Thellë

Legalizimet dhe lejet, përfituesit në 19 bashki

Temat Kryesore

  • Mënyra se si do të jepet leja, afatet si dhe dokumentacioni, janë të përcaktuara në udhëzimin e ministrisë së Zhvillimit Urban. Rastet kur legalizimi do bllokohet. Brenda vitit edhe 24 bashki me plane të reja vendore
Nga Neritan Gjergo

Me ndryshimin e strukturës së territorit në vend dhe miratimin e ligjeve të reja të territorit sipas modelit të 61 bashkive, ka ndryshuar edhe harta e dhënies së lejeve të legalizimit apo mosdhënies së tyre. Deri më sot janë 19 bashki me plane vendore të miratuara, të cilat në komunikim me ALUIZNI-n referojnë ndryshime dhe procedura të reja, rregulla këto që do të imponohen shumë shpejt edhe në bashkitë e tjera. Udhëzimi të cilin “Shekulli” e boton sot, detajon formën se si do të bëhet monitorimi dhe kërkesat për leje që do të anulohen. Po ashtu, ai përcakton edhe ndërtimet që nuk mund të legalizohen. 19 bashkitë duhet t’ia vënë planet urbanistike në dispozicion ALUIZNI-t dhe ky i fundit nuk mund të kryejë legalizimin e asnjë ndërtimi që bie ndesh me planin urbanistik. Udhëzimi përcakton qartë ndërtimet që nuk do të mund të legalizohen. Konkretisht, bëhet fjalë për ato që preken nga zbatimi i një projekti të infrastrukturës rrugore ose të linjave të energjetike të interkonjuksionit. Po ashtu, nuk legalizohen as ato ndërtime të ngritura në breg të liqenit, detit ose lumit, brenda distancës që përcakton dokumenti i planifikimit të territorit. Përjashtohen edhe ato ndërtime, kur autoriteti vendor apo institucioni shtetëror kompetent, për zbatimin e një projekti paraqesin kërkesë me argumente te ALUIZNI. Gjithashtu, është e domosdoshme, që për të gjithë ata që kërkojnë të marrin leje ndërtimi apo të investojnë për ndërtim në tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll apo kullotë, të  njihen me rregulloren e re të “imponuar” edhe nga Planet e Përgjithshme Vendore, të miratuara në 43 bashki deri më tani.

Bashkitë

Udhëzimi prek bashkitë Berat, Fier, Elbasan, Kuçovë, Lushnjë,  Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë, Korçë, Tiranë, Përrenjas e Dibër. Ndërkohë që, brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë, ndërsa nga Programi i qeverisë Zvicerane për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal po mbështeten 5 bashki në veri të vendit Tropojë, Malësi e Madhe, Mat, Klos dhe Vau i Dejës).

Rregullorja

Sipas udhëzimit, bashkia njofton zyrtarisht ALUIZNI-n për projektet ose studimet e miratuara për këto territore. Në rastet kur bashkitë nuk e kanë përgatitur këtë dokumentacion, ALUIZNI i merr vendimet mbi bazën e procesit të bashkërendimit institucional, përfshirë bashkërendimin me Ministrinë e Zhvillimit Urban. “Dokumentet e planifikimit dhe lejet e miratuara më parë: Për lejet e ndërtimit, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, përcaktuar në formularin e lejes përkatëse, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit dhe vetëm një herë, me kushtin që të mos kenë kaluar më shumë se 10 vjet nga data e miratimit të lejes së ndërtimit dhe subjekti të ketë paguar, paraprakisht, penalitetet e parashikuara nga neni 52”, thuhet në udhëzim. Në rast se, gjatë monitorimit periodik të zhvillimeve në territor, përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, konstaton: a) leje ndërtimi të lëshuara nga bashkitë në zonat e rëndësisë kombëtare apo për tipologjitë e përcaktuara në nenin 19 të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015, ose b) leje ndërtimi të lëshuara në kategori të resurseve tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll ose kullotë, jashtë zonave të ndërtueshme të parashikuara nga Plani i Përgjithshëm Vendor, ose c) leje ndërtimi të lëshuara në kundërshtim me kushtet zhvillimore të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor, Ministria e Zhvillimit Urban i kërkon bashkisë përkatëse anulimin/shfuqizimin e lejes së lëshuar në shkelje të ligjit, në përputhje me dispozitat dhe afatet e Kodit të Procedurës Administrative. Njëkohësisht, i kërkon inspektoratit të mbrojtjes së territorit të marrë masat administrative dhe nismat përkatëse ndaj shkelësve të ligjit, në zbatim të nenit 52 të ligjit 107/2014, datë 30.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, dhe legjislacionit për inspektimin e ndërtimit.

Bashkitë

Në një pikë të veçantë të udhëzimit është përcaktuar edhe përdorimi i dokumenteve të Planeve të Përgjithshme Vendore nga ALUIZNI për qëllime të legalizimit. “Bashkitë i dorëzojnë ALUIZNI-t dokumentacionin e Planit të Përgjithshëm Vendor në formë elektronike. ALUIZNI merr parasysh për efekt legalizimi këtë dokumentacion, vetëm për aq sa përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 280, datë 1.4.2015, ‘Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje’, i ndryshuar. Për rastet sipas kësaj pike, ALUIZNI përdor njëkohësisht dokumentacionin tekst të PPV-së, hartat përkatëse tematike, seksionet e propozuara të sistemit rrugor dhe materialin në GIS”, thuhet në pikën 12 të udhëzimit të ministres.

 

 

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

9 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM