Jetë

“Ferma e kafshëve”, Erion Isai: Shqipëria është kopertina më e duhur e Orwell

Temat Kryesore

  • Aktori i “Portokallisë”, tashmë provon veten si regjisor, duke hedhur në skenën e teatrit veprën e famshme të novelistit britanik George Orwell
Nga Brunilda  Gorovelli

Erion Isai është një nga aktorët karizmatik të “Portokallisë”, por së fundmi duket që ka marrë edhe një tjetër drejtim si regjisor. Ai vjen shumë shpejt me veprën “Ferma e kafshëve” të cilën e vendos në skenë e teatrit me bashkëpunimin e një numër të madh aktorësh. Por, Erioni në vetëm pak kohë është  bërë baba i një vajze. Ai rrëfen për “Shekulli”-n se si është përvoja e tij profesionale në skenën e një shfaqje si Portokalli dhe në skenën e teatrit. Gjithashtu, ai ndalet edhe te marrëdhënia e tij me bashkëshorten, vajza dhe fundjavat e tyre.

Erion cilat janë angazhimet tuaja të tanishme?

Përveç angazhimit tim në televizion, në spektaklin “Portokalli”, për të nëntin vit radhazi, aktualisht jam duke punuar në teatër me një pjesë teatrale. Kjo pjesë vjen si shfaqja e parë e kompanisë të cilën e kam ngritur për plane e projekte afatgjatë në fushën e teatrit, medias, e artit në përgjithësi. Do të jetë një angazhim serioz i imi për të zhvilluar artin dhe kulturën në sektor privat e të pa varur nga strukturat shtetërore, por sigurisht me mbështetjen e tyre.

“Ferma e kafshëve” e  George  Orwell vjen së shpejti në skenën e teatrit. Në këtë shfaqje ju jeni regjisor i saj. Përse keni zgjedhur këtë vepër?

“Ferma e kafshëve”është një dramatizim i romanit me të njëjtin titull, nga Orwell. Është angazhimi im si regjisor, profesioni im i parë që kam. Këtë vepër kam disa kohë që e kam në dorë dhe e përpunoj, por për shumë arsye ajo është shtyrë në kohë, dhe tashmë më në fund po e realizoj. Kam zgjedhur këtë alegori, për të treguar që jetojmë në një fermë të madhe, ku pavarësisht se çfarë ëndrrash idealesh, qëllimesh, dëshirash kemi si komb. Kjo ferma jonë gjithmonë përfundon me “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

Ferma e kafshëve si vepër është e fokusuar tek udhëheqja e kafshëve, pronari njeri i tyre, organizimi dhe revolucioni që ato duan të ndërmarrin ndaj padronit të tyre. A është Ferma e Kafshëve edhe një realitet shqiptar?

Padyshim që po. Shqipëria është kopertina më e duhur që mund të ketë pjesa e Orwellit. A nuk jemi ne një komb që gjithmonë nisim një revolucion? A nuk jemi një komb që na vjedhin haptazi  (siç bëjnë derrat tek ferma e Orwellit, që hanë mollët dhe qumështin) dhe ne e pranojmë këtë fakt pa kurrfarë problemi? A nuk jemi ne një “fermë” që vritemi në mes të bulevardit (njësoj si kafshët e Orwellit që vriten nga vetë Napoleoni në mes të fermës)? A nuk jemi ne që e pranojmë ata që na udhëheqin, dhe nënshtrohemi me ta? Mendoj se për Shqipërinë kjo pjesë nuk e ka aktualitetin vetëm me periudhën komuniste Shqiptare, por edhe me këtë tranzicion të dhimbshëm që po kalojmë prej 27 vjetësh. Ftoj gjithë publikun të vijë të gjejë se cilës “kafshë” i përngjan. Te ferma e kafshëve, publiku do të qeshë e do të qajë. Do argëtohet e do thellohet. Uroj të kemi një shfaqje të mirë. Unë gjej rastin të falënderoj të gjithë aktorët, pa të cilët, nuk do kisha bërë dot asgjë, janë të jashtëzakonshëm, kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit, e unë i falënderoj shumë, Luftarin babaxhan, Ledion, Marinin, Besin, Amosin, Lindën, Albanën, Erditin, Renadën, Albanën, Engjëllin, Kristin. Ilirianën për super kostumet e skenën e jashtëzakonshme. Mondin për muzikën fantastike dhe Almendën e Noldin për koreografitë e tyre plot energji e gjetje. Falënderoj Kiçon dhe teatrin Eksperimental për dyert e hapura, e gatishmërinë në bashkë prodhim, bashkinë e Tiranës e të gjithë miqtë e biznesit që na kanë mbështetur. Ferma e kafshëve pa të gjithë këta, nuk do mund të realizohej.

Ndërkohë jeni aktor edhe në “Portokalli”, si është të punosh për shfaqje të tilla televizive e njëkohësisht edhe shfaqje për në teatër?

Është e lodhshme. Të dyja duan energji dhe angazhim maksimal. “Portokallia” ka nevojë për një punë tepër të madhe, me orare të gjata e energji absolute për tekstet, gjetjet cilësinë e të tjerë. Ndërkohë teatri do hapësirën kohore, muzën, përkushtimin, kujdesin artistik. Mjafton t’ju them se këto dy muaj, punoj mbi 12 orë në ditë për të dyja, për të kuptuar lodhjen dhe përkushtimin që duan.

Të ndalemi pak te Erioni jashtë aktrimit dhe teatrit. Si është një ditë e juaja e zakonshme?

Ditë shumë e ngarkuar, tashmë që po punoj edhe në teatër, edhe e diela e ka humbur statusin e të qenit një ditë pushimi. Dita ime fillon në orët e para të mëngjesit dhe përfundon në orët e vona të mbrëmjes, me “Portokallinë” dhe tetarin. Sigurisht prej pak muajsh bëj kujdes t’i gjej një kohë të dedikuar gjatë javës dhe kujdesit për dobësim e palestër, pasi jam në regjim diete. (qesh)

Jeni bashkëshort dhe baba, sa kohë kaloni me të dashurit tuaj, duke pasur kaq shumë angazhime?

Mundohem të kaloj kohë sa më shumë, më mungojnë shumë këto kohë si vajza si bashkëshortja. Dhe meqë m’u dha rasti, dua të falënderoj bashkëshorten time, e cila bën punën më të vështirë... më krijon një hapësirë fantastike për krijimtarinë time. Po të mos ishte ajo, unë nuk do mund të realizoja këto që po realizoj sot. Me familjen time ndihem i plotësuar. Zoti më ka përkëdhelur shumë. Si me familjen time, bashkëshorten dhe vajzën. Ashtu edhe me familjen e madhe që kam, prindërit, motrën dhe vëllanë.

A ka ndryshuar Erioni pasi mori statusin e babait?

Më thonë që po. Besoj jam bërë më i kujdesshëm, mendoj gjërat dy herë, dhe kam vëmendje absolute tek vajza. Më ka shtuar dashurinë për njerëzit dhe botën ardhja e saj. Familjes tonë i ka dhënë tjetër ajër. Marrëdhënies tonë po ashtu. Përsëri Zoti më ka bekuar. I jam mirënjohës atij.

Me familjen tuaj si e kaloni kohën?

Udhëtime më së shumti, si unë si bashkëshortja ime jemi të apasionuar pas udhëtimeve. Dhe vajzën do ta rrisim me këtë frymë, pasi udhëtimet na qetësojnë, na shijojnë e përtërijnë. Shëtitjet i përdorim, por si kohë e shkurtër relaksimi dhe kalimi kohe me njëri tjetrin,  për relaksim brenda Tiranës. Por dëshira parësore është “të arratisemi” duke udhëtuar diku.

Sporti që ju pëlqen më së shumti?

Nuk jam ndonjë i dhënë pas sporteve. Ndjek futbollin, kombëtaren dhe eventet e mëdha si Kampionatin Europian apo Botërorin. Ato më japin emocion. Por nga sportet nuk marr vesh fare. Palestra është hobi i sapo zbuluar, në qoftë se mund të hyjë te sportet.

Si janë fundjavat për ju?

Fundjavat e thjeshta. Një drekë me familjen diku, udhëtim jashtë Tiranës (preferojmë Korçën familjarisht) në rastin më të mirë. E shfrytëzojmë për të kaluar me njëri-tjetrin, apo për të vizituar prindërit, pasi është e vetmja hapësirë e lirë që kemi si unë ashtu edhe bashkëshortja.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM