndërtuar TEC-i i Vlorës, i cili mund të çmontohet që aty dhe të instalohet pranë burimeve të lëndës së parë për të (duke konsideruar këtu dhe gazsjellësin TAP)

Afera e pistë së fundi (e para për nga rëndësia). Miratimi i kullës ikonike dhe kullave të tjera në Tiranë.

Të enjten Kuvendi miratoi në parim ndërtimin e një kulle ikonike 350 metër të lartë në zonën e bulevardit të ri në Tiranë, dhe fët e fët për 30 ditë duket do jepet leja përfundimtare. Të Premten KKT miratoi një kullë tjetër 111 metër të lartë pranë hotel Tirana, në kuadër të planit Rregullues Tirana 030, e pa parë në dëgjesat para miratimit në Këshillin Bashkiak në 30 Dhjetor 2016. Të Hënën fillon me intensitet debati, Basha, Rama, Meta, Nishani, Berisha…Vllahutin, Lu..vetingu, zgjedhjet e lira e te ndershme dhe në të njëjtën kohë aferat vazhdojnë të kryhen nën hijen e debateve gjoja të nxehta politike. “Kulla Ikonike” e shoqëruar me kullat “kërpudha” në Tiranë, që do pasojë, edhe sikur të jetë pa asnjë lehtësi fiskale shërben vetëm si një magnet supergjigand për të thithur edhe më shumë popullsi rreth Tiranës, duke e përkeqësuar jetën në Tiranë, si rrjedhojë a arritjes së një densiteti të banimit të qytetit, të paprecedentë në Europë, që i kalon shpejt 20000 banorë për km2, në vend të mesatarisht 3000- 6000 banorë/km2 të kryeqyteteve të tjera Europiane. Ky densitet i shtuar do prodhojë ajër më të ndotur, papunësi më të madhe, kriminialitet më të madh. Përqendrimi i gjysmës së popullsisë së vendit në 0.1% të territorit, aq sa është sipërfaqja e Tiranës është njëherazi ulje drastike e eficensës së përdorimit të resurseve në gjithë territorin e vendit, sidomos të zonave më të marzhinalizuara. Sado kulla të larta të bëjmë ne në Tiranë, Shqipëria nuk bëhet dot as Hong Kong, as Singapor, dhe është gabim edhe ta mendosh këtë. Shqipëria është një vend me profil të fortë rural dhe ajo mund të zhvillohet në mënyrën e saj origjinale duke u investuar për të zhvilluar qendrat rurale kudo në vend. Vetëm ky lloj zhvillimi mund të garantoj një zhvillim të qëndrueshëm  të vendit.

Afera të tjera të pista: Nuk dimë gjë, por ka shumë të ngjarë të dalin rrugës.

 

Mala
Uluni merruni vesh me dialog per çeshtjen e Shqiperise dhe shtetit shqiptar. Voten dhe besimin per shtetin dhe sherbimin e pergjegjeshem per populline jep arbitri,-vota e popullit jo llafazanet partiak as nga zyra, e as nga çadera.Kujdes keni pergjegjesi e duhette pergjigjeni me pergjegjesi te ndergjegjshme.Keshtu sic po verponi tash e sa kohe, do delni te pa pergjegjshem pera arbitrit-popullit.

Shto komentin tuaj

7 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM