Thellë

Udhëzimi, tre arsye pse banesat nuk legalizohen

Temat Kryesore

  • Pas hartimit dhe miratimit të planeve vendore, hyn në fuqi udhëzimi që specifikon banesat që legalizohen ose jo. Si do të veprohet për lejet e ndërtimit dhe investimet për ndërtim në tokat bujqësore
Nga Neritan Gjergo

Bashkitë që kanë të miratuar planin urbanistik, falë udhë zimit të ri që ka hyrë në fuqi dje, duhet t’ia vënë atë në dispozicion ALUIZNI-t dhe ky i fundit nuk mund të kryejë legalizimin e asnjë ndërtimi që bie ndesh me planin urbanistik. Udhëzimi përcakton qartë ndërtimet që nuk do të mund të legalizohen. Konkretisht, bëhet fjalë për ato që preken nga zbatimi i një projekti të infrastrukturës rrugore ose të linjave të energjetike të interkonjuksionit. Po ashtu, nuk legalizohen as ato ndërtime të ngritura në breg të liqenit, detit ose lumit, brenda distancës që përcakton dokumenti i planifikimit të territorit. Përjashtohen edhe ato ndërtime, kur autoriteti vendor apo institucioni shtetëror kompetent, për zbatimin e një projekti paraqesin kërkesë me argumente te ALUIZNI. Gjithashtu, është e domosdoshme, që për të gjithë ata që kërkojnë të marrin leje ndërtimi apo të investojnë për ndërtim në tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll apo kullotë, të njihen me rregulloren e re të “imponuar” edhe nga Planet e Përgjithshme Vendore, të miratuara nw 43 bashki deri më tani.

Bashkitë

Udhëzimi që mban firmën e ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ka të detajuara të gjitha procedurat që duhet të ndjekin bashkitë dhe ALUIZNI. Në një pikë të veçantë të tij është përcaktuar edhe përdorimi i dokumenteve të Planeve të Përgjithshme Vendore nga ALUIZNI për qëllime të legalizimit. “Bashkitë i dorëzojnë ALUIZNI-t dokumentacionin e Planit të Përgjithshëm Vendor në formë elektronike. ALUIZNI merr parasysh për efekt legalizimi këtë dokumentacion, vetëm për aq sa përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 280, datë 1.4.2015, ‘Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartë- si, në ndërtime me leje’, i ndryshuar. Për rastet sipas kësaj pike, ALUIZNI përdor njëkohësisht dokumentacionin tekst të PPV-së, hartat përkatëse tematike, seksionet e propozuara të sistemit rrugor dhe materialin në GIS”, thuhet në pikën 12 të udhëzimit të ministres.

Rregullorja

Sipas udhëzimit, bashkia njofton zyrtarisht ALUIZNI-n për projektet ose studimet e miratuara për këto territore. Në rastet kur bashkitë nuk e kanë përgatitur këtë dokumentacion, ALUIZNI i merr vendimet mbi bazën e procesit të bashkërendimit institucional, përfshirë bashkërendimin me Ministrinë e Zhvillimit Urban. “Dokumentet e planifikimit dhe lejet e miratuara më parë: Për lejet e ndërtimit, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, përcaktuar në formularin e lejes përkatëse, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit dhe vetëm një herë, me kushtin që të mos kenë kaluar më shumë se 10 vjet nga data e miratimit të lejes së ndërtimit dhe subjekti të ketë paguar, paraprakisht, penalitetet e parashikuara nga neni 52”, thuhet në udhëzim.

Në rast se, gjatë monitorimit periodik të zhvillimeve në territor, përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, konstaton: a) leje ndërtimi të lëshuara nga bashkitë në zonat e rëndësisë kombëtare apo për tipologjitë e përcaktuara në nenin 19 të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015, ose b) leje ndërtimi të lëshuara në kategori të resurseve tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll ose kullotë, jashtë zonave të ndërtueshme të parashikuara nga Plani i Përgjithshëm Vendor, ose c) leje ndërtimi të lëshuara në kundërshtim me kushtet zhvillimore të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor, Ministria e Zhvillimit Urban i kërkon bashkisë përkatëse anulimin/shfuqizimin e lejes së lëshuar në shkelje të ligjit, në përputhje me dispozitat dhe afatet e Kodit të Procedurës Administrative. Njëkohësisht, i kërkon inspektoratit të mbrojtjes së territorit të marrë masat administrative dhe nismat përkatëse ndaj shkelësve të ligjit, në zbatim të nenit 52 të ligjit 107/2014, datë 30.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, dhe legjislacionit për inspektimin e ndërtimit.

Objekte në zona të veçanta

Lejet e ndërtimit në zonat e përcaktuara si të Rëndësisë Kombëtare miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në përputhje me përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe Planet e Detajuara për Zonat me Rëndë- si Kombëtare. Bashkitë që kanë miratuar Planin e Përgjithshëm Vendor mund t’i kërkojnë ministrit përgjegjës ose AKPT-së marrjen e nismës për hartimin e planit të detajuar për një zonë të rëndësisë kombëtare në territorin administrativ përkatës, në përputhje me strategjinë e zhvillimit të parashikuar për këto zona nga dokumentet kombëtare të planifikimit. Deri në miratimin e planeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit, AKPT bashkërendon punën me ministritë dhe institucionet përgjegjëse , sipas fushës së kompetencës për përcaktimin e përdorimeve dhe punimeve të përputhshme me statusin e Zonës së Rëndësisë Kombëtare për objektet ekzistuese në këto zona. Në rastin e marrjes së një kërkese për leje ndërtimi në një Zonë të Rëndësisë Kombëtare, apo për një nga çështjet apo objektet e parashikuara nga neni 28 i ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, bashkia ia përcjell këtë kërkesë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, si Sekretariat Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit, brenda 5 ditëve nga marrja e saj përmes sistemit elektronik të lejeve.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

1 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM