Thellë

Vdekje misterioze e fëmijës, babai dyshon te mjekimin i pakujdesshëm


1 Nga 2 Foto


Nga Llambi Kallço

Një foshnjë ka humbur jetën në rrethana misterioze. Ngjarja e dhimbshme ka ndodhur në Durrës, ku vogëlushja 15-muajshe ka vdekur në orët e para të ditës së martë. Vajza ishte vizituar 3 ditë më parë në Pediatrinë e Spitalit Civil të Durrësit, ku pasi i është dhënë mjekimi dhe receta me ilaçe nuk është shtruar në spital, por i është rekomanduara mjekimi në kushte shtëpie. Gjatë orëve të natës së ditës së hënë gjendja e vajzës është rënduar, duke pasur vështirësi të theksuara në frymëmarrje. Rreth orës 01.00 të ditës së martë zemra e foshnjës ka ndalur përgjithmonë. Nisur nga këto rrethana babai i vajzës, Kujdes Aga, ka hedhur dyshime të forta dhe ka akuzuar mjekët e repartit të Pediatrisë për mjekim të pakujdesshëm. Babai i vajzës ka deklaruar se “para 3 ditësh vajzën e çuam në spital, sepse kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk kishte temperaturë. Në Pediatri i dhanë një mjekimin përkatës dhe një recetë me ilaçe.

Nuk na thanë që ta shtrojmë vajzën në spital. Morëm ilaçet dhe e çuam vajzën në shtëpi”, Kjo është deklarata e babait të vogëlushes, i cili ka akuzuar mjekët e pediatrisë për faktin se për shkak të gjendjes së rëndë, duhej që ta shtronin vajzën në spital dhe ta mbanin në kontroll. Më tej ai thekson se “ia kemi bërë mjekimin siç na tha mjekja, ajo duhej ta kishte shtruar vajzën në spital, sepse ne ia thamë shqetësimet”. Ka qenë ëma që ka gjetur foshnjën e pajetë e menjëherë kanë thirru Urgjencën mjekësore. Nisur nga këto dyshime babai i vajzës ka pritur me orë të tëra te dera e Morgut rezultatet e autopsisë. Ai ka kërkuar që të vendoset drejtësi për të bijën, e cila, sipas tij, sot do të ishte gjallë, nëse do të ishte shtruar në spital dhe në orët e vështira të sëmundjes do të kish qenë në kujdesin e mjekëve. Vogëlushja 15-muajshe që vdiq ishte vajza e katërt e familjes Aga. Ata kanë dhe 3 vajza të tjera më të rritura. Ndërkohë në lidhje me këtë rast dhe me dyshimet e babait të vogëlushes së vdekur ka reaguar dhe Spitali Rajonal i Durrësit. Shefi i pediatrisë së këtij Spitali, Fatmir Shahini deklaroi se vogëlushja nuk mund të vdiste vetëm nga problemet me virozën e stinës. Sipas tij, shkaku do të zbulohet nga mjekësia ligjore e cila ka marrë analizat e autopsisë, duke shtuar se i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore atë natë.

Duke ju referuar procedurës mjekësore mjeku ka sqaruar se: “Vajza është paraqitur më 14 prill në orën 23:00 të mbrëmjes, me probleme në rrugët e frymë- marrjes. Mjekimi është bërë me ilaçin Aerosol për zhbllokimin e frymëmarrjes nga sekrecionet. Gjendja shëndetësore nuk ka qenë e rëndë, por brenda parametrave. Shkaku i vdekjes mund të jetë: vdekje e papritur që ndodh te fëmijët, apo një bllokim i aparatit respirator të frymëmarrjes, si rezultat i bllokimit nga sekrecionet. Prindërit duhet ta çonin fëmijën te mjeku i familjes për çdo problem që mund t’i shfaqej”,- tha shefi i repartit të Pediatrisë. Ndërkohë në lidhje me këtë rast ka reaguar dhe Drejtoria e Policisë së Durrësit e cila ka bërë të ditur se më datë 18.04.2017, ora 02:30 ,në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës, ka shkuar pa shenja jete (shoqëruar nga prindërit) fëmija e seksit femër, me iniciale N.A, 15-muajshe, banuese në Fllakë, Durrës. Për të kryer ekspertizën në spitalin e Durrësit ka shkuar edhe një mjek nga Tirana, ndërsa policia ka marrë të gjithë kartelën e foshnjës, për të hetuar në lidhje me këtë rast. Policia e shtetit në lidhje me këtë ngjarje të rëndë bën të ditur se “Më datë 18.04.2017, ora 02:30 ,në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës, ka shkuar pa shenja jete (shoqëruar nga prindërit) fëmija e seksit femër, me iniciale N.A. 15-muajshe, banuese në Fllakë, Durrës. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 4 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM