Kulturë

Flokët të rinjtë të frymëzuar nga VIP-at, drejt ekstravagancës

  • Alma Çuka
  • 15 Prill 2017, 09:02
  • Përditësuar 09:02
floket

Brunilda Gorovelli

Pamja e jashtme është shumë e rëndësishme për shumë njerëz. Rëndësia e saj rritet akoma më shumë kur je një person publik, apo të duhet të ndjekësh një rrugë që të çon drejt të qenurit publik. Stilet e veçanta të prerjes, ngjyrat kaq ndryshe të flokëve tek të rinjtë gjejnë vend për t’u aplikuar. Personazhet tona të kësaj javë janë dy emra tashmë të njohur për publikun shqiptar. Që të dy kanë marrë pjesë në “The Voice of Albania”, e që të dy me stile të ndryshme, por që rruga e tyre në këtë shfaqje ishte e shkurtër. Lis Asllanaj është një djalë 18-vjeçar nga Maqedonia. Ai tregon lidhjen që ka me modelet e flokëve e nga kush e ka huazuar ai këtë.  Duket që Asllanaj është një i ri që ka lindur në një familje që mediet në Maqedoni e quajnë familje moderne, e kjo për shkak të stileve dhe mënyrës së tyre te jetesës. Këtë në një farë mënyre e konfirmon vetë edhe Lisi, i cili tregon se lyerjen apo prerjen e veçantë të flokëve e ka të “imponuar” nga nëna e tij. Ngjyra e tij natyrale e flokëve ka qenë kafe.

Flet dhe këngëtarja Arjeta Palushaj: Frymëzohen nga koha, punët dhe lulet e pjeshkës

Arjeta Palushaj

Një tjetër vajzë plot stil e njëkohësisht me sharm është Arjeta Palushaj, e cila jo vetëm stiliste në rroba, duket që është “stiliste” e pamjes së saj.  Piktore, stiliste dhe këngëtare një artiste e cila kujdeset vetë për të gjitha, me pak fjalë e kompletuar.

Keni një stil të veçantë të flokëve, si në prerje dhe ngjyrë, na fol pak për marrëdhënien që ke me flokët?

Marrëdhënia ime me flokët është shumë e veçantë dhe e thellë në fakt...përtej estetikës...Nëse jam keq me humorin, nëpërmjet flokëve jam në gjendje ta ndryshoj totalisht gjendjen time shpirtërore. Mjafton të hap 'depon' time me bojëra e gjëra, marr gërshërët dhe i futem punës. Nuk e shikoj dot veten 2 ditë me një stilim flokësh. Ndjehem gjithmonë e rigjeneruar, duke qenë në ndryshim të vazhdueshëm dhe them se është kënaqësi edhe për njerëzit që më shohin. Shohin gjithmonë diçka ndryshe te unë, mbase atë që vetë nuk guxojnë ta bëjnë. Kështu që e lumtur unë,e lumtur bota (qesh). Ndjehem pak si Samsoni në bibël në fakt,sikur gjithë forcën e kam tek flokët. Nëse kam flokët në rregull,çdo gjë është në rregull. Pastaj, gjëja e parë që mendojmë kur fillojmë të përshkruajmë dikë janë flokët, elementi më identifikues. Shpesh më kërkojnë emrin e parukierit dhe realisht surprizohen kur u them që jam vetë parukierja. Ndjehem mirë sigurisht sepse si piktore, stiliste, këngëtare kjo më bën më të kompletuar si artiste. Flokët për mua janë art më vete. E shikoja gjithmonë si pjesën e të bërit art në mënyrë të shpejtë, duke i kombinuar gjithmonë dhe me veshjen e duhur.

Keni dashur gjithmonë të dukeni ndryshe apo kjo dëshirë ju ka lindur së fundmi?

Gjithçka ka filluar diku para më se 13 viteve, ku për të disatën herë e pakënaqur nga parukierja, mora gërshërën   dhe guxova t’i prisja vetë. Në fakt guximi është goxha i lexueshëm tek flokët e mi, që fatmirësisht e kam në dozë të lartë. Mund të isha pak më e mëshirshme me flokët mbase por nuk iu rezistoj dot bojërave dhe gërshërës.

Kohët e fundit në vendin tonë vajzat kanë filluar të  eksperimentojnë me ngjyrën e flokëve, ju si ju shohin shokët, miqtë apo familja juaj?

Të afërmit dhe familjarët e mi tashmë janë mësuar. Jam mësuar dhe unë me epitete nga më të ndryshmet si:flokë  i çmendur, furtunë,çmenduri etj. (qesh) Edhe babai im, tipiku fanatik shqiptar tashmë është bërë të më sugjerojë ngjyrat e flokëve (qesh). Vajzat kanë filluar të eksperimentojnë duke qenë se ngjyrat janë trend i momentit, por shpejt u rikthehen nuancave natyrale. Ndërsa tek unë ngjyrat dhe stilimet e guximshme janë trend i përhershëm...

Nga frymëzohesh?

Frymëzimet për flokët vijnë nga elemente nga më të ndryshmet… Përveç influencës nga imazhet e ndryshme në internet, mund të frymëzohem nga një punë që mund të jem duke bërë (pikturë,veshje) ose nga koha. Një ditë zgjohem me shi me vjen të hap qiellin dhe i fus një blu kokës. Një ditë të bukur me diell u frymëzova nga lulet e pjeshkës që po shihja nga dritarja dhe i imitova në kokën time (qesh).

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

8 + 4 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM