Jetë

Merxhani publikon dokumentin: Ja sa monumente kishte Gjirokastra para 47 vitesh


1 Nga 3 Foto


Nga Valeria dedaj

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve (18 prill), Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ngre sërish alarmin se dita-ditës trashëgimia e vendit tonë po degradon. Anëtarët e forumit kanë ndalur kësaj here në problemet që kanë banesat e kategorisë së dytë edhe lagjet e Gjirokastrës. Gjithashtu edhe arkitekti restaurator Kreshnik Merxhani bën publik dokumente për Planin Rregullues të vitit 1974 për qytetin muze të Gjirokastrës. Në një referat për sesonin shkencor me temën “Problemet urbanistike të qytetit muze të Gjirokastrës” përcaktohet edhe numri i monumenteve të kategorisë së dytë (rreth 550 ndërtesa) dhe kategorisë së parë (rreth 50) në këtë qytet. Numër ky që sot, sipas informacioneve të bëra publike gjatë vitit 2017, është tkurrur gjysmë për gjysmë.

Kreshnik Merxhani

Arkitekt restaurator Kreshnik Merxhani ka publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve referatin për sesonin shkencor të Gjirokastrës, (26.V.1970) me temë “Problemet urbanistike të qytetit muze të Gjirokastrës”. Bashkangjitur me dokumentet ai shkruan se: “Në këtë ditë të shënuar do e kujtojmë Gjirokastrën me 240 ose më shumë monumente të mospërfshira më në listën e monumenteve të mbrojtura. Duke shfletuar dokumentet e Planit Rregullues të vitit 1974, i nisur që prej 1968, si studim dhe i prezantuar edhe në një konferencë të mbajtur më 1970-ën enkas për problemet urbanistike të qytetit, në relacionin e planit, si dhe në kumtesat e konferencës gjejmë numrin e monumenteve (550 kategori të II) dhe rreth 50 (në fakt 57) banesa kategori e parë shtoi këtyre dhe objekte publike, fetare etj”.

Kështu, duke e parë këtë plan, sipas arkitektit, hiqet një nga një pikëpyetjet nëse dihej apo jo numri i monumenteve apo nëse kishte apo jo dokumente ligjore, që i mbronin apo hollësira të natyrës ligjore. “Në këtë plan gjithashtu flitet edhe për zgjidhjen që i është dhënë heqjes së trafikut nga pazari karakteristik dhe kjo 47 vite më parë. Sot nuk duhet të harrojmë këto dy probleme me të cilat Gjirokastra përballet, por dhe sfida shumë shumë të mëdha, si konservimi, rijetëzimi, risku etj., me të cilat qyteti përballet. Ky plan mbi të gjitha na mëson se studimet nuk duhet të flenë sirtarëve (siç po fle studimi i studios Torrezi), por duhen konsultuar gjithnjë, e ky është thelbi i trashëgimisë në fund të fundit. Gëzuar ditën e Monumenteve (uroj që vitin tjetër të flasim për 550 monumente të kategorisë së II-të në Gjirokastër)”, përfundon Merxhani.

Këtë problematik, arkitekti restaurator Merxhani e ka ndjekur qysh në muajin shkurt 2017, ku shkruante se: “Të marrësh vendime në kllapi, të heqësh nga lista e monumenteve 236 të tillë (ndoshta edhe më shumë pasi listën e Monumenteve të Kat. II-të për lagjen Cfake nuk e konfrontojmë dot) dhe mandej të dalësh e të përgënjeshtrosh, kjo as është parë e as është dëgjuar”.

Dokumenti i Planit Rregullues për Gjirokastrën i vitit 1974

Në planin rregullues krahas kujdesit për të ruajtur e pastruar qytetin muze për të ruajtur strukturën e tij dhe për të ecur simbas traditës së krijuar; ne njëkohësisht kemi futur ata elemente të rinj nëpërmjet të cilëve tingëllon e reja, rritja, zhvillimi, perspektiva e ardhshme e qytetit. Cilët janë këta elementë të rinj? Për kushtet natyrale të qytetit të Gjirokastrës rëndësi të dorës së parë ka rrjeti rrugor zhvillimi i mëtejshëm i tij në përputhje me kërkesat e reja të transportit automobilistik. Vendet e punës që deri para çlirimit ishin kryesisht në zonën e Pazarit sot janë vendosur në zonat e poshtme të qytetit, aty ku ka filluar dhe po zhvillohet me ritme të shpejta industria. Por për të mbuluar këtë distancë, shumë të madhe për një qytet të Gjirokastrës dhe që bëhet edhe më i vështirë për disnivelet e mëdha ndërmjet zonës së banimit dhe zonës industriale, punonjësve u duhet që të harxhojnë një pjesë të madhe të kohës, që është aq e vlefshme edhe që duhet përdorur, për nevoja të edukimit dhe çlodhjes së kulturuar. Për këtë qëllim në bashkëpunim me kuadrot e projektimit dhe të zbatimit të Gjirokastrës jemi përpjekur që të zhvillojmë një rrugë, unazë, e cila kalon në të gjitha lagjet, duke i lidhur ato njëra me tjetrën dhe ,e zonën industriale. Kjo rrugë, unazë ka vlera të mëdha jo vetëm për lëvizjen e qytetarëve dhe për shërbimet e tjera, por edhe si një rrugë panoramike, e cila krijon kushte më të mira për soditjen e ansambleve arkitekturale të tij. kjo rrugë do të nxjerr jashtë zonës së pazarit trafikun e sotëm automobilistik, që është aq shqetësues për rrugicat e ngushta, të kësaj zone, duke i lënë ato të qeta dhe vetëm për lëvizjen e këmbësorëve... Këtu ne kemi parasysh jo banesat që janë monumente të kulturës të kategorisë së parë të cilat përbëjnë pakicën (rreth 50 ndërtesa), por ato të kategorisë së dytën që përbëjnë shumicën (rreth 550 ndërtesa)...

Forumi i Trashëgimisë Kulturore

Rrënimet e banesave në Gjirokastër nuk kanë të sosur. Heqja nga lista e monumenteve të kulturës të kategorisë së dytë e 236 banesave në Gjirokastër (e bërë publike në Opinion në shkurt 2017), pa asnjë debat paraprak, dhe duke e fshehur pas një veprimi administrativ që e quajnë shpallje e monumenteve të kategorisë se dytë është një lajm shumë ogurzi. Në vend që të mirëmbahen dhe restaurohen banesat zgjidhet rruga e fshirjes së tyre fare nga lista. Dhe për me tepër Gjirokastrës i kanoset një rrezik i ri, i krijuar me dashje, nga njeriu, bypassi që kërkon t’i marre frymën Kalasë si një kular i shëmtuar.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM