Jetë

Trigliceridet (yndyra në gjak), kur konsiderohen të larta dhe rreziqet që mbartin?

yndNga Blertina Koka

Nëse matni vazhdimisht tensionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit, ka edhe një gjë tjetër që duhet ta monitoroni: trigliceridet. Niveli i lartë i triglicerideve, një lloj yndyre në gjak, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes luajnë një rol të rëndësishëm në uljen apo rritjen e niveleve të triglicerideve, ashtu si në shëndetin e përgjithshëm.

Çfarë janë trigliceridet?

Trigliceridet janë një lloj yndyre (lipide) që gjenden në gjak. Gjatë ngrënies, trupi konverton kaloritë që nuk i duhen, për t’u përdorur pastaj në trigliceride. Ato ruhen në qelizat e dhjamit. Më pas, hormonet lëshojnë trigliceride për energji midis vakteve. Nëse hani rregullisht më shumë kalori sesa digjni, sidomos kalori të “lehta”, si karbohidrate dhe yndyra, mund të keni nivele të larta të triglicerideve (hipertriglicerdemia).

Kur konsiderohen normale?

Një test gjaku mund të përcaktojë nëse nivelet e triglicerideve janë normale.

Normale – Më pak se 150 mg/dL ose më pak se 1.7 mmol/L.

Në kufi – 150 – 199 mg/dL (1.8 – 2.2 mmol/L).

Të larta – 200 – 499 mg/dL (2.3 – 5.6 mmol/L).

Shumë të larta – 500 mg/dL ose më sipër (5.7 mmol/L ose më sipër).

Ku ndryshojnë trigliceridet nga kolesteroli?

Trigliceridet dhe koleseroli janë lloje të ndara të lipedeve që qarkullojnë në gjak. Trigliceridet ruajnë kalori të papërdorur dhe i sigurojnë trupit energji, ndërsa kolesteroli përdoret për të prodhuar qeliza dhe hormone të caktuara. Duke qenë se trigliceridet dhe kolesterolit nuk mund të treten në gjak, ato mund të qarkullojnë në të gjithë trupin me ndihmën e proteinave dhe transportojnë lipidet.

Pse janë të rëndësishme trigliceridet?

Trigliceridet mund të kontribuojnë në forcimin e arterieve ose trashjen e mureve arteriale (ateroskleroza) – që rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, atak në zemër dhe goditje në tru. Trigliceridet shumë të larta – për shembull ato mbi 1000 mg/dL (11.29 mmol/L) – mund të shkaktojnë pankreatit akut (inflamacion të pankreasit).

Trigliceridet e larta janë shpesh shenjë e gjendjeve të tjera shëndetësore, që rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, si obeziteti dhe sindroma metabolike ( që karakterizohet nga dhjami përreth belit, yndyra përreth organeve të brendshme, humbja e masës muskulore, tension i lartë i gjakut dhe nivele të larta të sheqerit në gjak).

Ndonjëherë trigliceridet e larta janë shenjë e diabetit të tipit 2, niveleve të ulëta të hormoneve të tiroides (hipotiriodizmi), sëmundja e mëlçisë dhe e veshkave, ose gjendjet e rralla gjenetike që ndikojnë tek mënyra sesi trupi konverton yndyrat në energji. Trigliceridet e larta mund të jenë gjithashtu një efekt anësor i marrjes së medikamenteve si streroide, diuretikë apo pilulat për kontrollin e lindjeve.

Mënyra më e mirë për të ulur trigliceridet

Jetesa dhe ushqyerja e shëndetshëm janë kryesoret për uljen e triglicerideve:

Humbisni peshë. Nëse jeni mbipeshë, humbja e 2-5 kg mund t’ju ndihmojë të ulni trigliceridet. Motivoni veten duke u fokusuar tek benefitet e rënies në peshë, si më shumë energji dhe shëndet më i mirë.

Pakësoni kaloritë. Mos harroni që kaloritë e tepërta konvertohen në trigliceride dhe ruhen si yndyra. Duke pakësuar kaloritë ju ulni nivelin e triglicerideve.

Shmangni ushqimet e përpunuara dhe me sheqerna të shtuar. Karbohidratet e “lehta”, si sheqeri dhe ushqimet e bëra me miell të bardhë, mund të rrisin trigliceridet.

Kufizoni konsumimin e alkooli. Alkooli ka shumë kalori dhe sheqer, dhe ndikon në rritjen e triglicerideve. Edhe në sasi të vogla, alkooli mund të rrisë nivelet e triglicerideve.

Ushtrohuni rregullisht. Mundohuni të bëni të paktën 30 minuta në ditë aktivitet fizik. Duke u ushtruar rregullisht ju mund të ulni nivelet e triglicerideve dhe rrisni kolesterolin e “mirë”. Bëni një shëtitje në park, ngjisni shkallët kur shkoni për në punë, praktikoni ndonjë lloj sporti etj.

Burimi: MayoClinic

 

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM