Thellë

Laboratori i drogës në Shkozë, kanabisi transportohej me ambulancë

Temat Kryesore

  • Gjykata e Tiranës liroi dje 9 nga 10 personat e arrestuar për laboratorin e drogës në Shkozë. Në qeli u la shtetasi Gerald Bilimani, administratori i laboratorit, ndërsa është lënë i lirë pronari i tunelit ku u gjet droga
Nga Xhentila Gjoshi

Nga dhjetë të arrestuarit për laboratorin e drogës në Shkozë, vetëm një prej tyre është lënë në masë sigurimi “arrest me burg”. Ndërsa nëntë të tjerët lanë qelitë e burgut, pasi rezultoi se nuk kishin lidhje me kultivimin e lëndës narkotike. Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë caktoi masën e sigurisë për 10 të arrestuarit, e dyshuar për përfshirjen në kultivimin e lëndëve narkotike brenda tunelit të ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë. Gjyqtari Artan Lazaj, vendosi që në masë sigurie “arrest me burg” të qëndrojë vetëm 59-vjeçari Gerald Bilimani. Sipas Prokurorisë, Bilimani është i dyshuari i vetëm për laboratorin e kultivimit të hashashit në Shkozë. Ndërkohë, në vendimin përfundimtar, gjykata është shprehur se Bilimani është personi që ka marrë me qira ambientet e tunelit në ish-Uzinën e Traktorëve, ku u gjetën pajisje për kultivimin e hashashit në ambientet të mbyllura. 59-vjeçari nuk ka treguar për aktivitetin e tij të paligjshëm, që për prokurorinë, së bashku me punëtorë të tjerë, të cilët i paguante me shuma të ndryshme, kultivonte prej vitesh hashash. Më tej, në kërkesën për caktim masë sigurie, Prokuroria u shpreh se transportin e hashashit nga tuneli drejt ambienteve të tjera, Bilimani e kryente me ambulancën e spitalit ku ishte punësuar si shofer. Burimet thonë se hetuesit po punojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e Gerald Bilimanit në kultivimin e hashashit brenda tunelit në Shkozë.

Të liruarit

Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj dy rojeve të shoqërisë private Arjan Kara dhe Ramazan Losha, të cilët ishin punësuar për ruajtjen e ambienteve të dy tuneleve që ndodheshin në atë zonë. Po ashtu, me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi lirimin nga qelia të 7 të dyshuarve të tjerë, të cilëve iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Sipas prokurorisë, nuk është gjetur asnjë provë që 7 të dyshuarit e liruar, kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të hashashit. Për hetuesit, pronari i tunelit Hazmi Pardhoku, prej tre vitesh e kishte dhënë me qira ambientet brenda tunelit dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm që kryhej. Edhe i dyshuari Gjergj Duro dhe i biri i tij Kristi Duro, u liruan pasi nuk kishin lidhje me tunelin ku ishte ngritur laboratori i drogës. Nga gjykata u lirua edhe faturisti i OSHEE-së, Robert Minoni, me arsyetimin se nuk kishte dijeni për ngritjen e aktivitetit të tillë, pasi ai lexonte vetëm për energjinë që ishte konsumuar. Edhe personat e tjerë që u liruan, sipas akuzës, nuk kanë lidhje me laboratorin e drogës. Në këtë mënyrë, gjykata nuk i ka cilësuar të ligjshme arrestimet e policisë për zbulimin e laboratorit. Ndërkaq, prokuroria tha se në tunel, u gjetën disa pajisje që kultivonin lëndë narkotike, 46 kilogramë hashash, 1375 kubikë me kanabis-sativa dhe 205 rrënjë hashashi.

Operacioni

Operacioni i zbulimit të laboratorit të drogës u zbulua më datë 14 prill. Tuneli ndodhej vetëm disa metra larg zonës së banuar. Në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë ku u zbulua edhe laboratori i drogës, mësohet se ishin katër tunele, ndërsa vetëm në njërin prej tyre kultivohej drogë dhe tre të tjerët ishin bosh. Ditën kur policia zbuloi laboratorin, numri i të shoqëruarve ishte i shumtë dhe ata ishin banorë të zonës, të cilët kishin banesat vetëm pak metra larg tunelit ku u gjet laboratori i drogës. Në operacionin e datës 14 morën pjesë rreth 300 forca policie, FNSH dhe Drejtoria Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës. Fillimisht, policia njoftoi arrestimin e shtetasit Hazbi Pardhokut, i cili kishte pronësinë e tunelit ku u zbulua se kultivohej lëndë narkotike. Sipas policisë, pronari që u lirua dje me urdhër të Gjykatës, e kamuflonte ambientin si fabrikë të plastikës. Por, nga verifikimet e kryera nga Prokuroria, ka rezultuar se nuk ka qenë Pardhoku që kultivonte lëndë narkotike. Madje, ka rezultuar se ai nuk kishte asnjë dije rreth aktivitetit që kryhej në tunel, pasi kishte tre vite që e kishte dhënë me qira. Në brendësi të tunelit janë gjetur edhe qindra kubikë me fara kanabisi, të cilat sapo ishin mbjellë, si dhe bimë kanabisi në proces tharjeje. Policia e Tiranës bëri të ditur se nëpërmjet llambave bëhej prodhimi i kanabisit në çdo periudhë të vitit.

Aksioni

Tashmë Policia e Shtetit ka nisur një aksion të gjerë, për asgjësimin e gjithë lëndës narkotike të kultivuar në vend. Madje, kultivimi i lëndës narkotike në zona të caktuar, u ka kushtuar vendin e punës edhe shumë punonjësve të policisë. Brenda dy javëve janë shkarkuar 15 efektivë të Policisë për shkelje të rënda disiplinore në 3 drejtori të qarqeve. E para që mori ndëshkime, ishte Lezha ku pas gjetjes së një parcele me 513 fidanë kanabis-sativa më 1 prill u shkarkuan 6 efektivë të komisariatit të Kurbinit dhe Lezhës. Më 7 prill në fshatin Rrenc në Shkodër në një minierë, u gjendën 87 kubikë kanabis sativa e për këtë u fillua ecuria disiplinore për 5 efektivë. Po në të njëjtën datë, në Përmet zbulohet një magazinë brenda së cilës kishte më shumë se 11 ton kanabis sativa. Sasi kjo që i kushtoi vendi e punës 6 efektivëve. Më 11 prill, Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi një laborator droge në Skrapar. Në laborator ndodheshin 6 tonë drogë dhe 2 mijë fidanë. Për këtë rast u larguan nga detyra tre efektivë policie, për shkelje të rënda. Pasi kanë favorizuar kultivimin e kanabisit.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 8 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM