Thellë

"ZGJIDHJA do të vendosë demokracinë dhe do të rindërtojë të majtën moderne”

Temat Kryesore

  • INTERVISTA/Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, analizon situatën e rëndë politike dhe rrugëdaljen nga kriza. Lëvizja ZGJIDHJA, synimi për të reformuar partitë politike dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës
Berat Buzhala

Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima,  i ftuar në emisionin “Komiteti” që transmetohet në RTV Dukagjini në Kosovë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Berat Buzhala për krizën politike, lëvizjen ZGJIDHJA dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës. I pyetur për lëvizjen politike që ai drejton, Kokëdhima tha se ajo lindi si korrent brenda PS-së, për të vazhduar projektin e nisur për demokratizimin e PS-së dhe të partive të tjera politike në Shqipëri. Kokëdhima tha se misioni i lëvizjes “Zgjidhja” është shembja e partitokracisë, reformimi i sistemit politik, vendosja e demokracisë në Shqipëri dhe rindërtimi i të majtës moderne.

Berat Buzhala: Z.Kokëdhima, çfarë është ”Zgjidhja”?

Koço Kokëdhima: Së pari dua t’ju komplimentoj për gazetën “Exspress”, të cilën unë e ndjek. Është një gazetë shumë e mirë me hapësirë të madhe të pasqyrimit të lajmeve, me një staf të rinjsh, por shumë të kualifikuar. Tani, të kthehem te “Zgjidhja”.

Berat Buzhala: Po, a ka zgjidhje në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: “Zgjidhja” lindi si një korrent politik në Partinë Socialiste me qëllim që të vazhdonte në një formë tjetër  përpjekjet që unë kisha zhvilluar brenda mureve të partisë dhe nga lart për demokratizimin e Partisë Socialiste, të partive politike dhe qeverisjes së vendit. Por, kjo u bë e pamundur që të zhvillohej, siç e zhvillova në vitet e mëparshme, 2013-2015. Atëherë e kalova në një formë tjetër këtë përpjekje, në korrentin politik “Zgjidhja”, e cila ka një mision shumë të rëndësishëm. Në vitin 1990-1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. Në fakt, shqiptarët besonin se kishin vendosur demokracinë kushtetuese dhe besonin se Shqipëria tashmë do të ishte një vend demokratik, por, pas 26 vitesh, rezultoi që shqiptarët kishin vendosur pluralizmin politik, por jo demokracinë. Në këto vite të tranzicionit tashmë është shumë e qartë për të gjithë se regjimi që sundon nuk është një regjim demokratik dhe sistemi politik nuk është një demokraci kushtetuese e mirëfilltë që garanton të drejtat e njerëzve. Këtu sundon një regjim që unë e quaj partitokracia shqiptare, e cila e ka shkatërruar thellësisht nivelin e lirive politike, lirinë e konkurrencës, konkurrencën e ndershme dhe të lirë si në politikë dhe ekonomi dhe ka cenuar rëndë standardet e partive politike. Nuk kemi më parti politike në Shqipëri,  por kemi regres, sepse partitë politike janë kthyer në bashkësi parapolitike. Në Partinë Socialiste mund të them se tani qeveriset pa institucione, pa rregulla, pa një kulturë funksionale, pa standarde dhe kështu që, një parti që qeveris vendin, kur nuk është demokratike vetë nuk mund të prodhojë as demokraci për vendin.

Berat Buzhala: Pra, ju “Zgjidhjen” e nisët si fraksion edhe brenda strukturave kur ishit deputet?

Koço Kokëdhima: Jo, nuk e nisa si fraksion. Në fillim unë e nisa reformimin e Partinë Socialiste brenda duke debatuar në forumet e larta të partisë dhe duke u përpjekur që të marr mbështetje për ta reformuar. Paraqita një projekt të plotë për këtë dhe u pranua që të zbatohej ky projekt pilot në rajonin Vlorë-Gjirokastër.Ky reformim kishte armiqësi dhe kundërshtime shumë të thella brenda Partisë Socialiste dhe brenda lidershipit të saj. Në këto kushte, kur u godit mandati im si deputet dhe unë u largova nga grupi parlamentar, dhe u largova besoj në një masë të madhe për këtë arsye, sepse duhej goditur pikërisht reformimi i Partisë Socialiste, atëherë unë e ktheva këtë në një fraksion për ta zhvilluar me një energji tjetër nga poshtë.

Berat Buzhala: Pra, ju vazhdoni të jeni në Partinë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Sigurisht.

Berat Buzhala: Mirëpo, në Vlorë ju penguan. Një përkrahësi tuaj, zyrtar i lartë në Vlorë, iu realizua një puç së fundmi nga Partia Socialiste...

Koço Kokëdhima: Ajo ngjarje që u prezantua në media, po të ndiqet, në fakt, është me shumë rëndësi sepse tregon gjendjen e vërtetë të qeverisjes në Shqipëri. Ajo tregon mentalitetin e vërtetë që ka Edi Rama dhe pasuesit e tij dhe se sa të rrezikuara janë të gjitha standardet dhe niveli i ligjshmërisë në institucionet e Shqipërisë. Ajo tregon pse kjo qeveri nuk bën dot zgjedhje, kur atje me 15 njerëz nuk mund të pranojë një votim të lirë, të ndershëm dhe të fshehtë. Ato fletët e votimit janë të gjitha njëra me katror, tjetra ka yll, tjetra ka thonjëza, tjetra ka një gomar etj. Janë shenjat që janë detyruar ata 15 votues, që janë 5 kryetarë bashke dhe 10 këshilltarë të nivelit të lartë, janë detyruar të bëjnë një shenjë që i është thënë nga udhëheqja me qëllim që të kontrollohet vota. Është një manipulim aq i ashpër që 15 njerëz të nivelit të latë, të përdoren si skllevër, të mos iu besohet dot fshehtësia e votës së tyre. Është një gjë me të vërtetë e tmerrshme. Përtej pamjes që mund të shohë çdo shqiptar, sepse ka shumë filmime nga ajo ngjarje, aty sheh atë lloj përdhunimi që bëhet në një proces normal votimi. Nuk çohet një mocion me gojë, nuk i jepet 10 ditë afat këtij mocioni që pala tjetër të përgatitet dhe të ketë reflektime. Bëhet një votim krejtësisht i manipuluar në kundërshtim me kushtetutën. Neglizhohet e drejta e personit që të marrë pjesë, të shohë votën, sepse është fjala për t’u shkarkuar. Ai duhet të kishte një anëtar të tij në komisionin e votimit. Dy t’i kishin mocionistët, një ta kishte ai. Ai kishte të drejtë të ishte edhe në komisionin e shqyrtimit të votave, mirëpo aty nuk e linin as të shihte votën. Në mënyrë të hapur kamerat panë një fletë votimi që ishte krejt e pavlefshme, pavarësisht se të tjerat ishin të manipuluara dhe ky proces është një dëshmi e gjendjes së qeverisjes antidemokratike që sundon në Tiranë. Kryetari i qarkut të Vlorës manifestoi një qëndrim si shqiponjë. Katër orë e gjysmë ai përballoi debatin dhe sjelljen e atyre njerëzve që s’kanë asnjë lloj lidhje as me të drejtën dhe as me ligjin. Kështu që, puna që ka bërë ky anëtar i “Zgjidhjes” ka qenë shembullore si kryetar qarku. Ai është një  sipërmarrës dhe ka një kompani shumë të mirë, që është me shumë reputacion në telekomunikacion. Ka një familje të shkëlqyer. Ka dy fëmijë fantastikë. Djali i tij  është 15 vjeç. Mban 10 rekorde kombëtare të notit në Shqipëri. Tani ai është në një shkollë më Florida dhe besoj se do të bëhet një notar me famë botërore. Ka bërë një punë fantastike në qarkun e Vlorës dhe këta e shkarkojnë vetëm për një arsye. Vetëm sepse ai përkrah idetë e “Zgjidhjes” për reformimin e sistemit politik të kalbur në Shqipëri dhe për vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri.

Berat Buzhala: A ishte mesazh ndaj të tjerëve, pra potencialisht ndaj përkrahësve të tjerë?

Koço Kokëdhima: Nuk është i vetmi rast ky. Unë kam denoncuar në shumë fjalime dhunën e verbër që gjithë qeveria ka bërë ndaj gjithë drejtuesve të lëvizjes “Zgjidhja”. Të gjithë i ka pushuar nga puna.

Berat Buzhala: Pra, ju keni rrjet në gjithë Shqipërinë si lëvizje?

Koço Kokëdhima: Po, sigurisht. Ka rrjet, ka struktura. “Zgjidhja” po shkon në 20 mijë anëtarë këto ditë, anëtarë të lëvizjes, jo thjesht mbështetës, që janë në databazat tona. Misionin e “Zgjidhjes” mund ta them kështu: Është shembja e partiokracisë, reformimi i sistemit politik, vendosja e demokracisë në Shqipëri dhe rindërtimi i të majtës moderne.

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM