Thellë

Kokëdhima: Kosova dhe Shqipëria të prodhojnë së bashku ushqimin bazë të shqiptarëve

Kokedhima1Themeluesi dhe drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA Koço Kokëdhima ka deklaruar gjatë intervistës në emisionin "Komitet" të gazetarit Berat Buzhala se mungesa e stabilitetit për Shqipërinë e Kosovën burim i gjithë të këqijave.

Kokëdhima thekson se Kosova dhe Shqipëria të prodhojnë së bashku ushqimin bazë të shqiptarëve

Berat Buzhala: A jeni të kënaqur me ritmin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovë, jo vetëm këto vite që qeverinë e ka e majta por edhe më herët? A ka një lloj konfuzioni të tregut? Ju që merreni me biznes e keni një përshkrim më të qartë të ngjarjeve.

Kokëdhima: Çlirimi i Kosovës është pritur me entuziazëm të madh nga çdo shqiptar dhe njerëzit e biznesit sigurisht që reagojnë shumë shpejtë dhe mendja u shkon tek ekonomia. Tani që Kosova është e lirë dhe sovrane, në atë kuptim që ka statusi i saj sot dhe në atë shkallë pavarësie që ka sot, kjo është maksimumi historik, ne nuk e kemi pasur më parë këtë pozitë. Praktikisht kemi dy Shqipëri dhe përfitimi real i kësaj situate do të duhet të ishte një bashkëpunim i rëndësishëm ekonomik dhe një zhvillim i madh ekonomik. Edhe Kosova edhe Shqipëria janë dy vende shumë të varfra, dy më të varfrat e kontinentit dhe kjo është jo vetëm një gjë që lidhet me të shkuarën tonë por lidhet edhe me përgjegjësitë tona si punojmë ne tani. Duhet të punojmë shumë më mirë që vendet tona të pasurohen. Ata që pasurohen në fakt janë vetëm politikanët e korruptuar por vendet tona nuk pasurohen nga viti në vit, nuk kanë krijuar një sistem të grumbullimit të pasurisë, as Shqipëria dhe as Kosova. Unë pajtohem me dëshirën dhe nevojën që ne ta shikojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një treg jo vetëm se jemi një komb dhe jo vetëm si një komb që ndajmë të njëjtën kufi, pra kemi vazhdimësi territori, flasim një gjuhë, janë të gjitha familje të njohura, çdo familje kosovare ka një familje vëllazërore koresponduese në Shqipëri që u krijua që nga historia e luftës.

I kemi të gjitha arsyet për ta parë hapësirën me Kosovën si një treg. Mirëpo këtu pengojnë punë, edhe mungesa e aftësive, edhe mungesa e vullnetit, edhe burokracia e institucioneve në të dyja anët e kufirit. Unë i kam mbështetur mbledhjet e qeverive të përbashkëta mirëpo problemi është që ato nuk duhet të jenë mbledhje që thjeshtë i shërbejnë PR-it të kryeministrit ose të kryeministrave por duhet që të jenë me gjëra konkrete. Integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në ekonomi duhet bërë me një plan shumë serioz dhe shumë të qartë. Një gjë doja të theksoja unë, si Shqipëria dhe Kosova veç e veç por kryesisht në mënyrë të bashkuar duhet të zgjidhim një çështje, çështjen e ushqimit bazë për popullin. Kosova dhe Shqipëria të dyja së bashku duhet ta ushqejnë popullin shqiptar me ushqime të prodhuara brenda territorit tonë. Kjo është gjëja më e thjeshtë, më e mundshme dhe më e rëndësishme në bashkëpunimin mes ekonomive tona. Nëse nuk e bëjmë këtë, bëjmë shumë propagandë por nuk bëjmë punë serioze. Ky do të ishte për mua një plan i qartë,i thellë, kompleks, me strategji që të kalkulohet çdo gjë dhe ushqimet bazë Shqipëria dhe Kosova nuk mund t’i importojnë. Shqipëria importon një milion dollarë në një vit ushqim për popullin, importon lloj-lloj gjërash ndërkohë që kemi kushte shumë të mira për të prodhuar ushqimet bazë për popullin tonë dhe jo vetëm për popullin por edhe të eksportojmë. Kështu edhe ide të tjera ka plotë, në sektorë të tjerë por duhet njerëz që të punojnë, duhet që qeveritë të flasin më pak dhe të punojnë shumë dhe të maten me rezultate konkrete në këtë drejtim.

 

 

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

6 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM