Ekonomi

Bletën e zë hashashi, shkatërrohen 40% e koshereve. 60 mln euro humbje

ble.Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve. Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë pohon se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për vitin 2016, më shumë se 144 mijë koshere nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet llogariten 58 milionë euro. Bletarët e kontaktuar nga “Monitor” bënë si shkaktar kryesor të humbjeve kultivimin masiv të hashashit në vend.

Refik Kutrelli, nga komuna Orenje e Librazhdit, humbi këtë vit të 27 kosheret e bletëve. Bleta e fundit iku javën e kaluar dhe tani kanë mbetur kosheret me mjaltë.

Familja Kutreli, përveç bagëtive, e kishte burim kryesor të ardhurash mjaltin. Prej vitesh, Refiku është marrë me mbarështimin e bletëve, por ajo që i ka ndodhur në vitin 2016 e ka befasuar. Është i shqetësuar nga fakti se ende nuk po kupton shkaqet se pse bletët i kanë ikur nga kosheret e nuk janë kthyer më. “Nuk kam bërë analiza se pse bletët vdiqën, pasi ato kanë ikur për kullotë dhe nuk janë kthyer më. Të gjitha mjekimet i kam bërë. Ilaçet më vinin nga Greqia”, – thotë bletërritësi. Fenomeni, sipas tij, është i përhapur në të gjithë Librazhdin këtë vit dhe vetëm në komunën Orenje, rreth 2000 bletë nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet për familjet fermere që sigurojnë jetesën në këtë mënyrë janë të mëdha. Bletërritësit e zonës në shumë raste bëjnë me faj kultivimin e drogës në kodrat përreth, e cila i ka harlisur bletët, të cilat nuk kanë gjetur më rrugën për t’u kthyer në koshere.

Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve. Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë njofton se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për 2016, më shumë se 142 mijë nuk e kanë kaluar dimrin. Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, ndërthur shumë faktorë që kanë çuar në këtë humbje. Dimri i acartë, mungesa e standardeve në mjekim dhe përhapja masive e rriqrës kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuar në humbje. Ajo nuk e përjashton faktin se kultivimi i drogës ka ndikuar negativisht, por shpjegon se nuk ka fakte shkencore ose të dhëna laboratorike për këtë fakt. Por Shehu thotë se era e bimës mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.

Fenomeni i humbjes së bletëve ka përfshirë të gjithë vendin pa përjashtim. Shyqyri Poçi, nga Komuna e Malit të Zi në Kukës, inxhinier pyjesh dhe që merret me bletarinë në një zonë ku dominon gështenja, tha se ky vit që dramatik për komunën. Ai tha se rreth 80 për qind bletëve nuk e kanë kaluar dimrin. E gjithë komuna llogaritet të ketë humbur rreth 1500 bletë.

Arsyet

Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, thotë se era e hashashit mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.

Humbjet për bletarët, marramendëse, arrijnë 60 milionë euro

Biznesi i bletarisë ka marrë hov vitet e fundit, pasi numri i koshereve është trefishuar gjatë dekadës. Mirëpo ky biznes është zhvilluar tërësisht spontanisht, pasi mungojnë politikat për zhvillimin e standardizuar të tij, mbështetja financiare dhe për më tepër specialistët. Sot, Ministria e Bujqësisë nuk ka një specialist që të njohë sektorin e bletarisë dhe të kujdeset për politikat e sektorit. Prandaj humbjet e fermerëve, jo vetëm që kanë ngelur jashtë vëmendjes të institucioneve, por në fakt i kanë krijuar një humbje kolosale ekonomisë së vendit.

Sipas përllogaritjeve, humbjet nga bletët e vdekura në rang kombëtar arrijnë në rreth 60 milionë euro. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bletarisë, një koshere kushton rreth 20 mijë lekë. Ndërsa rendimenti i vjetor i një blete nga sasia e mjaltit që prodhon mesatarisht (12-20 kilogramë) llogaritet 36 mijë lekë në vit. Për rrjedhojë, vlera e kosheres së bashku me vlerën e munguar e fitimit vjetor nga mjalti për 144 mijë koshere llogaritet mbi 8 miliardë lekë ose 58 milionë euro.

Mbarështimi i bletës është shtuar shumë vitet e fundit thotë Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve, Lejla Shehu, por ajo shprehet se mungesa e përvojës dhe mungesa e njohurive në shumë raste kanë sjellë dështim. Shumë persona, nisur nga mundësitë e kufizuara për punësim apo për biznes, e kanë parë bletën si mjet fitimi të shpejtë. Por është krejt e kundërta, – thotë Shehu. Bleta kërkon përkushtim, përkujdesje dhe për më tepër duhet të kesh njohuri të thelluar për insektin në mënyrë që të realizosh pritshmëritë. Shumë biznese kanë investuar disa prej fondeve të lira në blerjen e bletëve duke punësuar persona, por shumica prej tyre nuk ia kanë dalë, thonë bletërritësit. Insekti kaq i dobishëm për njerëzimin kërkon përvojë dhe përkujdesje të veçantë.

Hashashi si shkaktar

Për disa zona, humbja e bletëve këtë vit ka qenë atipike. Banorët janë të tronditur pasi bleta ka ikur në kullotë dhe nuk është kthyer më. Por edhe mbi këtë fenomen, bletarët kanë pikëpamje të ndryshme. Në kohën kur hashashi mbillej në Lazarat, në të njëjtën kohë lazaratasit kishin edhe bletë. Madje mjalti i Lazaratit nisi të marketohej si mjaltë hashashi dhe shitej shumë shtrenjtë në treg, për shkak të efekteve që karakterizojnë bimën. Por disa bletarë të tjerë mendojnë se është pikërisht hashashi që po i vret bletët. Në Lazarat kjo nuk ka ndodhur pasi bima ka qenë relativisht e shkurtër dhe jo e dëmshme.

Por Kutrelli nga Orenja e Librazhdit thotë se bletët ishin të shëndetshme, por kanë lënë zgjojet plot me mjaltë dhe nuk janë kthyer nga kullota. Kemi dyshime për hashashin, por nuk kemi kryer analiza shprehet ai.

Shyqyri Poçi nga Kukësi, ekspert pyjesh dhe bletërritës, pohon se janë disa varietete të hashashit që kanë hyrë në vend vitin e kaluar që kanë dëmtuar bletën. Më tej, ekspertët nga Shoqatat e Bletarisë pohojnë se bima dhe era që lëshon në kullota i ka harlisur insektet që më pas nuk kanë gjetur rrugën për në koshere.

Bletarët pohojnë se një fermer nga Tirana, i cili humbi të 171 kosheret e tij ka bërë analiza laboratorike në Turqi dhe ka gjetur se bletët kanë vdekur pikërisht nga kullota në bimët e hashashit. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, sidomos në pyje dhe zonat rreth tyre u mboll hashash. Vendet ku u mboll droga ishin më së shumti kullota të bletëve. Bletarët nga zona e Përmetit në fshatin Frashër kanë shprehur shqetësime më herët se bletët kishin braktisur kosheret në kohën e lulëzimit të hashashit. Në këtë rreth, mbjellja e drogës ka qenë më masive, fakt ky i konfirmuar edhe nga të dhënat policore mbi sasitë e kapura.

Shkaqet e tjera
Si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri ka shumë shkaqe që e dëmtojnë jetesën normale të bletës. Por në vendin tonë këto janë më të mprehta. Shkatërrimi i pyjeve dhe bimësisë e ka bërë bletën më pak produktive dhe me shumë kosto për ta mbarështuar. Pylli është furnitori më i madh i bletës, por dëmtimi masiv i tij vitet e fundit ka prishur ekuilibrin e furnizimit me ushqim të insektit. Një faktor tjetër, sipas Shehut, që po ndikon negativisht në mbarështimin e tyre, janë pesticidet që po përdoren ndaj frutikulturës.

Fermerët shqiptarë i spërkatin pemët deri në 15 herë, që nga lulja deri në vjelje, tha Shehu. Bletët që kullosin në këto pemë helmohen dhe vdesin.

Gjithashtu mosrespektimi i protokollit të mjekimit të bletës nga të gjithë bletarët njësoj është një shkak tjetër që e bën Shqipërinë të ketë humbje të bletëve më shumë se mesatarja rajonale apo europiane. Rriqra (ose morri i bletës) është një insekt tjetër që dëmton masivisht bletën. Në vite të veçanta, ai gjen përhapje të madhe. Nga ana tjetër, bletërritësit nuk e bëjnë mjekimin e në të njëjtën kohë dhe në këtë mënyrë, morri nuk zhduket dhe krijon humbje të bletës.

Mungesa e profesionalizimit dhe stafeve që njohin sektorin është një tjetër problematikë në sektor. Bletërritësit ndahen në tri kategori, amatorë, hobistë dhe profesionistë. Dy kategoritë e para nuk është se kanë njohuri të thelluar për mbarështimin e bletës e për pasojë kanë humbje të mëdha. Ndërsa profesionistët, edhe pse kanë njohuritë janë nën presionin e një tregu që ofron medikamente jocilësore, që nuk kryejnë funksionet e duhura te bleta.

Një faktor tjetër që supozohet që e ka dëmtuar bletën këtë vit është ishte edhe dimri i acartë. Lejla Shehu, nga Shoqata e Bletarëve, shprehet se, për vite me radhë, dimri në vendin tonë ka qenë i ngrohtë. Shumë bletarë kanë neglizhuar masat mbrojtëse për izolimin e bletëve ndaj dimrit të fortë dhe temperaturat minus kanë dëmtuar shumë koshere.

E gjithë kjo problematikë e shoqëron sektorin prej vitesh, dhe bletët janë kultivuar nga njeriu në mënyrë primitive kur shkenca dhe medikamentet nuk kishin evoluar kaq shumë. Por bletarët pohojnë se ky vit ka qenë dramatik për ta dhe shkaktar kryesor është hashashi.

Biznesi delikat i bletës

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bletarëve, nga 360 mijë kosheret që u kultivuan në të gjithë vendin vitin e kaluar është prodhuar një sasi mjalti prej 3200 tonësh. Numri i koshereve është shtuar shumë vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2001 ishin vetëm 82 mijë koshere, ndërsa në vitin 2015, ishin 271 mijë të tilla në të gjithë vendin. Por sipas të dhënave nga Shoqata e Bletarëve, numri i koshere në vitin 2016, ishin rreth 360 mijë. Ministria e Bujqësisë ka bërë një Census për regjistrimin e koshereve dhe ka bërë matrikullimin e bletëve, por të dhënat nuk janë publikuar. Pavarësisht zhvillimeve në sektor, Shqipëria ende importon një sasi të konsiderueshme të mjaltit për nevojat e konsumit të brendshëm. INSTAT tregon se importi i mjaltit ka qenë i konsiderueshëm gjatë viteve 2013 dhe 2014, duke pasur një rritje me 40.5%, duke shënuar edhe një “goditje” kundrejt prodhimit vendas, pasi raftet e supermarketeve kryesore në vend kanë jo pak produkte mjalti të ardhura nga jashtë.

Bletarët tregojnë se vetëm prodhimi i mjaltit nuk është i mjaftueshëm për të pasur një performancë të mirë në tregti, ndaj edhe ata merren me prodhimin dhe tregtimin edhe të qumështit të bletës, të propolisit etj. Madje, disa prej tyre, e kanë kthyer “faqen” e biznesit të tyre, duke vendosur prioritet edhe në tregtimin e ushqimit për bletët, duke qenë se, sikur pohojnë të gjithë aktorët e tregut, numri i bletarive në vend është shtuar shumë.

Shehu tregon se në Shqipëri, të paktë janë bletarët profesionalë. Sipas saj, një shifër e ulët prej 2% të tyre, janë kundrejt pjesës tjetër, që kanë një punishte modeste, pjesë e trashëgimisë familjare, tregtia e të cilëve është tejet e pakonsiderueshme. Shehu tregon se vështirësia më e madhe që po hasin bletarët shqiptarë është investimi për një kullotë të mirë dhe të qëndrueshme. “Këtë vit u përballëm me përmbytje të mëdha, fakt ky që ndikoi në cilësinë e kullotës dhe si pasojë, e ushqimit të drejtpërdrejtë të bletëve. Nga ana tjetër, kjo ndikon në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë”, – tha ajo.

Por përveç mjaltit, vitet e fundit po vijnë në shpërthim nënproduktet e tjera. Qumështi i bletës, sipas aktorëve në treg, ka pasur një shpërthim këto vitet e fundit, për të cilin janë të shumtë shqiptarët që paguajnë, shifra jo të vogla, për një produkt në sasi të limituara. Sa i përket çmimit, ata tregojnë se varet nga zonat (pra varësia me kullotat më të mira), shkojnë në 350-1000 lekë/gram. Fatmir Mehmetaj tregon se punishtja e tij në Kavajë prej vitesh tashmë është fokusuar në shitjen e qumështit të bletës, sikurse edhe të ushqimit për bletaritë, e parë kjo si një formë më e sigurt biznesi krahasuar vetëm me shitjen e mjaltit, për të cilën janë të shumta aktivitetet. Mehmetaj thotë se kërkesa është në rritje, sikurse edhe informacionet për të tashmë janë shtuar. Por, sipas tij, këto nuk janë “ditët e arta” të bletërritësve, pasi kundrejt punës së tyre të madhe në terren, mbështetja nga shteti mungon.

Bletarët me përvojë të gjatë në këtë sektor në vendin tonë ngrenë si shqetësim kryesor të këtyre dy viteve të fundit përdorimin e pesticideve të “tepruara”, sipas tyre, në bimët nga ku “kullosin” bletët. Shpeshherë, përdorimi i shpeshtë i tyre çon deri në vdekjen e bletëve, me të cilën ai është hasur jo rrallëherë në biznesin e tij në qytetin e Korçës.

Një çështje tjetër që mungon, sipas të gjithë aktorëve të tregut, përforcuar edhe nga kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, është stimulimi. Sipas tyre, krahas granteve të pakta të dhëna nga shteti, mungon stimulimi i mëtejshëm në çështjet e prodhimit, shitjes dhe certifikimit. Një çështje më vete është kjo e fundit, për të cilët përfaqësuesit nga bletaritë tregojnë se duhen tre vjet për të marrë certifikimin për mjaltin dhe se kjo procedurë shpeshherë ka zvarritje në procedura.

Çështja e eksportit është shqetësim tjetër. Teksa bletarët pohojnë se dërgesat jashtë kanë qenë sporadike. Bletarët tregojnë se eksporti është temë e “nxehtë” ende, me shumë mangësi, pasi, sipas tij, nuk ka laboratorë të akredituar për analiza të produktit.

Dëmtohet rregullatori i natyrës

Roli i bletës më shumë se te mjalti që jep për njerëzit është i një rregullatori të fuqishëm i natyrës. Rendimenti në prodhimin në prodhimet bujqësore dhe në pemëtari i dedikohet pikërisht insektit. Bleta kryen pjalmimin, një proces i domosdoshëm për prodhim, ndaj pakësimi i saj i sjell dëme të mëdha njerëzimit.

Poleni/pluhuri i luleve përbëhet nga kokrrëza të vogla. Çdo njëra prej tyre është qelizë seksuale mashkullore. Ky luan një rol kryesor për shumimin e bimëve.

Te dhëna

-360,000 koshere në vitin 2016

-Prodhimi vjetor i mjaltit 3200 tone

-Nuk e kaluan dimrin e 2015-s, 144 koshere

-Vlera e humbur e koshereve, 2.8 miliardë lekë

-Vlera e humbur e prodhimit, 5.1 miliardë lekë/Blerina Hoxha, Monitor/

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM