Opinion

Basha lider, por opozita ka nevojë për lidership!

  • Zile Feçi
  • 20 Prill 2017, 09:26
  • Përditësuar 09:26
Lulzim_BashaNga Zile Feçi

Lideri i opozitës, ndonëse e gëzon mandatin e tij si kryetar i Partisë Demokratike prej tre vitesh, vetëm tani e ka treguar veten realisht si kryetar. Është dashur pikërisht protesta tek çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që Lulzim Basha të gjejë vetveten dhe të kthehet në kryetar i vërtetë i opozitës. Në kërkim të identitetit të humbur, për shkak të sfumimit nga kryetari historik i demokratëve Sali Berisha, për Bashën, ky është momenti më i mirë për të drejtuar demokratët, apo të udhëheqë opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, gjithmonë nëse këto të fundit, nuk do të shtyhen, ashtu sikurse duket të ngjasojë. Zgjedhjet e këtij viti janë prova e vërtetë e Bashës si lider, por njëkohësisht edhe prova e skemave që ai ka përdorur në këtë vit elektoral, të cilat zënë fill në 18 shkurt, kur nisi rrugëtimin edhe protesta për kauzën e një qeverie teknike, me emërues zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Por, mbi të gjitha Basha, prej muajsh është vënë në kërkim të detajit që do e çojë atë më afër elektoratit. Madje kërkoi një hapje të partisë, duke përcjellë pak a shumë mesazhin për një KOP, nga i cili edhe ai vetë është produkt. KOP (Komiteti i Orientimit të Politikave) u shfaq në fillim të viteve 2005, kur Berisha kërkonte sërish pushtet, pasi thuajse ishte shuar nga trazirat e vitit 1997. Dhe në fakt u ringrit. Erdhi në pushtet edhe me KOP, ku një prej tyre ishte Basha. Ky i fundit, pa menduar se një ditë do të prekte fronin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare.  Duket, se për Bashën mandati si kryetar bashkie i dha mundësinë të njihet me politikën lokale, të krijojë profilin e një lideri të ri, larg arrogancës, frymës agresive, larg konfliktualitetit dhe betejën nga 2013 deri në 2015 e kishte të dyzuar mes kryetarit të partisë dhe kryetarit të bashkisë.

Qartësisht mund të thuhet se Basha kurrë nuk ka drejtuar vetëm. Ai që e ka orientuar përherë ka qenë Berisha, edhe për arsyen se ky i fundit kishte mundësi të bënte pafund politikë në Parlament. Por, pavarësisht të gjitha, Basha ka gjetur brenda vetes liderin e opozitës. Madje, ka nisur të ngrejë tonet dhe të mos ketë asnjë tërheqje siç deklaron nga kërkesat e tij që prej fillimit të protestës që nisi në 18 shkurtin e 2017. Por, megjithatë Basha është lider, por nuk besoj se ka gjasa të jetë lidership. Partia Demokratike dhe opozita në tërësi kanë nevojë për lidership, por mesa duket nuk ka për të ndodhur, duke e futur PD dhe aleatët e saj në provimin e fortë të 18 qershorit. Për Bashën, edhe ndërkombëtarët duket se janë “kundër” tij, duke mos pranuar të bëjë asnjë tërheqje, pavarësisht se ka pasur ftesa për dialog nga palët e maxhorancës, përfshirë edhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Ilir Metës, jo vetëm si kryetar kuvendi, por edhe si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga ana tjetër, mendohet se një ndërhyrje nga “më të mëdhenjtë” e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta kthejë Bashën me këmbë në tokë. Nuk do ishte çudi, që Basha të përshihet nga një presion ndërkombëtar për të ndalur bojkotin dhe të bëhet pjesë e procesit, qoftë të vettingut, të zgjedhjeve, por sigurisht edhe të zgjedhjes së kreut të shtetit.

Kjo do të bënte që shumë prej kërkesave të Bashës, të mos realizohen, duke zbehur pritshmëritë e votuesve të Partisë Demokratike së pari, e më pas edhe të vetë Bashës. Por, gjithsesi, nëse Basha do pranojë të hyjë në zgjedhje, pa një qeveri teknike përmes presionit ndërkombëtar, mundet t’i shtojë atij kreditet si politikan, por ndoshta do e “armiqësonte” me elektoratin. Gjithsesi, ditët në vijim do të jenë vendimtare për Shqipërinë, ku do shihet nëse do jetë një krizë më e madhe se deri më tani, apo do ketë një rrugëzgjidhje përmes të shumëpërfolurit dialog.  Sjellja politike e Bashës në këtë moment është e rrezikshme. Madje, aq e rrezikshme, sa nëse do të ketë një qeveri teknike, bazuar në faktet e Bashës, shumë prej të cilave të vërteta dhe të artikuluara edhe nga aleati i Ramës në qeveri, Ilir Meta, precedent do ishte më e pakta. Sepse, nuk do ishte çudi, që në fundin e mandatit të kujtdo qeverie e majtë apo e djathtë, pala në opozitë të ngrihej në fundin e mandatit, ose tre-katër muaj para zgjedhjeve me kërkesën për qeveri teknike. Atëherë, precedenti i tanishëm, nuk ka pse të mos ndodhë edhe në fundin e katërvjeçarit të ardhshëm të mandatit qeverisës. A është kjo vallë, ajo që e frikëson Edi Ramën? Apo është bindja e vetë kryeministrit Rama, se në këtë vend, ka gjithçka që mund të thotë Basha, por asnjë prej tyre nuk mund të përkthehet në argument për qeveri teknike, për aq kohë sa po punohet; droga po kapet, ndërsa nuk u kursyen edhe largimet e dy ministrave më të përfolur nga opozita. Pavarësisht se u tha, se Tahiri dhe Beqaj u larguan për t’u marrë me zgjedhjet parlamentarë, si koordinatorë politikë, i pari në Tiranë dhe i dyti në Kukës, ka shumë prej eksponentëve të së majtës që e shohin lëvizjen e tyre si një tekë të plotësuar për llogari të Partisë Demokratike.

Kosovari
Rrahagjokesit e llafazanet,tash sa kohe vetem po e malltretojne popullin.Ai-Populli e ka dhene besimin e do e jep perseri, vetem atij qe meriton.
Mala
Po harron Basha,se Kushtetuten e autorizoi Salo,nenbisht i te cilit u be Basha.Salo harroi se, nuk do jete kryeminister i perjeteshem.Tash kur me besimin e arbitrit erdhi Rama kryemi9nster. Kushtetuta duhet te respektohet si akti me sovr an i nje shteti-Shqiperise,Andaj barikadimet jane banale e te jashtligjshme-aktualisht antikushtetues. Merre besimin me zgjedhje,jo me bunkrizime,keshtu nuk do kesh,sic nu k kishe, besimin e ar bitrit,Pr ovove dy-tri bashki deri sot,tash do provosh Kavajen, te cilen nga ajo qe di cka te gjen,po mendon ta pengosh vullnet in e popullit.Nuk ka forca,e as bukerizim qe ndal percaktimin e vullnetit te popullit.Populli eshte sovrani.

Shto komentin tuaj

4 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM