Kulturë

Zinni Veshi me 38 vepra në Galerinë e Arteve

Temat Kryesore

  • Piktori Zinni Vesh rikthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve me ekspozitën “Për tej të figurshmes”. Tablotë e Zinni Veshi-t kanë karakter figurativ, ekspresionist dhe i kushtohen figurës njerëzore. Në to prezantohet dremitja, ëndrrat, iluzionet, zakonet, monotonia dhe sokëllimat
Nga Valeria Dedaj

“Për tej të figurshmes” nuk ka nevojë e as mundësi për koncept që projekton e prodhon ekspozitë, do të jetë tabloja vetë edhe projeksioni që ekspozon vetiu koncepte. Qenia në të, do ta gjurmojë po vetë rrugëtimin e zgjedhur, duke qenë njëherazi udhërrëfyesja e saktë e destinacionit, për këdo që, përveç pikturës si e tillë, do ta kishte edhe një të tillë kuriozitet. Kështu i përshkruan kuratori Krenar Zejno veprat e artistit Zinni Veshi,  në ekspozitën “Për tej të figurshmes”. Janë 38 vepra nga koleksioni i tij, por edhe nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, që prezantohet sot në GKA, ora 18.00.

Zinni Veshi është piktori i figurës njerëzore, qenies. Çdo tablo është një ekspoze portreti në grup, ashtu si dhe një ekspozitë portretesh, por duke e shtyrë portretin dhe trupin kah zhbërja piktorike. Drejt fytyrës së pafytyrë. Është si një agregat treni të nëndheshëm, me profile të kudondodhur, nëpër stacione të pa fiksuara. “Por, vërtet, nga vijnë e ku shkojnë këto qenie që tërheqin natën me vete, në artin e Zinni Veshit, e bashkë me të dremitjen, kushedi dhe ëndrrat, iluzionet, zakonet, monotoninë, tok me sokëllimat?! Nga ana e bashkëkohësisë artistike, kuptohet, do shkojnë për aty ku janë nisur: tej të figurshmes, kah poetika e shfigurimit piktorik. Te bashkëkohorja e vërtetë e vajit në kanavacë. Pra, në kanavacën vërtet bashkëkohore”.

New York-u, qyteti ku jeton autori dhe mpikset tabloja e tij është si një stacion koincidence, porse tipik për t’i dhënë ngarkesën urbane subjektit. Ndërkohë që adresa stilistike është tepër e saktë, e shënjuar rigorozisht për të na udhërrëfyer drejt një thelbësie integrale, koherente, pa rënë në eklektizëm dhe duke i qëndruar vetvetes.

Forca centrifuge, ngjeshur nën tension e energji, do ta bënte çdo pjesëz fragment të tablosë të rikrijonte të tërën. E për këtë lypset edhe mjeshtëria e përmbushjes së atij dallimi nga shtresa te shtresa, që i jep ritmin dramës dhe dramacitetin kësaj ritmike, si dhe mundësinë për ta shquar e ndjerë edhe shikuesi, shkruhet në tekstin e përzgjedhur për të na prezantuar krijimtarinë e këtij artisti.

Ekspozita Zinni Veshi – “Për tej të Figurshmes” - shtrihet në paraqitjen e një koleksioni prej  38 punimesh nga koleksioni i veprave të artistit dhe 6 vepra nga koleksioni GKA, Tiranë. Nga koleksioni i artistit do të ekspozohen njëzet punime / kompozime në pikturë (me figura njerëzore), tetëmbëdhjetë grafika e vizatime me portrete njerëzore të pa ekspozuara më parë. Gjashtë veprat që ndodhen në fondin e GKA-së, i përkasin periudhës 1986 -1990 dhe janë kryesisht peizazhe në vaj dhe portrete. Tablotë e Zinni Veshi-t kanë karakter figurativ / ekspresionist dhe i kushtohen figurës njerëzore. Gjithashtu artisti Veshi realizon edhe tablo dekorative abstrakte me penelata të gjera e me ngjyra pastoze. Ekspozimi i koleksionit do të organizohet në sallën e ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Krenar Zejno

Këtu mund të ishte një tablo…

Porse, ja që nuk është! Nuk është fjala as për atë slogan publicitar në spaciot zgavra boshe që s’po munden dot të shiten: këtu mund të ishte reklamuar produkti juaj. Nuk është fjala as se na mungon vetë tabloja për ta vendosur imazhin e saj këtu. Në një farë mënyre, edhe tabloja ekziston faktikisht si objekt. Mu këtu afër, në një si punë salon recepsioni në rrugën “Komuna e Parisit”. Dhe nuk është se i mungon gjë objektivisht asaj. Megjithë grabitjet, nëpërkëmbjet në qarkullimet dorë më dorë, ajo prehet aty ku e gjetëm, kur me autorin e saj e tumirëm vitin e shkuar dhe e lamë po aty. Vajza delikate, kokëmënjanë e puqur faqen te violina, duke luajtur një melodi, qe ende më këmbë. Po ajo. Siç qysh mbi tri dekada më parë. Kur për muaj të tërë e pata ndjekur e parë ndër seanca të gjata të ngrehej, nga kanavaca e shtrirë në parketin e dhomës së gjumit, e mëpastaj të shtriqej e t’ia niste të ngiste nën gishtat hollake muzikën e saj dhe të kohës kur ende nuk dinim për Pollok a Rihter dhe pikturimin me telajon shpaluar mbi dysheme, dhe ende pak për kapela sistine e gishta të zgjatur edhe mëshirë në tavan. Në shpinë të vajzës, po ai sfond peisazhi urban, me kullën e sahatit tek bën një hap përpara dhe e shpon tablonë pingul me shtrirjen horizontale të një teli që e përshkon atë, e në të cilin janë ndehur të flladiten nën kapëse gjyra-ngjyra partitura pentagramesh. Drama artistike përmbushet këtu, tragjedia pak më vonë…

Biografia

Zinni Veshi ka lindur në Vlorë. Pasi përfundoi Liceun Artistik, nisi studimet e larta për Pikturë Monumentale në Institutin e Lartë të Arteve (1981-’85). Ka nisur që të pikturoi shumë herët. Fillimisht në mënyrë intensive për të ushqyer botën e tij të brendshme, edhe më vonë e ka pasur artin, si mjet nëpërmjet të cilit ka shprehur dhe shpenguar vetveten. Ai gjatë periudhës së sistemit komunist renditej tek artistët premtues, në pikturë dhe skulpturë. Jeton dhe punon në Neë York që nga viti 1966. Në vitin 1998 ndoqi studimet në Institutin Pratt, në Brooklyn. Është shpallur fitues i Çmimit “Delacroix”, Institutin Pratt, Brooklyn, NY 2000. Tai Chi ka pasur një ndikim të madh në krijimtarinë dhe punën e tij; duke rritur nivelin e energjisë së tij të brendshme.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM