Thellë

Kokëdhima: Dëshiroj që z. Basha të distancohet nga krimet elektorale të PD-së në vite

Kokedhima1Gjatë intervistës së dhënë në emisionin "Komiteti" të gazetarit Berat Buzhala, themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes Zgjidhja Koço Kokëdhima foli edhe për takimin me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Kokëdhima kërkoi nga kreu i PD-së që të distancohet nga krimet e të shkuarës që ka bërë partia e tij në raport me zgjedhjet.

Berat Buzhala: Javën e kaluar, ishte iniciativa juaja apo e z. Basha për takim?

Koço Kokëdhima: Ishte ftesë e Partisë Demokratike.

Berat Buzhala: Ju keni qenë kritik i thekur, i ashpër i Partisë Demokratike.

Koço Kokëdhima: Kam qenë dhe mbetem.

Berat Buzhala: A keni besuar se do të vijë ditë kur do ta bëni një aleancë me një parti që s’e keni pasur shumë për zemër dhe do të bashkoni forcën për atë që ju e thoni, për rindërtimin dhe krijimin e demokracisë në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: Kam qenë gjithmonë mendjehapur. Dhe nuk e imagjinoj dot se si mund të mos bashkëpunojmë mes shqiptarëve. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë partitë politike të Shqipërisë dhe me të gjithë politikanët dhe qytetarët e këtij vendi, përfshirë edhe Sali Berishën. Dhe nuk kam asnjë paragjykim për këtë çështje.

Berat Buzhala: Mirëpo, z. Berisha kur ka qenë në pushtet nuk është sjellë mirë me ju?

Koço Kokëdhima: S’ka rëndësi kjo. Ai është sjellë siç e ka menduar ai. Mua nuk më prish punë se si sillet tjetri. Mua më prish punë kur sillem vetë jo mirë. Pra, bashkëpunimin e shikoj si një përgjegjësi që kemi me të gjithë faktorët shqiptarë dhe s’kam asnjë paragjykim për këtë çështje.

Berat Buzhala: Ju i kërkuat z. Basha të largohet nga krimet e partisë së tij në të kaluarën?

Koço Kokëdhima: Po. Është e qartë që për çështjet e zgjedhjeve, përgjegjësinë  e parë në Shqipëri e ka Partia Demokratike. Sepse ajo e filloi manipulimin e zgjedhjeve në vitin 1994, me zgjedhjet e pjesshme, pastaj në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1996 e bëri sistem këtë punë. Krahu tjetër, e majta nuk u distancua nga kjo gjë, por u bë pjesë e vjedhjes së zgjedhjeve. Sot, janë të dy palët, dy partitë e mëdha që njësoj vjedhin, trafikojnë dhe manipulojnë zgjedhjet në Shqipëri. Dhe ky është problemi i parë i rëndë që ka Shqipëria. Pa zgjidhur çështjen e zgjedhjeve nuk mund të pretendojmë rezultate.

Berat Buzhala: A është i përgjegjshëm z. Basha? A e ka parasysh që partia e tij ka përgjegjësi për këtë sistem që është në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: Unë nuk dua që të as të përgjigjem për të dhe as të bëj paragjykime për të. Një gjë që unë e pres akoma prej tij është që dëshiroj që z. Basha të distancohet nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në vite, ashtu siç dëshiroj që z. Basha të heqë dorë dhe të shprehet publikisht që heq dorë nga e drejta e padrejtë që kanë përfituar dy partitë e mëdha për të administruar zgjedhjet në Shqipëri. Pra, administrata zgjedhore duhet të departizohet. Dhe në takimin që bëmë ishte një pikë që e diskutuam, sepse unë i kërkova që administrata e zgjedhjeve të jetë shtetërore si në çdo vend tjetër. S’ka asnjë vend në botë ku 2 ose 4 parti të administrojnë zgjedhjet. I administrojnë komisionet shtetërore. Z. Basha tha se në kushtet kur bëhet votimi dhe numërimi elektronik mund të besojmë se krijohen kushtet për të hequr dorë nga ky pretendim. Kështu që, shpresoj që këtë gjë ai ta bëjë. Të njëjtën gjë i kam kërkuar edhe Ramës. Haptazi dhe publikisht i kam thënë: distancohu nga krimet elektorale të Partisë Socialiste që ti ke udhëhequr.

Berat Buzhala: Këtë e keni kërkuar edhe kur keni qenë në strukturat e Partinë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Në strukturat e Partisë Socialiste unë kam bërë një luftë jashtëzakonisht të madhe për mendësinë e respektimit të çdo vote si të shenjtë dhe pse në lidershipin e Partisë Socialiste mendësia për votën është njësoj siç mendësia e Berishës për votën. Unë kam bërë një punë dhe sjellje shembullore për këtë çështje në atë zonë që kam pasur kompetenca, pra, në zonën time elektorale, ku unë isha drejtues politik. Zgjedhjet i kam zhvilluar në mënyrë perfekte përsa i përket kompetencave të atjeshme dhe këtë e kanë konfirmuar të gjithë kundërshtarët.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM