Kulturë

Anagnosti: Historia nuk mund të fshihet me gomë

Temat Kryesore

  • Nominohet për Çmimin Europian të Letërsisë romani “Mjaltë në teh” i poetit dhe shkrimtarit Romeo Çollaku. Ngjarjet në romanin “Mjaltë në teh” të Çollakut zhvillohen në vitet 1943-’67 dhe vendosen në një katund të izoluar, mes maleve të Jugut
Nga Valeria Dedaj

Aktorja Roza Anagnosti rrëfeu dje për studentët e Tiranës rrugëtimin që ka bërë në art, por edhe në jetë, si bashkëshorte përkrah regjisorit Dhimitër Anagnostit. Ajo e konsideron veten me fat, sepse gjatë punës në teatër emocionet i ka marrë në skenë, ndërsa në film gjatë gjithë jetës. Për artistin duhet talent dhe vokacion, por duhet edhe vullnet për punë mendon aktorja e njohur.

Portreti i një artisti është një libër i hapur, që sipas artistes, komunikon me spektatorin nëpërmjet personazheve edhe karaktereve që realizon.Jeta e artistit ka bukuritë dhe vështirësitë e veta. Unë e kam filluar të punoj si aktore në Shkodër. Kam punuar në Shtëpinë e Pionierit, në Pallatin e Kulturës, në Teatrin “Migjeni” etj. Kam qenë në operën e parë shqiptare, në numrin e parë të estradës, në teatrin e ri, që u inaugurua, pasandaj krahas teatrit më zbuluan dhe artistët e filmit”, tregon Anagnosti. Ndonëse, sot aktorja numëron rreth 120 role në film dhe teatër, për herë të parë ka interpretuar rolin e murgeshës në filmin “Migjeni” me regjisor Gëzim Erebarën. “Puna ime ka qenë hap pas hapi. Një punë plot përkushtim dhe dashuri, ku talenti dhe puna në vazhdimësi, luajtën rol të rëndësishëm pavarësisht pengesave.

Ne jetuam në një kohë të vështirë, të cilën nuk e zgjodhëm vetë, por na i dha ai i madhi Zot, edhe prindit që na lindën. Megjithatë mendoj se në çdo kohë njeriu jetën e tij e bën si mundet”. Fat i madh për aktoren ka qenë edhe njohja me regjisorin Dhimitër Anagnostin, i cili më vonë do të ishte bashkëshorti i saj, në filmin “Toka jonë” me regji të Hysen Hakanit. “Në fund të filmit ne u fejuam. Ishte një dashuri nëpërmjet punës, por shumë e pastër. Ishte fat për mua, që ishim të dy në një profesion. Me një bashkëveprim të shkëlqyer, ne vazhduam karrierën tonë dhe bëmë dy fëmijë. Me gjithë varfërinë tonë fëmijëve nuk u mungonte asnjë gjë”. Për Roza Anagnostin artisti nuk është thjesht aktor, sepse ka një qëllim. “Nëse një njeri vjen dhe thotë se artisti është në piedestal, atëherë duhet që ta mbajë atë piedestal në çdo drejtim, sepse ndryshe prish ëndrrën!”.

Artistja tregon se hera-herës ka kam qenë e detyruar, që të kufizohet në punën si aktore, në mënyrë që mos të zhgënjente në atë që përcillte nëpërmjet syrit dhe shpirtit. “Në film nuk mundet të gënjesh. Por, ishte fat për mua që Anagnosti nuk më ka penguar, por më ka motivuar vazhdimisht në punën time”. Pas këtij rrëfimi u prezantua edhe një kolazh me disa nga filmat më të suksesshëm ku ka interpretuar Roza Anagnosti, si; “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit të vitit 1977, “Mesonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medaljonin e dytë etj. Artistja recitoi edhe disa poezi, si “Gjuha”, “Nëna” nga Heinrich Heine, “Eliza” të Robert Burns, vargje të Nënë Terezës etj. Në fund të takimit pati edhe një bashkëbisedim mes artistëve edhe studentëve.

Zonja Anagnosti, nga karriera e gjatë artistike, cili është momenti më i bukur që do ta veçoje?

Ka shumë momente të bukura! Nuk mundet të jetë vetëm një në një karrierë kaq të gjatë. Vërtet që takimi me Dhimitrin është një moment i mrekullueshëm, por edhe rolet e para të japin shumë kënaqësi. Kujtoj rolin e Norës në Shkodër, për të cilin jam vlerësuar me çmim. Nga ky rol marrë kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse prej tij ndodhi dhe zbulimi im si aktore. Kur erdha nga Shkodra në Tiranë isha vajzë e re, por fakti që isha marrë me gjimnastikë dhe me kurse baleti më ka ndihmuar shumë në film. Gjatë asaj periudhe shumë shpejt u bëra e njohur. Kjo ka qenë një gjë shumë e madhe për mua, sepse edhe më mbrojti, kur filloi lufta e egër e klasave në Shqipëri. Asokohe unë isha zbuluar, si artiste edhe nuk ishte e kollajtë, që të më hiqnin nga ekrani.

Po momenti më i vështirë?

Pengje kam, por në tërësi kam qenë e plotësuar, sepse familja (vajzat) vazhdojnë dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe. Megjithatë, mua më pëlqen që të mos ndalem te vështirësitë, por që të shikoj përpara.

Sa e vështirë ka qenë për ju që të ishit bashkëshorte edhe aktore njëkohësisht?

Ne kemi pasur organizim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, sepse secili bënte punën e tij në familje. Edhe fëmijët kur kanë qenë të vegjël kanë bërë sakrificat e tyre. Kuptohet që ka pasur momente të vështira, sepse kur Dhimitri niste një film kërkonte angazhim të jashtëzakonshëm. Nuk duhet ngatërruar kjo, sepse është art që ka brenda shumë komponentë. Filmi është art edhe arti nuk ka kohë. Këtë e kanë thënë filozofët. Kuptohet që në periudha të ndryshme një film shihet ndryshe. Ndryshe e kanë parë atëherë, ndryshe e shohin sot dhe ndryshe do ta shikojnë nesër.

Avokati Saimir Vishaj: Flitet për filmat e kohës suaj, që të hiqen pjesërisht apo tërësisht. Cili është mendimi juaj për këtë?

Për filmat nuk më pëlqen të hyj në polemika, jo sepse nuk dua, por sepse unë nuk jam për ndalimin e filmave. Pse? Sepse, jemi në demokraci. Unë jam për rregull, ku të ketë një përzgjedhje artistike. Nëse një film nuk ka vlerë ideore edhe artistike atëherë nuk ka vlerë, sepse i jep “ushqim” të pakëndshëm audiencës. Por, sot ka shumë “ushqime”. Edhe nëse ia ndalon mundet që t’i gjejnë në “Youtube” të gjitha. Këtë gjë unë nuk e kuptoj. Jam artiste dhe dua të mbetem e tillë deri në fund. Mendoj se të rinjtë sot dinë të dallojnë se çfarë duhet edhe çfarë jo. Ne jetuam në një kohë të cilën nuk e zgjodhëm vet, që na bëri Zoti dhe prindërit tanë ta jetojmë. Kjo gjë kërkon diskutime me profesionistë edhe me historianë. Unë jam për këtë. Për disa figura kjo është një dhimbje e madhe, që asgjë nuk ua shëron, mendoj se janë vepra me emocione edhe aktorë të mrekullueshëm. Ne aktorët jemi pasqyrë e juaja. Në sytë tanë është një libër, ku shumë njerëz shohin veten. Duke i ngacmuar filmat unë mendoj se kjo do t’i shqetësojë më shumë. Mua më kujtohet Martin Camaj, i cili edhe pse pati një jetë dramatike, një ikje të vështirë në emigrim, dhimbjen e tij e ktheu në punë, në energji të jashtëzakonshme për kulturën dhe albanologjinë shqiptare.

Dhimitër Anagnosti: Nuk e fshij historinë me gomë

Regjisori Dhimitër Anagnosti për herë të parë flet për debatin që është krijuar rreth ndalimit të filmave, që janë realizuar në kohën e komunizmit dhe që kanë përmbajtje propagandistike.

Kur Shqipëria u bë shtet ateist u mbyllën të gjitha kishat dhe manastiret. U bënë pallate sporti. Një çmenduri e asaj kohe, por, ne jetën tonë e kemi bërë në tërësinë e vlerave, që ka krijuar kjo gjuhë dhe ky komb. Duhet të jemi krenarë për atë që ne dimë dhe dhamë, qoftë profesionale apo edhe shpirtërore. Unë e ndiej veten shumë mirë me atdheun tim, me historinë time dhe gjithçka tjetër. Shpresoj që edhe fëmijët tanë të ecin me këtë mendim, sepse për të krijuar dhe luftuar, për të sjellë vlera ka gjithmonë mundësi”, thotë Anagnosti.

Regjisori mendon se ky është një debat, të cilin nuk e konsideron problem, sepse vlerat do të vazhdojnë që të ekzistojnë. Sipas tij, nëse dikush nuk do të shikojë një film, mundet të fikë televizionin, ose të shikojë diçka tjetër. “Ato janë krijimtari, që janë krijuar në një kohë të caktuar, ku shteti ishte monist dhe Partia e Punës thoshte: Artistët janë ndihmës të Partisë së Punës në edukimin komunist të masave. Pra arti ishte propagandistik e përgjithshme e kohës”. Ndërsa, për faktin që ky debat po argumentohet, si një dëm që i bëhet veçmas shtresës së ish- të presekutuarëve, Anagnosti thotë në këtë temë nuk mundet të thellohet. “Unë nuk mundet që të thellohem në gjithçka, qoftë kjo edhe e drejta e ish- të presekutuarëve, por unë nuk fshij me gomë historinë. Njerëzit e di që kanë vuajtur, kanë kaluar preskutime, burgje edhe emigrime në skuta të Shqipërisë, kjo është fatkeqësi, sepse ishte një kohë shumë e vështirë”.

 

 

 

 

 

 

 


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

7 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM