Kulturë

Jeta e fotografit shqiptar në botën e modës dhe mediet italiane (FOTO)


1 Nga 3 Foto


Nga Valeria Dedaj

Me artin është ushqyer që fëmijë, por pasionin për fotografi dhe video, si pjesë të rëndësishme të jetës së tij, do ta zbulonte në moshën 16-vjeçare. Një video, e cila do të kishte në fokus hënën që shkëlqente ka qenë ogur i parë premtues për rrugën që do të ndiqte kameramani dhe fotografi shqiptar Adriatik Berdaku. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”-n Berdaku rrëfen se si me vullnet dhe punë ëndrrat një ditë mund të bëhen realitet. Pas një kursi për operator dhe montazhier televiziv në Tiranë, nën udhëheqjen e Pali Kukes dhe Stefan Gajos, në vitin 2000 nisi një aventurë, si emigrant nga Shqipëria për në Itali. Atje pati mundësinë që të frekuentojë disa kurse për specializim në fotografi digjitale dhe regji kinematografike. Megjithatë, atë periudhë nuk e kujton të lehtë edhe për shkak të opinionit, që ishte krijuar për shqiptarët në vendin fqinj. Por, pavarësisht pengesave, këmbëngulja për të punuar do të shërbente, që ai të arrinte të bashkëpunonte me producentë edhe gazetarë italianë, si operator, drejtor fotografie dhe montazhier. Derisa arriti të bëhej pjesë e produksioneve më të mëdha në mediet italiane, si Rai, Sky, Mediaset, LA7 etj. Sot, fotografi me origjinë krutane është pjesë e aktiviteteve më të rëndësishme të modës në Milano, Nju Jork etj. Berdaku gjatë rrugëtimit të tij, nuk lë pa veçuar dhe bashkëpunimet me artistët italianë, veçmas me aktorin e njohur Remo Girone dhe këngëtarin Gianmarco Fraska.

Adriatik, si ka lindur tek ti pasioni për fotografinë?

Gjatë një udhëtimi me babanë tim, ish- regjisorin krutan Ibrahim Berdaku, nëpër rrugët e Krujës kam zbuluar pasionin për fotografinë. Ishte viti 1997, midis degëve të ullirit dukej hëna që shkëlqente. Ngjyra e kuqe e saj m’u duk më e bukur se kurrë më parë. Aty i thashë babait tim të ndjerë, që ta fiksoja në film atë imazh. Kështu kuptova, se përveçse realizimeve në video, që tashmë i kisha nisur, dashur pa dashur pjesë e jetës sime po bëhej edhe fotografia.

E ruan ende aparatin e parë?

Të them të drejtën jo. Ruaj ende kamerën time të parë, e cila është një JVC e vogël gjysmë profesionale për në atë kohë. Pasionin tim nisa ta ushtroj në vitin 1995 dhe asokohe ishte shumë e vështirë të kishe mundësi për të pasur aparatura të mira.

Në vitin  2000 largohesh për në Itali. Por, çfarë mund të na thuash për eksperiencat që ke në mediet italiane, Rai, Sky, Mediaset etj.?

Në vitin 2000 Ministria e Punës Shqiptare kishte bërë një marrëveshje me atë italiane për rekrutimin e disa figurave për t’i pajisur me vizë pune. Kusht ishte profesioni dhe një provim i gjuhës italiane, që ata të vendosnin nëse do të të parnonin ose jo. Unë fitova atë dhe nisa një aventurë emigracioni. Por, fillimet e mia në mediet italiane kanë qenë një sakrificë e madhe. Për t’u futur, si bashkëpunëtor, nuk e pata aspak të lehtë, sepse prejardhja ime ishte nga Shqipëria, edhe në ato vite italianët nuk kishin një opinion të mirë…

Nisa të bashkëpunoj mbas 5 apo 6 vitesh qëndrimi në Itali. Kryesisht, si operator i Steadicam për zonën Marche ku jetoja, ku shumë shpejt u bëra pjesë e qindra produksioneve që realizoheshin, duke krijuar kështu një një emër. Shumë regjisorë, producentë dhe gazetarë nisën të kërkonin me këmbëngulje prezëncën time në punën e tyre, pasi njiheshin me atë që unë kisha prodhuar, si operator, drejtor fotografie apo edhe si montazhier. Edhe në Itali si në çdo vend tjetër të botës funksionon, që kur e shikojnë që je i aftë të rekomandojnë te kolegët ose studiot e prodhimit/tv.

Eksperiencat në këto televizione për mua kanë qenë të veçanta, sepse mbaj mend që kur jetoja në Shqipëri shikoja programet, siç ishin Sanremo, Buona Domenica, Linea blu etj…, dhe kisha ëndërr të isha pjesë e tyre. Kur ia arrita qëllimit ishte kënaqësi të punoja personalisht me shumë artistë të ekranit edhe kinematografisë, nga ku mund të veçoj Remo Girone-n etj.

Ndjek edhe ditët ndërkombëtare të Modës në Nju Jork, Milano etj., çfarë rëndësie ka për ty pjesëmarrja në këto aktivitete?

Natyrisht që, këto aktivitete realizohen për të reklamuar biznesin dhe kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin profesional dhe ekonomik. Aty paraqiten koleksionet më të reja të stilistëve më të mëdhenj botërorë, të cilët u japin mundësinë stacioneve televizive për të marrë pjesë. Ndër to jam edhe unë që pasqyroj këto aktivitet për kanalin televiziv italian LA7, gjithashtu edhe si fotograf.

Për t’u akredituar si fotograf apo operator në aktivitete të rangut botëror nuk është aspak e lehtë, sepse duhet shumë eksperiencë, njohuri dhe fat. Mendoj që është diçka e domosdoshme për të gjithë ata që kanë dëshirë t’i afrohen fushës së alta moda, aty mund të shikosh dhe të bëhesh pjesë e mrekullive artistike të dekoreve, ndriçimit, sfilatave, koleksioneve, muzikës, pra pjesë e së bukurës. Pjesëmarrja në këto aktivitete kaq të mëdha është një kartëvizitë, e cila ka shumë vlerë për një fotograf.

Ke bërë video-klipe muzikore ku reflektohen histori të huaja apo shqiptare. A mund të na veçosh ndonjërën prej tyre?

Gjatë këtyre viteve kam pasur fatin të realizoj disa klipe muzikore, ku në plan të parë ishin historitë e dashurisë. Një temë shumë e fortë ishte ajo që realizova për kantautorin Joe Artid Fejzo, e cila fitoi edhe çmimin e jurisë, por gjithashtu, si historia me e bukur te konkursi “Netët e Klipit Shqiptar” (2008). Ai video-klip trajtonte shfrytëzimin e prostitucionit në Itali dhe u vlerësua shumë. Nuk dua të lë pa përmendur video-klipin  “Amore Piçolina” e këngëtarit italian Gianmarco Fraska, të cilën e realizova me dy fëmijë të vegjël. Ishte emocionuese për mua të bëja regjinë e këtij video-klipi, sepse nuk kisha punuar asnjëherë me fëmijë. Por, arrita që t’i bëja ata fëmijë, aktorë të vegjël.

Dhe së fundmi, çfarë projektesh ke në duar?

Aktualisht kam disa projekte në Amerikë, të cilat do t’i zbuloj së shpejti. Por, ajo që aktualisht po bëj është moda (alta moda). Gjithashtu nuk mungojnë bashkëpunime me kanale televizive ndërkombëtare.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

6 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM