Kulturë

Dijetarët s’janë marrë me shkaqet pse letërsia shqipe është dy gjuhëshe

Temat Kryesore

  • Shkrimtari nderohet në Kosovë me çmimin “Letërsia Shqipe”. Kadare shprehet se gjuha shqipe është e vetmja gjuhë në Europë e ndaluar nga një dekret mbretëror. Kjo është një nga arsyet se përse letërsia shqipe është dygjuhëshe
Nga Valeria Dedaj

Shkrimtari Ismail Kadare u vlerësua dje në Kosovë me çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Kadare, e cilësoi këtë çmim, si një ndër më të rëndësishmit, që ka marrë në karrierën e tij, si shkrimtar. Çmimi iu dorëzua shkrimtarit për kontributin e madh që ka dhënë në letërsinë dhe gjuhën shqipe, jo vetëm në trevat shqipfolëse, por në mbarë botën. Vlera monetare e çmimit është 10 mijë euro. Ky çmim u jepet personaliteteve, shtetas të Kosovës, Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër, që ka dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Fazli Gajraku: Veprat e Kadaresë në bibliotekën tonë, që në vitet ‘70

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Fazli Gajraku, gjatë ceremonisë që u zhvillua në ambientet e këtij institucioni i shprehu mirëseardhjen Ismail Kadaresë dhe zonjës Helena Kadare. Ai risolli në kujtesë së pari një viti në BK të Prishtinës dhe në BK-në e Tiranës u organizua një konferencë shkencore për rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të nderuar zoti Kadare. Më tej Gajraku u shpreh se për shkak të dhunës politike BK-ja e Prishtinës ka jetuar momente shkurajimi në historinë e saj.

Kultura shkrimore e shqiptarëve u ballafaqua me ndalesa tinëzi. “Të njëjtin fat pati edhe vepra e Kadaresë, ndërsa tani të gjithë librat dhe dorëshkrimet mundet të lexohen”. Kadare për lexuesin e Kosovës është shkrimtar i zemrës. “Të gjithë kemi kujtesën, që librin e Kadaresë ta lexojmë. Fatet njerëzore në veprën e tij janë më të kapshme. Ai nuk është në moshën e shkrimtarëve kalimtarë, që ecin apo shtynë njëri-tjetrin. Ai është i përhershëm”. Drejtori thotë se vepra e Ismail Kadaresë nuk është lënë asnjëherë pas dore në BK. Libri i parë në këtë bibliotekë është “Princesha Argjiro” (1970), dhjetë vjet më vonë botimi dhjetë vëllimesh.

Ndue Ukaj: Vepra e Kadaresë kaloi nëpër ferrin komunist edhe u shfaq si fanar shprese

Shkrimtari Ndue Ukaj argumentoi rolin që ka Ismail Kadare në letërsinë shqipe. Ai u shpreh se Kadare është autori më përfaqësues i letërsisë shqipe, krijimtaria artistike e të cilit ka krijuar një lidhje organike me identitetin kulturor të shqiptarëve, duke qenë pasqyrimi më i mirë i tij. “Vepra e tij ka kapërcyer kufijtë gjuhësor shqiptarë që prej kohësh zë vend meritor në hierarkinë dhe letërsinë e përbotshme”. Më tej Ukaj citon Ibrahim Rugovën, si një nga kritikët e letërsisë shqipe, që në vitin 1980 në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë” shkruante se: “Kadare përgjigjet për çështjet të rëndësishme dhe të ndërlikuara, pa kompleks autoriteti dhe pa imponim inferioriteti”.

Prandaj Ukaj mendon se ai sot është një nga autoritetet më të rëndësishme të letërsisë sonë në rang ndërkombëtar. “Ismail Kadare ekziston nëpër metropole. Prandaj në rrjedhë të kohës është çliruar nga kompleksi i metropoleve. Me një përkushtim të pashoqë edhe kulturor ka bërë një punë të jashtëzakonshme për afirmimin dhe njohjen e gjuhës shqiptare nëpër metropolet e botës, duke u bërë një nga shkrimtarët më të mirë botëror”. Ukaj shton se Kadare me fuqinë e artit të tij letrar ka bërë që letërsia shqipe të hyjë dinjitetshëm në hartën e letërsisë botore, aty ku hynë vetëm titanët e mëdhenj. Të gjithë ata që merren me letërsi dhe e njohin botën e saj, sipas Ukajt, e dinë se aty hyhet vetëm nëpërmjet vlerave të veçanta. “Është e dallueshme se cilat janë vlerat në veprën e Kadaresë.

Vepra e tij vazhdon të magjeps dhe të mahnitë botën e madhe të letërsisë, duke dëshmuar se letërsia ka gjithmonë fuqi që t’i ofrojë njeriut gjëra të reja dhe t’i çlirojë njerëzit nga dalldisjet delirante, duke i shpurë tek imagjinata, e bukura, e madhërishmja edhe e përhershmja”. Ukaj thotë se krijimtaria letrare e Kadaresë kaloi nëpër ferrin komunist në atë kohë, kur e keqja tregonte fytyrën e egër të zhbërjes, urrejtjes, mizorisë dhe absurdit. “Në këtë periudhë zymtësie dhe topitje shpirtërore vepra e tij u shfaq si fanar shprese, që ndërtonte se matanë errësirës është drita, edhe se tiranët pavarësisht se kush janë dhe sa të fortë janë, një ditë do të bien përtokë”. Në këtë mënyrë Kadare u kthye në orakull shprese, shton Ukaj. Ndërsa vepra e tij në melodinë me të cilën kumbon, si zëri i lirisë, po ashtu shpreh dhe mospëlqimin ndaj së keqes për tiranitë njerëzore. “Ismail Kadare nuk pranoi fundin e njeriut, por ai shkroi duke mos na lejuar asnjëherë të harrojmë. Lartësoi gjuhën edhe letërsinë shqipe”.

Ismail Kadare: Fati i leximit shqiptar është i pandarë nga fati i gjuhës shqipe, e cila është një gjuhë me aksidente në jetën e saj

Para se të bëhej seanca e nënshkrimit të librave, që është një farë ceremonie, që çdo shkrimtar në botë e dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër, Ismail Kadare falënderoi zyrtarët, por mbi të gjitha lexuesit, që u bën shkas për këtë takim. Ai u shpreh se ky çmim i dhënë në Kosovë ka domethënie më tepër se një çmim për të, edhe rrjedhimisht i jep kënaqësi më tepër se çdo çmim tjetër. “Jam i lumtur kur e mendoj se po e marrë këtë çmim në bibliotekën e Kosovës”, tha shkrimtari, duke shtuar më tej se, bibliotekat janë pjesë e mbretërisë së lexuesve. “Shkrimtarët jetojnë falë bibliotekave dhe lexuesve. Letërsia është arti më i vjetër në botë. Ka rreth 3000 vjet që ekziston. Mijëvjeçari i parë i saj nuk ka njohur lexues, sepse nuk kishte lexues, por kishte vetëm dëgjues.

Pra këtë takim nëse do ta bënim 3000 vjet më parë do të thosha: Të dashur dëgjues të Kosovës. Por për fatin tonë të mirë kombi dhe njeriu shqiptar ka sot lexues të mrekullueshëm, ka qindra vjet që lexuesi shqiptar lexon”. Kadare shton se lexuar, lexuesi është gjithmonë edhe më i mençur, më i dobishëm edhe më i ndritur nga ana mendore, aq më tepër për faktin se fati i leximit shqiptar është i pandarë nga fati i gjuhës shqipe, e cila është në fakt një gjuhë me aksidente dramatike në jetën e saj. “Është e vetmja gjuhë në Europë e ndaluar nga një dekret mbretëror. Kjo është një nga arsyet se përse letërsia shqipe është dygjuhëshe. Ne këtë nuk e përmendim shpesh, sepse nuk dimë ta shpjegojmë. Por as shkencëtarët tanë, që ndonëse janë dijetarë dhe duhet të shpjegojnë çdo gjë, me këtë gjë nuk janë marrë. Kjo nuk na turpëron, por na nderon se, letërsia shqipe është e vetmja që e ka historinë e saj, qenien e saj në dy gjuhë, shqip dhe latinisht. Ashtu sikurse, ky është tipar i të gjithë kombeve të mëdhenj të Europës”, përfundoi Kadare .

Motivimi për çmimin “Letërsia shqipe për Ismail Kadarenë”

Profesor Osman Gashi gjatë ceremonisë lexoi motivimin për çmimin “Letërsia Shqipe”, Ismail Kadare.Në historinë e letërsisë shqipe nuk ka një shkrimtar tjetër, sikundër Ismail Kadare, i cili ka shpërfaqur në mënyrë aq të thellë edhe të plotë postulatet themelore të identitetit shqiptar. Sigurisht që, edhe në këtë kontekst do të mundet që të përshfaqim edhe emra të tjerë krijuesish të periudhave të ndryshme, si D Rada, Çajupi, Naim, Mjeda, Fishta etj., mirëpo duke pasur gjithnjë parasysh diapazonin më të vogël të influencave apo të njohjes së tyre për shkak të hapësirës së fragmatizuar kulturore, politike apo letrare në kohën kur ata kishin jetuar dhe krijuar”, shprehet Gashi. Trekëndëshi Shqipëria-Ballkani-Evropa është temë e përhershme në veprat e Kadaresë, madje këtë ka thënë edhe Kadare në një nga intervistat e tij, ku është shprehur se nuk ka problem të Ballkanit-ballkanas-ballkanasve apo të Shqipërisë, shqiptar- shqiptarëve. “Nuk ka problem të asnjë populli të gadishullit pa qenë i lidhur me Europën. Ismail Kadare është shkrimtar i botës ballkanike, i botës sonë. Me këtë çmim nuk nderojmë vetëm Kadarenë, por të gjithë armatën e apasionuar pas letërsisë së tij”.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

6 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM