Thellë

LSI dhe PDIU mbajnë pezull PS për koalicionin

Temat Kryesore

  • Rama takim me Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin. Koalicioni i majtë i pazyrtarizuar, diskutohet shtyrja e procedurave ligjore për zgjedhjet e 18 qershorit
Nga Erneta Shevroja

Aleatët e Edi Ramës nuk kanë vendosur ende për t’u futur në zgjedhje në koalicion me Partinë Socialiste, pa zgjid hur krizën e thellë politike. Sot është afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve por, në vend të zgjidhjes, amullia është shtuar edhe më shumë. Mesa duket çdo vendimmarrje është lënë për minutën e fundit, ndërsa kanë nisur diskutimet e alternativës së shtyrjes së datës për regjistrimin e koalicioneve për një afat të mëvonshëme. Faktor ky që duket se do të çojë dhe drejt shtyrjes së datës së zgjedhjeve parlamentare, të përcaktuar për tu zhvilluar më 18 qershor. Kjo kohë pritet të shfrytëzohet për të bindur opozitën për t’i dhënë fund protestës dhe futjen e saj në zgjedhje. Dje kreu i PS-së po ashtu ka zhvilluar takime të ndara me dy aleatët e tij, Ilir Meta i LSI-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIUsë. Kreu i PDIU-së nuk u prononcua dje lidhur me vijimin e koalicionit, ndërsa burime pranë PDIU-së kanë bërë të ditur se në takim me kreun e PS-së Idrizi ka folur për shtyrjen e datës së regjistrimit të koalicioneve. Zyrtarisht Idrizi ka kërkuar zgjidhjen e situatës së krizës përmes dialogut, duke parashtruar edhe pikat për diskutim që do të sillnin një tjetër standard të zgjedhjeve. Ndërsa qëndrimin e LSI-së e shprehu nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama në një konferencë për mediat.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se qytetarët në 18 Qershor duhet të zgjedhin dhe jo të votojnë, duke e renditur opozitën si palë e domosdoshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Për koalicionin ai tha se vendimi do të merret në momentin e duhur, që referuar afateve ligjore, është dita e sotme. Kreu i PSsë, Edi Rama është shprehur i bindur për të shkuar në zgjedhje qoftë edhe vetëm, pa aleatët. Por këtë bindje nuk e kanë dy aleatët e tij. Edhe pse data ligjore e regjistrimit të koalicioneve është sot, duket se LSI dhe PDIU u bëjnë presion Ramës për të dialoguar me Bashën për të futur opozitën në zgjedhje. Qëndrimi i LSI-së Luan Rama, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së tha dje në një konferencë për mediat se, vendimi për koalicionin me PS-në do të merret në momentin e duhur. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ky moment është disa e sotme, duke qenë se është afati i fundit ligjor për paraqitjen e dokumenteve për koalicionet në KQZ. Në përgjigje të interesimit të medias, nënkryetari i LSI-së, tha se përpara partive më të rëndësishme janë zgjedhjet.

Ai tha se politika duhet t’i largohet marrëzisë dhe të t’i jepet fund sagës së zgjedhjeve problematike. “Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka maxhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si maxhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndë- sishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje”, theksoi Luan Rama, duke shtuar se, “ajo çfarë duhet të bëjë politika në këto raste është t’i largohemi marrëzisë dhe t’i thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë. Përgjegjësisë për të realizuar zgjedhje, edhe një herë e përsëris, sipas standardeve, zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, zgjedhje ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë”. Sipas tij, veç prioritetit të zgjedhjeve, “të gjitha të tjerat pastaj në kohën e duhur, do t’ua bëjmë të njohura me shumë seriozitet dhe më shumë transparencë gjithashtu”.

KQZ, sot afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve

Numërimi i orëve mbrapsht ka nisur për fatin e zgjedhjeve. Sonte në orën 00:00 është afati i fundit ligjor për dorëzimin e dokumenteve për koalicionet. Tre partitë kryesore të koalicionit të majtë nuk kanë dorëzuar dokumentet për vijimin e koalicionit PS-LSI-PDIU. Ndërsa partitë e koalicionit opozitar nuk janë regjistruar as si parti brenda afatit ligjor që ishte 10 prill. Kodi Zgjedhor parashikon nga ana tjetër që sot është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve dhe një gjë e tillë është e konfirmuar edhe në tabelën e veprimeve të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, të parashikuara të mbahen në datën 18 qershor. Në një prononcim për “Shekullin” zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj konfirmoi faktin se data e fundit e regjistrimit të koalicioneve është data e sotme, pra 19 prill. “Neni 65 pika 1 e Kodit Zgjedhor përcakton se, "dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhor e në KQZ, sipas nenit 64, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo me vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve". Afati fundit për regjistrimin e koalicioneve është data 19 prill”, u prononcua zëdhë- nësja e KQZ-së. Sot KQZ-ja do të zhvillojë një mbledhje por pika e regjistrimit të koalicioneve nuk është parashikuar për diskutim.

Ndërkaq, nga koalicioni i majtë vetëm kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur bindjen se do të shkojë në zgjedhje, qoftë edhe nëse me të nuk bashkohen aleatët. Për këtë Rama përmend argumentin e respektimit të Kushtetutës. Dy aleatët më të mëdhenj të Ramës, LSI dhe PDIU nga ana tjetër kanë kërkuar zgjidhjen e situatës aktuale dhe dhënie garanci opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këto kushte kur pozicionimet janë të kahe të ndryshme, është ende e paqartë mbi vendimmarrjet e partive së pari për t’u reshtur në koalicionet dhe nga ana tjetër fati i zgjedhjeve. Nëse ditën e sotme partitë nuk do të shprehen për pozicionimet në koalicione, mund të ndodh që shtyrje të datës së zgjedhjeve. Ky skenarë nuk duket aspak i pamundur duke parë qëndrimet e ndryshme që kanë qoftë partitë e koalicionit të majtë, ashtu edhe të djathtë. Opozita e ka shprehur qartë kërkesën se nuk do të futet në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa krijimin e një qeverie teknike.

Tabela e afateve për zgjedhjet në 18 qershor

Jo më vonë se data 19 prill, akt për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ Jo më vonë se 5 prill, regjistrimi i listave shumemërore Jo më vonë se 8 maj për caktimin e vendit të numërimit të votave në çdo KZAZ Jo më vonë se data 9 maj vendim për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen Jo më vonë se data 10 maj akt për shpërndarjen e fondeve publike subjekteve zgjedhore Jo më vonë se data 8 qershor akt për akreditimin e vëzhguesve vendas jo më vonë se data 14 qershor akt për akreditimin e vëzhguesve të huaj.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

8 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM