Kulturë

Në Greqi është e para, bodigardja shqiptare me një histori suksesi


1 Nga 3 Foto


Nga Valeria Dedaj

Dëshira për t’u bërë bodigarde i ka lindur shumë natyrshëm. Kishte mbaruar gjimnazin, kur i ra në duar një revistë që informonte për një shkollë private që përgatiste trupoja. Ishte hera e parë, që një femër telefononte në këtë numër! E megjithatë, pavarësisht stepjes së stafit të shkollës, Denida Zinxhiria, nuk ndali së ndjekuri dëshirën e saj. Vajza me origjinë shqiptare rrëfen në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrugëtimin që ka bërë, pasi ndoqi shkollën e parë për truprojë në Athinë (2012) me Grupin e Mbrojtjes së VIP-ave, deri më sot. Fillimisht nisi të punonte si roje sigurimi dhe paralelisht studionte Psikologji dhe Teknikë Dentare. Por, edhe pse tashmë kanë kaluar 15 vjet, nga dita që Denida është pjesë e industrisë së sigurimit, edhe pse ka udhëtuar rreth e përqark botës, prindërit e saj nuk e kanë kuptuar akoma arsyen se, përse ajo e do këtë punë, kur mund të bënte çdo gjë tjetër.

Denida, s lindi dëshira për t'u bërë bodigarde?

Më pyesin shpesh rreth kësaj çështjeje, dhe të jem e sinqertë ende nuk kam një përgjigje, pasi vendimi për t’u bërë truprojë lindi shumë natyrshëm. Kam praktikuar artet marciale që prej moshës 16-vjeçare, asokohe kisha përfunduar shkollën e mesme dhe punoja si kameriere. Një ditë ne nuk kishim shumë punë, kështu unë po shfletoja një revistë kur vërejta një lajmërim ku shkruhej rreth një shkolle që përgatiste truproja. Mora telefonin dhe formova numrin, i pyeta nëse pranoheshin femra në shkollën e tyre. E kuptova se mbetën disi të stepur pasi nuk u kishte telefonuar asnjë femër më parë. Përgjigja e tyre ishte se ata pranonin femra përsa kohë ato do të ishin në gjendje të përballonin stërvitjen e rëndë, dhe kjo ishte e gjitha. Aplikova si dhe ndoqa shkollën e parë për truprojë në Athinë gjatë vitit 2012 me Grupin e Mbrojtjes së VIP-ave, një nga shkollat për truprojë më me emër në Greqi.

Vjen nga një familje intelektualësh, si e pritën ata zgjedhjen tënde?

Ndërkohë që unë vazhdoja trajnimin, prindërit e mi nuk ishin aspak në dijeni. Ata e vërenin mungesën time gjatë orëve të tëra, si dhe kur kthehesha në shtëpi isha shumë e lodhur me trupin plot shenja prej stërvitjes së vështirë. U thosha se po luaja volejboll me një skuadër. Nuk kishte as edhe një shans në botë që prindërit e mi të mund të kuptonin apo të pranonin faktin se vajza e tyre po frekuenton një shkollë për truproja. Edhe për femrat truprojë greke ishte diçka e pazakontë. U kam treguar më vonë se isha femra e parë e diplomuar nga sektori privat. Pasi u diplomova u tregova atyre certifikatën, si dhe video nga trajnimet që kisha kryer. Ata fillimisht mbetën pa fjalë, dhe nuk e pritën fort mirë, nuk ishte ky profesioni që donin për vajzën e tyre. E megjithatë unë nuk e ndala formimin tim profesional në këtë sektor. Ndërsa, punoja si roje sigurimi në fillim, paralelisht studioja Psikologji (me bursë nga Universiteti i Teeside-s, nga Britania e Madhe) dhe si një Teknike Dentare. Edhe pse tashmë unë kam 15 vjet në industrinë e sigurimit, si dhe kam udhëtuar rreth e përqark botës, duke punuar me klientë të rëndësishëm, prindërit e mi ende nuk arrijnë ta kuptojnë arsyen pse unë e dua këtë punë ndërkohë që mund të bëja çdo gjë tjetër.

Ka pak kohë që 8 Marsin e kemi lënë pas, ndërkohë që ka pasur shumë fjalime dhe diskutime rreth çështjes së feminizmit, kemi përballë një femër, që mund të vendos jetën e saj në rrezik për të mbrojtur dikë tjetër. Një femër që mund të themi se, mund të bëjë çdo gjë, mos më shumë se sa mund të bëjë një mashkull, duke thyer dogmat? Si ndiheni ju në lidhje me këtë?

Gratë mund të arrijnë çdo gjë që dëshirojnë nëse punojnë me përkushtim dhe inteligjencë. Industria e sigurisë është e shumë e dominuar nga meshkujt. Duhet shumë përpjekje dhe punë e fortë për të ndërtuar rrugën tënde dhe të bësh një emër në këtë fushë. Në kemi oficere policie, gra që punojnë në ushtri, pse të mos kemi edhe gra që mbrojnë klientë atëherë? Unë u them gjithmonë njerëzve se unë jam në gjendje të mbroj veten time se edhe të mbroj ty gjithashtu. I kam të gjitha aftësitë e duhura pas vitesh të tëra stërvitjesh, pune dhe eksperience. Gratë truproja janë shumë të kërkuara për momentin, madje në shumë raste ato paguhen shumë herë më shumë sesa shumica e kolegëve të tyre. Gratë truproja sot kërkohen për të mbrojtur gruan apo fëmijën e një klienti. Disa praktikuese të reja femra mua më konsiderojnë si një mentore edhe pse unë nuk e shikoj veten si të tillë. Jam ende duke mësuar nga kolegë të tjerë në këtë biznes, e megjithatë unë u them atyre se nëse unë ia dola mbanë, atëherë mund t’ bëni edhe ju. Për këtë duhet shumë punë, edukim dhe vullnet.

Jeni gjithashtu themeluese e “Athena Academy internacional female security tranining”, përse vendosët që të krijonit pikërisht një sipërmarrje të tillë, që ka të bëjë përpos të tjerave, me vetëbesimin, vetëmbrojtjen dhe sigurinë e grave?

Unë jam pronarja e “Athena Worldwide LLC”, e cila gjendet si dhe është e regjistruar në Shtetin e Texas-it ( zonën Dallas). Kjo kompani aktualisht ka zyrat e saj në Turqi, Britani, Danimarkë dhe Australi. “Athena Worldwide LLC” është një kompani që ofron shërbime konsulence. Ne mund të punësojmë dhe t’u ofrojmë punë femrave truproja në çdo vend të botës ku një klient ka nevojë për to. Ne kemi gjithashtu “Athena Academy” që është departamenti i stërvitjes. Si femra në këtë biznes ne punojmë në pozicione të caktuara sigurie apo në grup. Kështu “Athena Academy” jo vetëm që trajnon femra truproja, duke u dhënë atyre të gjitha njohuritë e nevojshme rreth të qenit truproja, por ne bëjmë të mundur që këto njohuri të zënë vend duke i punësuar këto truproja femra në pozicione të caktuara. Kompania jonë funksionon gjithashtu si një organizatë konsultimi për punësimin e grave.

Termi Nannyguards (ShBA) në Shqipëri është shumë pak i njohur. Edhe kjo nëndegë e “Athena Academy internacional fekale security tranining” (Athinë). Por,  ku është ndryshimi i nannyguards nga një bodigarde e zakonshëm?

Termi “Nannyguards” është krijuar nga unë dhe është copyright i kompanisë sime. Kam bashkuar dy fjalët Nanny + guard (dado + roje), për të përshkruar një profesion të ri të një dadoje që është gjithashtu e trajnuar për të siguruar mbrojtjen e fëmijës duke funksionuar, edhe si truprojë e tij. Nga eksperienca ime e të punuarit me familje të ngritura dhe fëmijët e tyre unë kam vërejtur se dadot nuk kanë asnjë ide lidhur me sigurinë. Shumicën e herëve ato nuk kanë ditur se si të bashkëpunojnë me skuadrën e sigurisë së familjes dhe në disa raste kanë bërë gabime të mëdha që mund të ndikonin negativisht në sigurinë e fëmijëve. Ndaj edhe mua më lindi ideja për të krijuar një program trajnimi ( dhe më vonë të ofroja një shërbim të tillë), që mund të trajnonte dadot rreth sigurisë dhe temave të tjera që lidhen me të.

Çfarë mesazhi keni për t'u dhënë femrave?

Atyre femrave, të cilat kanë dëshirë të vazhdojnë këtë profesion mund t’iu them se nuk është e nevojshme të keni një background policor apo ushtarak, si dhe ju nuk keni nevojë për shumë lekë për t’u trajnuar. Mjafton që ju të keni dëshirën e madhe që t’ju shtyjë të bëni përpara. Gjuha angleze është e domosdoshme veçanërisht për ato gra që dëshirojnë të operojnë në mënyrë ndërkombëtare. Unë kam pasur fatin të punoj në vende të ndryshme rreth e përqark globit me kontrata që paguajnë nga 6000 në 9000 dollarë në muaj. Momentalisht ka shumë kërkesa për truproja femra dhe është e vështirë të gjesh profesioniste për të përmbushur këto nevoja. Janë të pakta gratë që janë të gatshme të jenë në këtë profesion.

A ka pasur momente të vështira gjatë karrierës suaj? Apo momente që mund të keni rrezikuar edhe jetën ?

Sigurisht, ky nuk është një profesion për njerëz me zemër të dobët. Mund të gjendesh në vende ku shikon njerëz të uritur që lypin ushqim dhe ujë ndërsa ti je i izoluar në një makinë luksi duke mbrojtur klientin tënd. Ti shkon në vende ku të pish ujë apo të hash fruta nuk është aspak e sigurt, në vende që duhet të vaksinohesh përpara se të shkosh. Duhet të mësohesh dhe të jetosh në të njëjtin kompleks me kolegët e t’u, të ndash të njëjtin apartament me kolegë meshkuj. Të jesh 24 orë në gatishmëri të klientit. Të punosh 12 deri në 16 orë në ditë, duke ngrënë në këmbë apo duke fjetur shumicën e kohës i veshur për shkak se nuk e di asnjëherë se kur mund të të thërrasin për të dalë në rrugë apo për të lëvizur. Ka pasur kontrata ku edhe jam sëmurë për një apo dy javë për shkak se organizmi im nuk e pranonte ushqimin e tyre lokal, apo për shkak të ndryshimeve të mëdha mjedisore.

“Si profesionistë duhet të qëndrojmë larg nga opinionet që përfshijnë politikën apo fenë”

Çfarë raporti keni me njerëzit që ruani dhe trajnoni?

Në punën tonë përdoret një shprehje që thotë se nuk mund të jesh mik me personin që firmos chek-un tuaj. Megjithatë ju duhet të keni parasysh se do të kaloni një kohë të gjatë me klientin tuaj. Do të jeni i pranishëm gjatë disa nga momentet e tyre më të bukura apo më të dhimbshme. Do t’i shikoni ata të lumtur, të trishtuar, të zemëruar, të pirë apo edhe të droguar. Ti nuk mund të jesh mikja e tyre, pasi nëse diçka e tillë do të ndodhte atëherë ata nuk do të shikojnë më si një profesioniste. Por ti nuk mund të jesh 100 për qind strikte dhe serioze gjatë gjithë kohës, pasi ata nuk do të ndiheshin rehat nga prezenca juaj. Kështu që unë u them përherë studenteve të mia të vlerësojnë gjithmonë sjelljen e tyre me klientin. Të mbajnë një pozicion të mesëm dhe të përshtaten sa herë u duhet të bien dakord me klientin. Jo të gjithë janë njësoj dhe jo të gjithë e pranojnë të njëjtën sjellje.

Sa i rëndësishëm është arsimimi për dikë që dëshiron të ndjekë këtë profesion? Po studimet në psikologji, si ju kanë ndihmuar në këtë drejtim?

Ky është një profesion që kërkon formim të vazhdueshëm profesional. Unë trajnimin e parë për truprojë e kreva në vitin 2002 në një kompani greke dhe më pas frekuentova një shkollë tjetër izraleliane në vitin 2009. Në 2010-ën ndoqa një shkollë amerikane, ndërsa më vonë në 2016-ën kreva një trajnim në një kompani Britanike. Edhe pse unë jam në këtë profesion prej shumë vitesh ende nuk resht së mësuari rreth tij. Ne duhet të dimë edhe se si punojnë me profesionistë të tjerë dhe të njohim metodologjinë që ata përdorin. Formimi profesional nuk përfundon as me një apo 10 trajnime. Duhet të ndiqni kurse të ndryshme trajnimi, kurse për armët e zjarrit, kundër-terrorizmit, kurse për vlerësimin e kërcënimeve, për sigurinë kibernetike etj. Ky profesion kërkon shumë specializime. Studimet e mia në psikologji më kanë ndihmuar shumë. Unë tashmë e di se si t’i bëj fëmijët që janë nën kujdesin tim të ndihen rehat dhe të ndjekin udhëzimet e mia. Më kanë ndihmuar gjithashtu për të ndërvepruar me klientët. Nuk është e lehtë të mbrosh dikë që kërcënohet, ndërkohë që është i rrethuar me njerëz ngado që shkon.

Përveçse stërvitjes që ua imponon profesioni. Çfarë bëni tjetër që ta mbani veten në formë?

Të jem e sinqertë, koha ime e lirë është kaq e limituar saqë rrallëherë gjej kohë të shkoj në palestër apo në stërvitje. Megjithatë unë sigurohem që të ushtrohem dhe të mbaj trupin në formë të mirë kudo që të jem, qoftë edhe në një dhomë hoteli. Gjithashtu shumica e klientëve të lejojnë të përdorësh palestrën e shtëpisë së tyre apo në hotelin ku qëndrojmë.

Sa kujdeseni për ushqimet, mënyrën e jetesës, për të qenë gjithmonë në formë?

Është me të vërtetë e vështirë t’i kushtosh vëmendje të veçantë dietës kur gjendesh në këtë biznes. Shumicën e kohës të duhet të hash sanduiç në këmbë pasi nuk ke kohë për t’u ulur në një tavolinë për të ngrënë vaktin tënd. E megjithatë edhe në një situatë të tillë unë përpiqem të ushqehem shëndetshëm. Gjithashtu nuk konsumoj duhanin apo alkoolin.

Mund të konsideroheni pa frikë një femër e suksesshme. A mundet që të na zbuloni disa sekrete që juve ju kanë ndihmuar për të ecur përpara në këtë drejtim?

Ka disa gjëra që unë i di e të tjera që nuk i di, kështu kur unë nuk kam njohuri rreth diçkaje pyes të tjerët dhe përpiqem të mësoj. Unë nuk mjaftohem asnjëherë me trajnimet profesionale. Jam gjithmonë në kërkim të kursit tjetër për të përmirësuar veten, dhe për të që njëkohësisht më i mirë se sa kolegu im qoftë mashkull apo femër. Pra më duhet të perfeksionoj portofolin e karrierës sime. Unë jam gjithashtu shumë e vendosur. Nëse ka diçka të cilën e vlerësoj atëherë do të bëj një plan për ta arritur atë dhe do të punoj fort në drejtim të saj pa u trembur nga pasojat.

Cila është lidhja jote me Shqipërinë, a do të jetoje këtu nëse do të jepej mundësia?

Shqipëria është vendi im i lindjes. Vendi ku kalova 8 vjet të jetës sime. E dua vendin tim dhe njerëzit e tij gjithashtu. Këto 8 vitet e fundit e vizitoj Tiranën 2 apo 3 herë në vit. Gjyshja ime jeton aty ndaj edhe unë  vij me shumë dëshirë për ta vizituar atë. Sigurisht që do të dëshiroja të jetoja në vendin tim nëse do të krijoheshin mundësitë e duhura në të ardhmen.

Dhe së fundmi, nëse do të ekzistonte kjo mundësi, bodigardja e cilit politikan të njohur do të dëshironit që të ishit?

Si profesionistë ne duhet të qëndrojmë larg nga opinionet që përfshijnë politikën apo fenë. Në këtë biznes nuk jemi ne që zgjedhim klientin, por ai që zgjedh ne kështu që do të punoja për këdo, politikan, të famshëm apo ekzekutiv që do të kenë nevojë për shërbimet e mia.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

3 + 4 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM