Rajon

DASH: Të formohet shpejt qeveria e Maqedonisë

DASHUashingtoni u bëri sot thirrje autoriteteve të Maqedonisë të formojnë pa vonesë qeverinë e re. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka një shumicë të qartë në parlament dhe qeveria e re duhet të formohet pa vonesa të mëtejshme që vendi të rifillojë reformat e duhura për t’u anëtarësuar në familjen Euro-Atlantike. Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e qeverisë, tha zyrtari amerikan, po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit më gjerë. Shtetet e Bashkuara, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, do të punojnë me partnerët evropianë, për t’i nxitur politikanët të heqin dorë nga pengesat si dhe t’i mbajë ata përgjegjës për veprimet e tyre.

Që prej zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, në Maqedoni po vazhdon ngërçi politik me zvarritjen e transferimit të pushtetit tek shumica e re e deklaruar parlamentare. Procesi i zgjedhjes së kreut të parlamentit, me këtë edhe i formimit të qeverisë është bllokuar. Ndonëse, Lidhja Social Demokrate, e cila pretendon ta formojë qeverinë, thotë se së shpejti do të zgjedhet kryetari i parlamentit dhe më pas do të formohet qeveria reformatore. Por, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE kërcënon me trazira të mbështetësve të saj në rrugë, nëse pushteti kalon në duart e socialdemokratëve.

Edhe presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov ka përsëritur të mërkuren se nuk do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë zotit Zoran Zaev për shkak të mbështetjes që Zaev i jep “Platfomës së Tiranës”, sipas presidentit maqedonas, e që e rrezikon sovrantetin dhe pavarësinë e Maqedonisë, sipas vlerësimeve të Ivanovit. Ndërkohë, një numër analistësh në Shkup vlerësojnë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk po përfshihen sa duhet në zgjidhjen e ngërçit më se dy vjeçar të Maqedonisë dhe se po presin që drejtuesit politikë ne Shkup të merren vetë me problemet e brendshme. Kjo shikohet si kriza më e vështirë politike dhe institucionale në të cilën ka rënë vendi, ndonëse zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i jepnin fund asaj. / Zëri i Amerikës/

/D.Xh/

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM