Kulturë

Spiro Duni “godet shtetin” me Aristofanin, u jep pushtetin grave

Temat Kryesore

  • Kritikë/ Premiera e shfaqjes “Pushteti i grave” në Teatrin Kombëtar. Në skenë vihen “rrënojat mashkullore” nëpërmjet burrave, që angazhimet e tyre vështirë se e kapërcejnë cakun e gjumit dhe të nevojave personale, dhe gratë duket se janë lodhur nga kjo panoramë pa filtra korrupsioni dhe pasiviteti
Nga Valeria Dedaj

Kur shteti bie në një krizë të thellë, për ta shpëtuar atë çfarë nuk flitet e dëgjohet, nga më të çuditshmet për të gjetur një dalje. Aristofani ka preferuar të sjellë “Gratë në pushtet” (Gratë në Parlament) dhe Spiro Duni e rizgjon këtë zgjidhje simbolike. Një atmosferë skenike që ndiqet nga afresku hiperbolik dhe paradoksal, si dhe nga ironia e hollë e autorit që është ditur të mbahet e gjallë me plotësime të zgjedhura të regjisorit, dhe me përafrime minimaliste, por të goditura të situatës aktuale që tentojnë të shkundin shoqërinë nga letargjia. Në skenë vihen “rrënojat mashkullore” nëpërmjet burrave, që angazhimet e tyre vështirë se e kapërcejnë cakun e gjumit dhe të nevojave personale, dhe gratë duket se janë lodhur nga kjo panoramë pa filtra korrupsioni dhe pasiviteti, prandaj në mënyrë të fshehtë vendosin ta përmbysin situatën, por për ta arritur këtë ato duhet që të shëmbëllejnë në dukje figurën mashkullore.

Leonora (Flaura Kureta) dhe gratë e tjera të qytetit vendosin që të maskohen, si burrat e tyre dhe të inflirtohen në masën e asamblesë së qytetit, për të bërë të mundur aprovimin e dekretit revolucionar që do të kalojë në duart e tyre pushtetin politik. Dhe ja dalin mbanë: fitojnë artificialisht shumicën e votave dhe kështu gratë (e Athinës) shkarkojnë burrat nga detyrat e tyre. Ashtu siç hamendëson Sadiku (Klodian Hoxha) edhe “qeveria e re e grave” do ta mbajë pushtetin, duke u përqendruar te ndryshimet e shumta, që ndodhin gjatë aktit të tretë. Në mesin e skenës, gjenden shkallët ku ndodh edhe zhvillimi i dy ngjarjeve paralele që ka në qendër burrin dhe gruan. Mendimet dhe problematikat që i shqetësojnë ata vështirë se kanë pika takimi.

Në shkallët e para i shtrirë gjendet Janaqi (Naun Shundi), ankesat e tij të forta e të vazhdueshme lidhen me nevojat personale, interesat dhe frikërat vetjake që mund t’i prishin rehatinë. Në të njëjtën kohë bashkëshortja e tij Leonora po vendos për fatin e qytetit përfshirë dhe të Janaqit gjatë mbledhjes së parlamentit që zhvillohet në shkallët më të larta, ku gra në dukje të emancipuara, të nxehta dhe të disponueshme marrin në mënyrë paradoksale vendime të ftohta dhe të prera. Ato vendosin që prona private, pasuria dhe jeta seksuale të jenë të përbashkëta. Në këtë mënyrë nuk do të ketë më arsye përse të kryhen vjedhje dhe të gjithëve do t’u ndahet në mënyrë të barabartë pasuria e përbashkët e administruar nga gratë, të cilat do të kenë të përbashkëta të gjithë burrat dhe mund të bëjnë fëmijë me cilindo prej tyre.

Përse gratë mund të jenë më të afta se burrat?!

Ka dy arsye të forta për të cilat gratë mendojnë se do jenë më të afta për të qeverisur se sa burrat e tyre. Në radhë të parë, ato mendojnë se fakti se janë nëna do t’i bëjë që të garantojnë paqen, duke shmangur dërgimin e fëmijëve të tyre në luftë; dhe në radhë të dytë, duke qenë ato administratore të shtëpive të tyre me siguri do të dinë se si ta përdorin pasurinë publike pa e shpërdoruar. Me këtë provokim Aristofani ka paraprirë në mënyrë tronditëse teori moderne që na prekin neve sot, që për hir të vërtetës (edhe pse në mënyrë teorike), reflektojnë herë pas here një lloj “feminizmi” dhe “komunizmi” veçanërisht kur bëhet fjalë për pushtetin politik.

Qëllimit filozofik të Aristofanit i është bashkëngjitur më së miri trajtimi artistik i Dunit, duke shmangur pasqyrimin e një shteti abstrakt dhe duke e bërë këtë shfaqje një lojë skenike të arrirë. Pasi ashtu siç do ta theksoj profesori “kjo është komedia e Spiro Dunit”, që ironizon më së miri vendimet ekstreme, duke vënë në dukje pasojat e tyre paradoksale. Autori dhe regjisori, bashkëpunëtorë për këtë “goditje Shteti”, që është e destinuar të dështojë përpos premtimeve joshëse, arrijnë t’i japin spektatorit nëpërmjet lojës mendore dhe vizive një ndërthurje emocionesh, që nuk mund të lërë indiferente vëmendjen e tij.

Simbolikat në skenografi

Skenografia e “ Pushtetit të grave” është ndërtuar thjesht në bazë të ndërthurjeve të elementeve simbolikë. Dy ballkone në të majtë dhe të djathtë të saj, në thellësi gjenden shkallët, të cilat herë pas here duket se simbolizojnë pushtetin apo klasat e herë të tjera domethënia e supozuar shkrihet ndoshta për hir të ligjeve të reja, që “gatuajnë” shtëpiaket pushtetare, të cilat tentojnë të zhdukin apo të shkrijnë dallimet e mosbarazitë. Tapeti kuq me të cilat mbulohen, reflektojnë disi fshehurazi teoritë e prirjeve “komuniste”. Perdet e tejdukshme reflektojnë ngjyrën e bardhë, por mund të manipulohen lehtazi, çka bën të mendosh se sa e cenueshme është Kushtetuta e Re. Ndërkohë që në fund të shkallëve, perdet marrin ngjyrën lejla dhe para tyre qëndron varur një gjethe prej ari, që mund të duket si dekorim antik i një vepre artistike, ku ngjyra e florinjtë nuk është e rastësishme.

Edhe njeriu intelektual ka pika të dobëta 

Në krye të ballkonit në krahë të djathtë qëndron profesori, si përfaqësues i klasës intelektuale dhe në mënyrë ironike, mbështetës i flaktë i “feminizmit”, pasi ai e di mirë se çfarë i leverdis. Pasi nëse bëhet fjalë për kënaqësitë personale, profesori zbret në shesh dhe bëhet një me popullin... Por, edhe konceptimi i “njeriut intelektual” ashtu si në jetën reale mund të manipulohet lehtësisht. Herë pas here aty shikojmë Zojan (Rajmonda Bulkun), e cila edhe pse ka një farë distancimi të lehtë në veprime me femrat e tjera i ndjek ato në bindje dhe veprime. Po kështu pushteti do të bëjë që ta shikojmë Leonorën, në të gjitha karriget e larta që i mundësojnë asaj të qëndrojë lehtësisht “mbi të tjerët”. Dy ballkone, intelektualët dhe pushteti përballë. Me lehtësi pushtetarët mund ta zënë karrigen e intelektualëve, edhe pse për një arsye apo një tjetër nuk ndodh e anasjella.

“Vdekja” e teatrit 

Një aktor “i groposur” në shkallët e klasave, që të mbijetojë fizikisht i është dashur të ndërrojë profesion. Aleksi (Helidon Fino) tani merret me tregti dhe duket sikur do të shkëpusë çdo lidhje me teatrin dhe të shkuarën e tij si aktor, pasi ky profesion nuk i ka mundësuar atij një të ardhme. Një kafkë e vendosur përballë tij që herë pas here ai vetë e mban në dorë thuajse instinktivisht e pakuptuar që personifikon “vdekjen” e teatrit.  Po çdo të kishte ndodhur nëse ai s’do të kishte hequr dorë?! Duket se Aleksi teksa shikon aktorin (Laert Vasilin) të endet i uritur e i papunë për plot tre vjet, pa hequr dorë nga pasioni i tij e që ushqehet me idealizma nuk ka dyshime, do ta mbajë larg vetes Shekspirin e sojin e tij. Aktori, madje edhe vetë autorët e mëdhenj të teatrit shikohen me përçmim e tallje, si gjëra të padobishme. Tre vitet e sorollatjes dhe jeta cigane në mënyrë të pavetëdijshme ndoshta kanë bërë që aktori gjatë performancave të tij rastësore të shfaqet i dobët, duke justifikuar deri diku dështimin e tij. Herë pas here ai tenton që të krijojë vargje me rimë, të cilat njerëzit duket se i pëlqejnë, pasi nuk duan mund e as thellime që i konsiderojnë të kota.

Rikthimi i Cergës pas 2 dekadash në teatër dhe distancimi i personazhit të tij nga turma

E ka ndjerë të nevojshme Spiro Duni që prej “Sotirit” të Aristofanit ta krijojë një Sokrat. Një Sotir (Ardian Cerga) të heshtur që fshihet pas një personazhi memec, të cilin regjisori ka dashur ta ketë gjatë gjithë kohës prezent në skenë, i distancuar nga klasat e turmat dhe t’i jap fjalës së tij jetë vetëm në aktin e fundit. Një Sotir që beson tek e drejta, ndoshta edhe prej ndershmërisë së tij naive, por jo të pathyeshme. I ulur në një cep, me pasurinë e tij në karrocë, që vë në dukje mungesat e mëdha që ka, Sotir i urtë dhe i drejtë tund kokën i bindur, pa bërë zë, duke besuar dhe më abstrakten. Duni ka dashur që Sotiri të përshkojë skenën gjatë ndërrimit të akteve, edhe pse prezenca e tij nuk ka asnjë ndikim në zhvillimin e ngjarjeve, sepse i tillë është një personazh pa zë, i prirur për të zbatuar ligjet gjithë jetën pa marrë mundimin të bëjë analiza të mëtejshme.

Kostumografia, nga antikiteti te modernia 

Kostumografia e aktorëve shkrin shumë epoka, duke ndërthurur këndshëm modernen dhe antiken. Tonalitete të lehta ngjyrash,i përzgjedhur nga Laedia Hajdari, si dhe stilime artistike jo rastësore që theksojnë edhe më tepër rolin e personazheve. Pa dyshim që zëri i Elina Dunit dhe muzika jazz e mbështetur në motive popullore bën edhe më shumë të mundur, që ritmi i shfaqjes të mos bjerë në monotoni veçanërisht gjatë ndërrimit të skenave.

Shfaqja, vijon sonte e nesër, ora 19:00 në Teatrin Kombëtar, nën interpretimin e aktorëve: Flaura Kureta, Naun Shundi, Helidon Fino, Laert Vasili, Rajmonda Bulku, Elia Zaharia, Ligoraq Riza, Sokol Angjeli, Ardian Cerga, Karafil Shena, Andon Koço, Gladiola Harizaj, Niada Saliasi, Luli Hoxha, Gjergj Mena, Klodian Hoxha, Dori Çaushi, Julinda Emiri.

Skenograf: Fatbardh Marku, kostumografe: Laedia Hajdari, kitarë: Klement Marku; violinë: Zeqir Sulku, koreograf: Artan Ibërshini; balerinë: Xheni Saliu, Romina Taga, Erlinda Matoshi, as/regjisor: Pëllumb Dervishi, muzika:Elina Duni.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

1 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM