Thellë

Kokëdhima: Edi Rama nuk mund të bëjë zgjedhje të ndershme, të lira e të drejta

Temat Kryesore

  • Drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA përsërit qëndrimin se nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershorpa opozitën
  • Përse duhet dialoguar me opozitën dhe pse është i rëndësishëm procesi i votimit dhe i numërimit elektronik
Gjatë intervistës së dhënë për emisionin "Komiteti" të gazetarit Berat Buzhala, drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA Koço Kokëdhima përsërit qëndrimin se nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor pa opozitën.

Berat Buzhala: Zgjedhjet janë një muaj e gjysmë larg. A besoni se do të mbahen më 18 qershor?

Koço Kokëdhima: Nuk ka për t’u bërë zgjedhje pa opozitën. Ky sistem që ne kemi është shumëpartiak dhe ideja perverse se mundet dikush ta zëvendësojë opozitën reale me opozitë të sajuar është shumë e rrezikshme që thjesht sjell, ndjell, gjëra shumë të këqija për vendin. Për Shqipërinë, ashtu si edhe për Kosovën, gjëja më e rëndësishme është stabiliteti dhe nga mungesa e stabilitetit na vijnë shumë të këqija. Paqja dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme për ne, dhe në Shqipëri, paqja dhe stabiliteti, jo vetëm që rrezikohen, por hidhen në erë nga ideja se mund të bëhen zgjedhje pa opozitën. Kjo është ta çosh vendin në destabilizim dhe në luftë dhe të prodhosh viktima. Nuk është e gatshme Shqipëria të bëjë luftë për karrigen e Edi Ramës dhe 5 ministrave të tij. Nuk është e gatshme Shqipëria të sakrifikojë asnjë pulë, jo më të sakrifikojë jetë njerëzish për interesa të tilla.

E kam thënë shumë herë se gjithë këmbëngulja që bën Rama se do të bëjë zgjedhje pa opozitën është një dëm shumë i rëndë që i bën edhe vendit, por edhe Partisë Socialiste. I bën dëm të madh Partisë Socialiste sepse e lë të papërgatitur për këtë situatë dhe për situatat që po vijnë, pa strategji, pa vizion dhe Shqipërisë i humb shumë kohë. Zgjedhjet do të bëhen vetëm me opozitën. Bëhen zgjedhjet me opozitën në 18 qershor apo jo, për këtë çështje nuk mund të përgjigjem unë, për këtë çështje përgjigjet kryetari i opozitës. Ai kryetari i opozitës e deklaron këtë gjë dhe thotë: po unë  do shkoj në 18 qershor. Nëse opozita nuk shkon në zgjedhje në 18 qershor, Shqipëria nuk do të shkojë në zgjedhje. Kjo është bindja ime absolute. Dhe unë edhe po të kem një parti, unë kurrë nuk shkoj në zgjedhje pa opozitën. Kurrë! Ashtu siç nuk do shkoja kurrë në zgjedhje edhe nëse do ishte krahu tjetër jashtë zgjedhjeve. Prandaj, për të zgjidhur krizën në Shqipëri duhet t’i ikim këtij lloj debati, duhet t’i ikim kësaj qasje dhe Edi Rama duhet të ulet menjëherë me opozitën. Duhet të ulen dhe duhet të bien dakord e para për reformën zgjedhore sepse 4 vjet ka qeveria e Edi Ramës që qeverisë vendin dhe 4 vjet është kohë e mjaftueshme që të bëhej një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje me standarde si në çdo vend tjetër demokratik të Evropës. Për këtë çështje është e domosdoshme që votimi dhe numërimi të jetë elektronik.

Berat Buzhala: Ju po insistoni që zgjedhjet e ardhshme votimi dhe numërimi të jenë elektronik?

Koço Kokëdhima: Padyshim!

Berat Buzhala: Por a mund të arrihet kjo deri më 18 qershor?

Koço Kokëdhima: 18 qershori nuk është aq i rëndësishëm. I rëndësishëm është procesi i votimit. Votimi duhet të jetë i ndershëm, i drejtë, i pakontestueshëm, përfundimisht i pranueshëm si i pastër dhe të besohet si i tillë. Atëherë Shqipëria bën një hap të madh përpara drejt vendosjes së demokracisë, kur të mos preket asnjë votë, nuk do të manipulohet asnjë votë dhe kur nuk do t’i shkojë mendja kurrë qeverisë se mund të manipulojë vota, qoftë në mënyrat më vulgare të manipulimit dhe të vjedhjes së votave që janë parë në fillimet e këtij procesi, në ‘94 dhe në ’96, deri tek ato manipulimet më të sofistikuara siç ishin manipulimet në votimet e këshillit të Qarkut të Vlorës, ku kjo qeveri, me një nga ministrat e saj më të rëndësishëm, me 3-4 deputetë në sallë, me kryeministrin në telefon, udhëhoqën këtë proces të manipuluar që nuk kishte ndonjë vlerë, asnjë rëndësi. Duhet të eleminojmë të gjithë këto lloj formash të manipulimit të votave në Shqipëri. E dyta, Edi Rama së bashku me Lulzim Bashën duhet të heqin dorë përfundimisht nga administrimi i zgjedhjeve sepse të dy këto parti janë parti të diskredituara në menaxhimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata duhet të heqin dorë nga administrata zgjedhore dhe administrata të jetë shtetërore me shumë më pak në numër, ku të jenë gjykatës, prokurorë, noterë, studentë të ekselencës të fakulteteve të juridikut, pedagogë universitetesh, mësues, pra një administratë sa 1/3 e administratës së sotme dhe gjithë energjitë të partive politike duhet të investohen në edukim, në vëzhgim, monitorim dhe në bashkëbisedimin me elektoratin.

Ju jeni kundër që kjo qeveri në gjendjen që është tani ta çojë vendin në zgjedhje?

Nuk mund të bëjë zgjedhje të ndershme, të lira dhe të drejta zoti Rama.

Kjo është përfundimtare?

Unë nuk kam besim që ai mund të bëjë zgjedhje të drejta.

Ju keni biseduar me zotin Meta por a keni sintoni, a keni harmoni se si e shihni rrugën për të dalë nga kriza? Zoti Meta duke qenë në koalicion nuk është shumë miqësor me zotin Rama në prononcimet e tij të fundit.

Unë kam biseduar me të gjithë palët dhe pikëpamjet e mia i kam shprehur krejtësisht nëpër fjalimet e mia. Mua më intereson një gjë, që zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen. Kjo është themelore për popullin tonë, për shqiptarët kudo që janë, që zgjedhjet bëhen me opozitën dhe zgjedhjet gjenerojnë paqe, stabilitet dhe standarde të padiskutueshme. Duhet të marrë fund historia që i cilëson zgjedhjet e shqiptarëve me probleme por të pranueshme, kjo histori është shumë e shëmtuar dhe duhet të iki përgjithmonë. Zgjedhjet e shqiptarëve duhet të jenë siç janë zgjedhjet për Bashkimin Europian, siç janë për Presidentin e Amerikës, siç janë për Presidentin e Francës, siç janë zgjedhjet më të mira në botë. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të pranojnë zgjedhje inferiore. Kjo histori duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe ky është hapi i parë drejt pastrimit të sistemit politik në Shqipëri nga gjithë ky kalbëzim dhe nga gjithë ky korrupsion.

 

 


Loni
Edi Rama ka ik per lesh

Shto komentin tuaj

3 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM