Kulturë

Në Brindisi ekspozita personale e artistit që mbërriti në Itali

Temat Kryesore

  • Me rastin 20-vjetorit të tragjedisë së Kater i Radës artisti shqiptar çel një ekspozitë personale në Brindisi të Italisë. Në prodhimtarinë e tij artistike Prelashi ndërthur elemente të pikturës, videos, fotografisë dhe instalacionit
Nga Valeria Dedaj

Ekspozita personale e artistit shqiptar Parlind Prelashi, u inaugurua këtë 28 mars me rastin 20-vjetorit të tragjedisë së Kater i Radës, dhe do të qëndrojë e çelur deri në 31 maj 2017. Prelashi ka mbërritur në Salento si klandestin në vitin 1994, ndërsa sot prodhimtaria  tij e artit bashkëkohor konfirmon se ai eksod i vitit 1991 ishte një emigracion i vërtetë kulturor, gjatë të cilit në brigjet salentine zbarkuan shumë artistë të rinj, për t’u integruar në lëvizjet e sistemit artistik perëndimor, ashtu siç u dëshmua në Puglia me ekspozitën “Emigrantët”, të realizuar në vagonët hekurudhor në vitin 2010, në të cilën mori pjesë edhe artisti nga Lezha. “Pas ekspozitës ‘Emigrantët’, në vitin 2010, së bashku me organizatorin e projektit Antonio Galloso ideuam dhe zgjodhëm një titull për ekspozitën tonë dedikuar eksodit të shqiptarëve në brigjet adriatike në vitin 1991; na u duk i përshtatshëm “Ëndrra italiane”, pasi ishte një tematikë, që mund të trajtohej në këndvështrime të ndryshme dhe që ne e prezantuam në institucione të ndryshme, derisa u bë një projekt ekspozitë udhëtuese”.

Në prodhimtarinë e tij artistike, shkruan “Brindisiweb” Prelashi ndërthur elemente të pikturës, videos, fotografisë dhe instalacionit me referime bindëse nëpërmjet mjeteve të ndryshme shprehëse, midis të cilëve ai përshtat më së miri subjekte dhe tema të vetat. Argument i punimeve të tij përmblidhet me ironi “Me Titull”, konfirmon ai: “Veprat e mia i titulloj ‘Me titull’, ndërsa videot i emëroj me numra 1 ose 2 ose 3..., për të vënë disi në lojë fenomenin e veprave të artit. ‘Pa Titull’, trajton shpesh afrinë/ përballjen midis identitetit ballkanik dhe ndikimeve kulturore perëndimore, që vijnë nga eksperienca e tij si emigrant në Itali dhe nga integrimi në përgjithësi. Mbizotërojnë personazhe të mbuluar nga shami, të kaltra të burrave dhe ngjyrë rozë për gratë, që simbolizojnë dëshirën e tij për “të parë botën në këto dy ngjyra”...

Në seksionin e artit viziv emri i Parlind Prelashit, shfaqet si një nga klandestinët që u arratis nga regjimi komunist fillimisht në Athinë dhe më pas, arriti në Brindisi me gomone në vitin 1994. Firence u bë kështu qyteti i tij birësues. Si për shumë të rinj të tjerë rrugëtimi i tij drejt Perëndimit, ishte një rast emigracioni kulturor. Në prodhimtarinë e të pikturës, fotografisë dhe videos vihen re gjurmë të identifikuese të identitetit të tij, të origjinës ballkanike, si në “skenë nga një dasmë” të një familje shqiptare, si dhe ndikimet perëndimore, ku nuk mungojnë aspektet ku preken lidhjen njerëzore të ndërthurura me ngjarjet që po kalon Italia gjatë viteve të fundit. Që prej kohës kur ai ekspozoi vepra të tij në ekspozitën “Emigrantët”, midis të cilave videon “Me Titull” (6) në vitin 2007, raporti i tij me mediumet shprehëse ka bërë të mundur që i të përcjellë në mënyra të ndryshme një subjekt të vetëm, me video, fotografi apo pikturë.

Rreth temës së trajtuar nga Parlind Prelashi asokohe kritiku Massimo Guastella shkruante: “propozon një video të cilën e titullon “Me Titull” (6) ashtu si të gjitha videot e tij, duke ironizuar veprat “pa titull”, të cilat i ndan sipas një sekuence numerike. Në një darkë multikulturale midis miqve shqiptarë dhe fiorentinas që në pamje të parë nuk shfaqin asnjë dallim, duken të përfshirë në ngjyrat e fëmijërisë së hershme (të kaltër dhe rozë), si dhe të ndikuara nga tonalitetet e afreskeve toskane, që dalëngadalë hasen në vende të zakonshme, si klishetë dhe paragjykimet e secilit, derisa të krijojnë një krisje në raportet reciproke, shkruajnë mediet italiane. Një reflektim që fton të moderojmë egon tonë, si dhe bindjet përkatëse, për të favorizuar dialogun, për të njohur vështirësitë e emigrantëve të cilëve gjenden në një ambient të ndryshëm nga vend i tyre i origjinës. Duke e shfaqur në këtë mënyrë Italinë ende joeksperte dhe të papërgatitur për bashkëjetesë multietnike. Ekspozita është çelur në auditoriumin e Bibliotekës së Brindisit në “Viale Commenda”. Një projekt i Departamentit të Shkencave Juridike të Universitetit të Salentos, i cili ka pasur një sukses të madh dhe që kurohet nga profesor Massimo Guastella.

Parlind Prelashi

Parlind Prelashi, ka lindur në Gajush të Lezhës në vitin 1971. Qysh në vegjëli ka shprehur pasionin e tij për vizatimin. Në vitin 1990 diplomohet në Liceun Artistik të Shkodrës. Rruga e tij si artist zhvillohet më tej në Athinë, ku ai lë një shenjë të dallueshme lidhur me veçantinë e kreativitetit të tij, ndërsa në vitin 1994 në Firence, që do të bëhet edhe qyteti i tij birësues ai ndjek “kursin e lirë të nudos”. Debutimi i tij në rrugën e artit lidhet me pikturën, por formimi i tij do të pësoj një zhvillim shumëdimensional pasi Parlindi do të ndjekë kurse për regjinë, montazhin dhe fotografinë në Shkollën Kombëtare të Kinemasë së Pavarur (2000-2004).

Kështu paralelisht me pikturën ai do ta pasurojë kreativitetin e tij, duke realizuar vepra fotografike, video dhe filma me metrazh të shkurtër “Me Titull” 1, 2, 3 ..., si dhe postera publiciteti, që ai i transformon në instalacione të vërteta, duke i vendosur në kanavacë në mënyrë të çrregullt. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, midis të cilave “ Shqipëria & Toka e Brindisit” (2006) në Mesagne, në 2008 në Aleksandri me “Shkelje kufijsh”, në vitin 2011 në New York për “Artistët Shqiptarë”, në vitin 2015 në Bienalen Ndërkombëtare të veprave në letër në Muzeun e “Villa Veçhia” në Romë dhe në Muzeun e Historisë në Tiranë; në vitin 2016 ai hap ekspozita vetjaket në “Palazzo Medici Riçardi” të Firences si dhe në “Macro” të Romës. Në vitin 2016 ka ekspozuar vepra të tijat në Departamentin e Shkencave Juridike në Monteroi, si dhe në Bienalen e Fotografisë në Pekin.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

5 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM