Thellë

Të përndjekurit, afati për këstet e fundit

Temat Kryesore

  • Janë 400 ish-të dënuar të kategorisë parësore që duhet të gjenerojnë dokumentet për marrjen e dëmshpërblimeve. MMSR shpjegon se si do zgjidhet ngërçi për të paguar 2000 persona për këstin 8
Nga Neritan Gjergo

Në radhën e dëmshpërblimeve të këstit të shtatë dhe të tetë numërohen afro 400 ish-të dënuar që nuk kanë plotësuar dokumentacionin, e për rrjedhojë po mbajnë të bllokuar procesin në mbyllje të tij. Ky fakt bëhet i ditur për “Shekulli”-n nga burime pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të cilët përpos kësaj, u bëjnë thirrje atyre që të dorëzojnë dokumentet gjatë kësaj periudhe dhe në këtë mënyrë të lëshohet edhe firma për ndarjen e fondit, i cili është i hapur dhe gati për ta. Po ashtu, MMSR, tregon se nuk po punon vetëm për mbylljen e këstit të parafundit, por paralelisht, po përgatit edhe listëpagesat për këstin e tetë. Mësohet se janë më shumë se 2 mijë ish-të burgosur politikë që do të jenë në listën e përfituesve për këstin e tetë dhe të fundit.

Procesi

Për të katërtin vit radhazi, qeveria akordon 2 miliardë lekë në vit, prej të cilave 1.4 miliardë shkojnë për ata që janë gjallë e pjesa tjetër për trashëgimtarët. Më herët ministrja e MMSR-së, Olta Xhaçka është shprehur se  pranë dikasterit që ajo drejton po ngrihet një grup ndërinstitucional, që do të bëjë të gjitha ndryshimet ligjore, me qëllim për t’i paraprirë një vakuumi ligjor që mund të lindë për ata që i kanë përfituar këstet, por kanë ende një shumë të vogël për t’u shlyer. Ndërkohë, në fuqi është edhe vendimi për ata të dënuar që nuk u bënë pjesë e skemës në kohë, për arsye emigrimi a mosbesimi, duke përfshirë 320 emra, të cilët kanë të drejtë të aplikojnë brenda këtij viti. Përfitues nga rihapja e afatit rezultojnë të jenë 293 persona që kanë kryer “burg e izolim në hetuesi” dhe 27 të kategorisë “izolim në institucion psikiatrik”. Efektet financiare të kësaj skeme përllogariten në vlerën e 919.296.000 lekëve. Ndërsa aplikimi është parashikuar të bëhet deri në fund të vitit 2017, ndarja e kësteve do të nisë në vitin 2018. Vetëm për një këst efektet financiare në buxhetin e shtetit shkojnë në vlerën e 114.912.000 lekëve. Për sa i takon shlyerjes së kësteve për trashëgimtarët, jo më larg se dhjetë ditë më parë, qeveria shpalli listën me 120 përfitues, dosjet e të cilëve janë gati për pagesë.

Personat që përfitojnë

Ish-të dënuarit politikë që janë gjallë duhet të dorëzojnë certifikatën personale dhe numrin e llogarisë bankare në drejtorinë e Përfitimeve pranë Ministrisë së Financave për të marrë këstin e shtatë. Ata ish-të përndjekur që futen te kategoritë parësore, duhet të kontrollojnë nëse kanë këto dy dokumente, në mënyrë që të bëhet lëvrimi i këstit. Duhet theksuar se kësti i shtatë do të mbyllet brenda këtij muaji, ose muajit maj, nëse ka vonesa me dorëzimet e dokumenteve. “Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës. Ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm. Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji”, janë kategoritë e ish-të përndjekurve që përfitojnë. Ndërkohë, javën e kaluar, Ministria e Financave ka publikuar emrat e ish0të përndjekurve politikë, të cilëve iu është refuzuar marrja e këstit të shtatë të dëmshpërblimit. Bëhet fjalë për dosjet e kategorisë parësore, të refuzuara nga juristi për mungesë dokumentacioni për marrjen e këstit të shtatë të dëmshpërblimit financiar, e që gjithsej janë 17 persona.

Të dhëna

Fondi i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë nga regjimi komunist është ndarë, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore, dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish-të dënuarve.

Nga viti 2007 deri 2013 janë paguar ata ish-të dënuar, të cilët jetojnë, si dhe trashëgimtarët për këstin e tyre të parë dhe një pjesë e kësteve të dyta me një shumë totale prej 9.39 miliardë lekësh dhe me një përqindje realizimi mesatarisht 84.83%.

Gjatë vitit 2015, janë paguar gjithsej për këst të parë rreth 1,374 përfitues me një shumë totale prej 275 milionë lekë. Me ndryshimin e ligjit në vitin 2014, iu dha përparësi atyre ish të dënuarve që janë gjallë, si dhe atyre të cilët kanë vdekur, por që në momentin e daljes së ligjit kanë pasur fëmijë të mitur nën 18 vjeç, janë paguar në total për të dyja kategoritë me një përqindje realizimi në masën 98 për qind.

Gjatë harkut kohor të vitit 2016, për kategorinë parësore janë shpërndarë 1.4 miliardë lekë ku kanë përfituar sipas 5 kësteve, 2916 ish-të dënuar. Ndërsa për kategorinë e trashëgimtarëve janë ndarë 900 milionë lekë, të cilat i kanë marrë 3900 vetë.


ish i persekutuar
Nga gjith ish qeverritaret vetem nexhmia kish ngelur pa marr demshperblim por tani ajo e nxori ne puplik cerfitikaten e anetaresis ne partin fashiste keshtu edhe ajo do perfitoj demshperblim me ligj e kanun.Urime ndrikull.

Shto komentin tuaj

6 + 6 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM