Jetë

Mihrije Braha rrëfen “Cigaren e fundit”: Emocionet në dashuritë e pa realizuara

Temat Kryesore

  • Braha rrëfen “Cigaren e fundit”, kur hidhet mrekullia e kaluar në dashuri
  • “Cigarja e fundit” kënga më e re nga këngëtarja nga Kosova, Mihrije Braha. Aktualisht është duke punuar për klipin e saj. Kënga është një baladë e bukur e cila është emocion i shpeshtë në dashuritë e parealizuara.
Nga Brunilda Gorovelli

Mihrije Braha dhe Naim Abazi, janë çifti më simpatik jo vetëm në Kosovë por kudo ku ka produksione mediatike shqiptare dhe muzikë shqiptare. Gjithmonë jemi mësuar t’i shohim të qeshur dhe me harmoni mes tyre. Këngëtarja Mihrije Braha vjen me një rrëfim mbi jetën e saj për suplementin e gazetës “Shekulli” dhe për këngën e saj më të re “Cigarja e fundit”. Brahja rrëfen se është shumë meraklie në punë, duke parë detaje që jo çdo sy mund t’i shohë. Gjithashtu, ajo si nënë dhe bashkëshorte merr kënaqësi të pazëvendësueshme. Ajo ndihet kaq me fat që ylli i jetës së saj është Naimi, i cili e shoqëron gjithmonë e ndihet e lumtur si nënë.

Mihrije ju keni gati këngën tuaj të re “Cigarja e fundit”, kur publikohet?

Përshëndetje e dashur ! Kënga është realizuar si audio dhe po pret realizimin final të klipit. “Cigarja e fundit” është një baladë e bukur e cila është emocion i shpeshtë në dashuritë e parealizuara dhe sidomos kur ndodh tradhtia apo braktisja në njërën anë të dashurisë. Dhe tani si një cigare e fundit hidhet mrekullia e kaluar në dashuri.

Jeni një këngëtare që përveç moshës i përshtateni tregut, duke sjellë produkte që pëlqehen e bëhen hit...

Njeriu në krijimtari që nga antikiteti e deri më sot ka synuar dhe synon progresin , zhvillimin dhe suksesin dhe këto do të jenë të realizuara në momentin që ke komunikuar përmes artit tënd, duke thënë dhe duke dhënë diçka që  njeriu të gjejë vetveten, ndjenjën dhe shpirtin e tij aty brenda. Dhe pikërisht në këtë rast thotë ja ku jam, unë,  por vetëm tani e kuptova në formën më të qartë, sepse arti e në këtë rast është kënga ajo që vë në kulm ndjenjën për dashurinë, reagimin në braktisje etj. Unë kam punuar dhe punoj shumë, që në këngët e mia të kem artistiken, trendin dhe kultivuarin për kohën.

Duket sikur muzika ka qenë fatsjellëse për ju... e suksesshme në këtë fushë, prej muzikës keni njohur bashkëshortin tuaj, e bashkë me të vazhdoni të sillni për dëgjuesit këngë të mira.

Në jetë duhet të lutemi që të kemi edhe yllin e fatit që na përcjellë dhe e përcjellim. Këtë fat që më kishte kërkuar por edhe e kërkoja vërtet e kam gjetur dhe po ma ndriçon rrugën deri më sot. Sigurisht që me tërë pozitivitetin tim që e kam por edhe e kultivoj, edhe i kam paraprirë.

Ne njohim një Mihrije që është përherë e bukur, që këndon bukur e që e zotëron skenën. Po si është Mihrja jashtë tyre?

Jam Mihrija që e shihni dhe e dëgjoni, jam Mihrija e skenës dhe e përditshmërisë pa synuar asnjëherë që të bëjë kapërcime jo reale.

Më së shumti për çfarë kujdeseni apo e keni me merak?

Jam shumë e përpiktë, e saktë, kërkuese dhe hulumtuese. Koncentrimi im shkon përtej planeve të dukshme. Shpesh në punën e përditshme me pyesin? Si po e sheh atë detaj, atë cikërrimë etj., por ja që kështu jam dhe sigurisht kjo edhe është kultivuar, zhvilluar gjatë jetës dhe brenda kërkesave të mia profesionale dhe jetësore.

Nga daljet televizive bashkë me bashkëshortin tuaj, dukeni një çift që keni humor dhe keni një shkrirje me njëri-tjetrin. A “mërziteni” apo ju mbet hatri ndonjëherë me njëri-tjetrin?

Këtë raport e kemi ndërtuar dhe kultivuar për të qenë sa më real me njëri tjetrin, por edhe natyral para të tjerëve. Neve në paraqitjet tona nuk kemi shumë dëshirë të lëmë hapësirë konspiracionesh ireale si dhe jemi kujdesur që adhuruesi ynë të gjejë vetveten tek ne, te krijimtaria jonë. S‘kërkojmë asnjëherë fajtorë dhe nuk bëjmë fajtorë! Jemi antena që mundohemi maksimalisht të rrezatojmë energji pozitive dhe të marrim atë.

Fillimisht jeni dashuruar me zërin e Naimit, pa e njohur atë dhe kur e keni takuar nuk e keni ditur që ishte Naimi që ju pëlqenit. Ishte e njëjtë pritshmëria që kishe krijuar veç përmes zërit të tij, pasi u takove me të?

Pritjet e mia ishin sipërfaqësore nga ajo që gjeta, dhe jeta paska qenë një gjë e çmuar për mua dhe Naimin që njohëm njëri-tjetrin. Deri më sot mund t’ju them se jeta ime ka shumë përmbajtje e cila i jep jetës kuptimësinë e bukur me plot gjëra, përjetime, e që vet jetën e bëjnë jetë.

Përgjithësisht jeni në çdo koncert apo event muzike bashkë, mund të kujtoni ndonjë nga koncertet që bashkë me Naimin ka qenë i veçantë apo ju ka lënë mbresa?

Oh prapa nesh janë qindra e mijëra koncerte, evente dhe kemi shumë momente nga më të bukurat. Kemi udhëtuar botën, kemi shëtitur dhe kemi kënduar. Në mendje e kam 500 vjetorin e Hores Arbëreshe, festival ky këtu e 25 vjet më parë, por që edhe sot e kujtojmë me pietet e ëmbëlsi, sepse takonim njerëzit e gjakut tonë që kishin ruajtur gjuhën  dhe traditën shqiptare për qindra vjet. Këndimi para mbi 5000 spektatorëve ishte mrekullia vet. Kemi pasur më pas koncerte edhe me nga 12000 shikues, ku kënga dhe vaji kanë qenë prezente. Kam kujtim të veçantë takimin në Pallatin Kongreseve ne Festivalin e parë gjithëkombëtar me 1992 në Tiranë etj.

Djali tashmë është i rritur dhe studion jashtë Kosovës. Si janë raportet me të?

Raporti dhe dashuria për fëmiun qenkan gjëja më mrekullibërëse në jetën e njeriut! Platori është drita e jetës sonë dhe shkëlqimi i saj. Unë personalisht kam raporte, që janë jo vetëm nënë e djalë, por edhe shokë edhe njerëz që mirëkuptojnë dhe kuptojnë njëri-tjetrin jo vetëm në fjalë por edhe në gjeste.

A do e kemi dhe atë një këngëtar apo muzikant të suksesshëm apo... !

Nuk e di! Platori është pianist i shkëlqyeshëm, ka shumë talent por që ne nuk e bombardojmë me kërkesa që të bëhet apo jo këngëtar. Ai studion shkencat Ekonomike dhe të menaxhimit.

Djemtë e familjes tënde (djali dhe bashkëshorti) janë të kujdesshëm në data të veçanta si p.sh festa e gruas. Cila është dhurata më e bukur e bërë ndonjëherë prej tyre ndër vite?

Çdo ditë zgjohen duke më puthur dhe kjo është një dhuratë e përditshme që s’bënë të ndryshoj. Përndryshe më kanë surprizuar shumë herë dhe atë e bëjnë me një taktikë që më gëzon pa masë, më lumturon dhe më mallëngjen.

Ju pëlqejnë surprizat? Nëse po t’i bëni apo t’jua bëjnë?

Dorën në zemër më pëlqejnë shumë e sidomos të mi bëjnë!(qesh)

Dua të ndalemi pak te raporti me familjarët e bashkëshortit tuaj. Si është ky raport? Po me të afërmit tuaj (motrat, vëllezërit, mikeshat)?

Raportet e mia me të gjithë njerëzit që më rrethojnë janë të shkëlqyera dhe unë mundohem që të jap, miqësi, dashuri respekt por edhe familja e Naimit edhe familja ime ma kthejnë bile me kamatë. Jam e kujdesshme që ti uroj, ti ndihmoj në çdo çast dhe jam shumë e lumtur për këtë raport. Në anën tjetër ata janë shumë të kujdesshëm dhe të lumtur për mua dhe unë këtë e shoh, e ndjej dhe e jetoj çdo ditë.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM