Ekonomi

Çfarë po ndodh me ekonominë e shqiptarëve? Të dhënat flasin për rënie të ndjeshme ekonomike

giving-money-to-the-poor-clipart-panda-free-clipart-images-6XnUVJ-clipart

Ndonëse treguesit e punësimit raportohen të kenë shënuar përmirësim të ndjeshëm muajt e fundit në sektorin privat, kjo nuk është reflektuar në paratë që mbledh buxheti nga tatimi mbi të ardhurat personale. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, zëri i tatimit mbi të ardhurat personale solli 5.4 miliardë lekë në buxhet për periudhën janar-shkurt 2017, me një rënie prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe në raport me planin e parashikuar kur u hartua buxheti (që u la pothuajse i njëjtë me faktin e 2016-s), të ardhurat nga ky zë janë 6.1%, apo 354 milionë lekë më pak. Situata është e ndryshme nga viti i kaluar, ku në janar-shkurt 2016, të ardhurat nga TAP u rritën me 44%. Për gjithë vitin 2016, të ardhurat nga TAP u rritën me gati 6%, për të arritur në 31.5 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të detajuara nga Tatimet, për vitin 2016, peshën kryesore në mbledhjen e TAP e zënë të ardhurat nga tatimi mbi pagën në sektorin privat, me 35% të totalit, më pas renditen pagat në sektorin shtetëror, me gati 20%, tatimi mbi të ardhurat e tjera në burim, me rreth 15%; nga qiratë rreth 12%; nga interesat rreth 9% e të tjera.

Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka po nxit një skemë të shmangies ndaj taksave, teksa individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%.

Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (Tatimi mbi të Ardhurat Personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurave nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë, bizneset kategorizohen si i madh dhe paguajnë 15% tatimfitimi. Pikërisht këto shtigje ligjore po i nxisin individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël./Monitor

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

9 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM