Politikë

PS dhe LSI letër KQZ-së: Të shtyhet afati për regjistrimin e koalicioneve (FOTO)


1 Nga 2 Foto


Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i kërkojnë shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve.

Kërkesa vjen në një ditë kur skadon afati ligjor për regjistrimin e  koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Kodi Zgjedhor përcakton afatin 60 ditor para datës së zgjedhjeve për regjistrimin e koalicioneve.

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Luan Rama, e bëri të qartë dje se nuk do të rikonfirmojë koalicionin me PS-në pas qartësuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Letra

I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë të KQZ,
Me anë të këtij komunikimi, në respekt të neneve 64 dhe 65 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 (i ndryshuar) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i cili rregullon përkatësisht në lidhje me regjistrimin e partive politike në zgjedhje si dhe në lidhje me regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, duke parashikuar si afat përkatësisht periudhën kohore “jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve” dhe “jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve” dhe, duke pasur parasysh që afati në lidhje me regjistrimin e koalicioneve zgjedhore përmbushet në datë 19.04.2017, në mbështetje të neneve 41 e vijues të Kodit të Procedurave Administrative, ju drejtohemi me këtë kërkesë.

Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18.06.2017. Në këtë kontekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e, aq me pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në
zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe te regjistrimit te koalicioneve zgjedhore (neni 65 i
Kodit Zgjedhor).

Në gjykimin tonë, tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, në ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës.
Duke ju falënderuar paraprakisht,
Partia Socialiste
Kryetar i Grupit Parlamentar,
Lëvizja Socialiste

 

/E.SH/

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM