Thellë

“Kanabizimin e Shqipërisë e bënë zyrtarët e lartë të kësaj qeverie”

intervistaGjatë intervistës së dhënë në emisionin "Komiteti" të gazetarit Berat Buzhala, themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes Zgjidhja brenda PS-së, Koço Kokëdhima theksoi se kanabizimin e vendit e bënë zyrtarët e lartë të kësaj qeverie.

Berat Buzhala: A është kanabisi problem real apo është problem i stisur nga opozita për të justifikuar shtyrjen e zgjedhjeve? Si mendoni ju, a janë zgjeruar fushat e mbjella me kanabis?

Koço Kokëdhima: Këtë temë e kam diskutuar shumë herë dhe nuk është çështja e diskuton opozita apo jo. Është një temë që e kam zhvilluar shumë, madje shumë më parë se opozita, kam qenë shumë i shqetësuar për këtë situatë që do të vinte. Kanabisi është një nga njollat më të errëta të qeverisjes së Shqipërisë. Nuk është çështja është shtuar apo jo kanabisi, as se është 5-fishuar apo 10-fishuar kanabisi. Shqipëria nën qeverinë e Edi Ramës u kanabizua. Kjo është e vërteta, por nuk është kjo gjëja më e keqe, gjëja më e keqe e kësaj historie është se, këtë kanabizim të Shqipërisë e bënë zyrtarët e lartë të kësaj qeverie. Ky është problemi dhe përfitimet më të mëdha të këtij trafiku të jashtëzakonshëm, të kësaj ekonomie kriminale të jashtëzakonshme, i akumuluan në duart e tyre pikërisht ky ekip zyrtarësh të lartë të shtetit dhe ky ekip ka bërë implikimin më të rëndë të qeverisjes sonë me kanabisin.

Berat Buzhala: Po thoni që ku është një kanabizim politik në kuptimin e qeverisjes?

Koço Kokëdhima: Kjo është e vërteta e Shqipërisë, e hidhur, por kjo është e vërteta. Në 2016-ën ka ndodhur fiks kështu dhe nuk është diçka që mund të mohohet.

Berat Buzhala: Ju keni rrjetin tuaj të njerëzve në Shqipëri, a mund të na përshkruani a janë rritur arat e mbjella me kanabis, a ka parcela më të mëdha që janë mbjellur me kanabis dhe nuk ndërhyhet për t’i shkatërruar ato?

Koço Kokëdhima: Kanabisi zhvillohej në njolla shumë të vogla në të shkuarën. Ishte Lazarati dhe pak në veri të Shkodrës. Por në vitin 2016, në mënyrë të njëkohshme, në të gjithë territorin e vendit, në të 61 bashkitë e vendit, u mboll kanabis me garancitë e Policisë së Shtetit. Pra, ti do t’i paguaje policisë së shtetit një tarifë 20-30 për qind të prodhimit dhe policia merrte përsipër që të garantonte ty që të mos ta shkatërronte kanabisin. Ky është një aksion kombëtar i njëhershëm, i organizuar, me të njëjtat tarifa.

Berat Buzhala: Produkti final i kanabisit transportohet në Itali dhe pastaj ato para dyshimi kryesor është se përdoren për blerjen e votave?

Koço Kokëdhima: Nuk ka dyshim në këtë çështje. Këtu ka një gjë shumë të thjeshtë. Ky fluks i madh i kësaj paraje të realizuar në rrugë kriminale sot është në gjendje të afektojë qeverinë, zgjedhjet, drejtësinë, mediat, të gjitha institucionet kushtetuese në Shqipëri dhe ky është një rrezik real se do të ndikojnë plotësisht edhe në zgjedhjet e këtij viti. Prandaj reforma zgjedhore do të minimizonte mundësitë që këto para kriminale dhe gjithë kriminelët e drogës të ndikojnë zgjedhjet, është e domosdoshme.

Berat Buzhala: Ideja është që votimi dhe numërimi elektronikë t’i reduktojë mundësitë?

Koço Kokëdhima: Bashkë me një paketë ligjore, me masa të tjera t’i reduktojë mundësitë e mafies së kanabisit të marrin zgjedhjet.

Berat Buzhala: A e kontrollon Rama këtë rrjet apo Ramën e kontrollon ky rrjet sipas jush?

Koço Kokëdhima: Unë flas gjithmonë politikisht dhe bëj dhe bëj diskutime politike. Kjo pyetje është investigative, jo politike. Nuk është në dijeninë time kjo gjë, nuk mund të them unë se çfarë ndodh konkretisht me Ramën, unë flas për përgjegjësi politike për Ramën.

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

7 + 5 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM