Thellë

Trump vlerëson Kinën, Pence: Të gjitha opsionet ndaj Penianit

Temat Kryesore

  • Numri dy i Shtëpisë së Bardhë, gjatë takimi me kryeministrin Abe, tha se në tavolinë janë të gjitha mënyrat e zgjidhjes së krizës me Korenë e Veriut
Presidenti amerikan, Donald Trump përshëndeti përpjekjet e Kinës për të bërë presion ndaj Koresë së Veriut duke theksuar se si këmbim kishte hequr dorë për momentin nga kërcënimet për një luftë tregtare kundër Pekinit, në një intervistë të publikuar sot. Duke përmendur takimin e fundit me presidentin kinez, Xi Jinping në rezidencën e tij private në Florida, Donald Trump përsëriti për stacionin televiziv amerikan “Fox News” se kishte zhvilluar një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin kinez. “Pra, çfarë duhet të bëj? Të filloj një luftë tregtare kundër Kinës, ndërkohë që ajo po punon për një problem shumë delikat, me Korenë e Veriut?”, theksoi Donald Trump. “Pra, do ta trajtoj Kinën me respekt, kam një respekt të madh për të. Do të shikojmë tashmë se çfarë mund të bëjmë”, shtoi ai. Donald Trump nuk ka reshtur gjatë fushatës së akuzuari Pekini për nënvlerësimin artificialisht të monedhës së tij dhe ka kërcënuar për vendosje të taksave të rënda ndaj importeve kineze. Por ai bëri një ndryshim të kujdesshëm që prej takimit me Xi Jinping më 6 dhe 7 prill.

Pence takon kryeministrin Abe Zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence po paralajmëron se “të gjitha alternativat janë në tavolinë” në lidhje të trajtimit të situatës me Korenë e Veriut. Pence e bëri të ditur paralajmërimin të martën pas mbërritjes në Tokio për bisedime me kryeministrin Shinzo Abe dhe zyrtarë të tjerë. Ai e siguroi udhëheqë- sin japonez se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të palëkundur përkrah aleatit aziatik gjatë asaj që ai e quajti “kohë sfiduese”. “Gjatë vizitës në Korenë e Jugut bëra të ditur në emër të presidentit se epoka e durimit strategjik ka mbaruar. Ndërsa të gjitha alternativat janë në tavolinë, Presidenti Trump është i vendosur të punojë ngushtë me Japoninë, Korenë e Jugut dhe të gjithë aleatët tanë në rajon dhe Kinën për të arritur një zgjidhje paqësore që Gadishulli Korean të jetë pa armë bërthamore”, tha numri dy i Shtëpisë së Bardhë. Abe mirëpriti qasjen amerikane për të gjitha alternativat ndaj regjimit të izoluar komunist. “Padyshim, duhet kërkojmë zgjidhje paqësore të çështjes, megjithëse mendoj se dialogu për hir të dialogut është i pakuptimtë.

Është e nevojshme të ushtrojmë presion ndaj Koresë së Veriut për t’u angazhuar në dialog serioz”, tha kryeministri japonez. Vizita e Pence në Azinë Verilindore vjen në një kohë tensionesh të larta pas përpjekjeve sfiduese të Koresë së Veriut për të ndërtuar një raketë balistike me mbushje bërthamore me aftësi për të arritur në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump dislokoi një aeroplanmbajtëse me energji bërthamore në rajon si reagim mbi njoftimet se Peniani po përgatitej të kryente një provë bërthamore gjatë festimeve të ditëlindjes së ish udhëheqësit komunist Kim Il Sung. Koreja e Veriut nuk e kreu provën bërthamore që do të ishte e gjashta, por zhvilloi një paradë të madhe ushtarake të shtunën, duke treguar disa prej raketave me rreze të gjatë veprimi dhe atyre që lëshohen nga nëndetëset.

Regjimi lëshoi një raketë nga baza e nëndetëseve Sinpo të dielën, e cila shpërtheu vetëm pak sekonda pas lëshimit. Pence dy ditë më parë vizitoi Korenë e Jugut, madje ai bëri dhe një vizitë të papritur dhe në zonën kufitare ndërmjet dy Koreve, pjesa e ç’militarizuar. Ai paralajmëroi se SHBA-ve i është sosur durimi dhe se do të braktisin diplomacinë e strategjike që është ndjekur deri më tani. Por Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sërish prova bërthamore, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-ve. “Nëse Shtetet e Bashkuara do të guxojnë të zgjedhin veprimet ushtarake, Koreja e Veriut është e gatshme të reagojë me çdo mënyrë lufte që dëshiron Amerika. Situata e rëndë e krijuar rishtazi dëshmon edhe një herë se vendi ynë kishte plotë- sisht të drejtë të shtonte kapacitetet e veta luftarake, ashtu siç ka të drejtë të mbështetet tek forca nukleare si boshti i mbrojtjes së tij në rastin e një sulmi nga jashtë”, tha Kim In Ryong, zv/ambasador i Koresë së Veriut në OKB.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM