Kulturë

Ka historianë me grada e tituj që nuk kanë kaluar pragun e arkivës

Temat Kryesore

  • Promovohet në Akademinë e Shkencave libri “Sadik Premte, historia e panjohur e një disidenti” i Dashnor Kaloçit. Referuesit Aleksandër Meksi, Gjet Ndoj dhe Luan Malltezi shprehin pakënaqësi ndaj kërkimeve që bëjnë historianët në Arkiv të Shtetit. Ata mendojnë se historianët botojnë vetëm dokumentet, që shohin të arsyeshme
Nga Valeria Dedaj

Në ambientet e Akademisë së Shkencave u botua libri “Sadik Premte, historia e panjohur e një disidenti” me autor Dashnor Kaloçin. Për të referuan Aleksandër Meksi (politikan), Luan Malltezi (historian) dhe Gjet Ndoj (ish-drejtor i Arkivit së Shtetit). Ata u shprehën se, edhe pse Sadik Premte është një personazh i rëndësishëm historik gjatë Luftës së Dytë Botërore, botimet që janë bërë për këtë figurë kanë qenë të deformuara. Sadik Premte është emërtuar me etiketime të ndryshme, si franksionist, tradhtar etj., duke u cilësuar një person, që vinte interesat personale mbi ato të vijës së Partisë Komuniste të Shqipërisë. Por, historianët rrëfejnë se emri i tij nuk përmendet se është një nga aktivistët e parë të lëvizjes komuniste në Shqipëri, në periudhën midis dy luftërave, duke luajtur një rol të rëndësishëm në demonstratat e viteve 1941-’42. Prandaj historianët këtë botim e vlerësojnë, duke menduar se sjell dëshmi dokumentare, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë e Sadik Premtes, por edhe mbi disa aspekte të panjohura të historisë së Partisë Komuniste Shqiptare.



Aleksandër Meksi: E majta shqiptare ka detyrë për të zbardhur ngjarjet që i ka mbuluar pluhuri i kohës

“Historia ndryshe. Me emrin e Sadik Premtes lidhet shembulli i parë i reagimit të diktaturës  ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Veprimi ishte mbyllja e gojës me akte barbare, vrasje pa gjyq dhe pa asnjë mëshirë. Anastas Lulo u vra nga ata që sot kanë emra të rrugëve dhe e majta i quan ende heronj. Me këtë ngjarje filloi një natë e gjatë vrasjesh, pushkatimesh për ata që etiketoheshin, si Armiq të Popullit, deri pas Luftës së Dytë Botërore”, shprehet Aleksandër Meksi, teksa merr fjalën për të thënë mendimin e tij rreth botimit të këtij libri.

Ai mendon se Sadik Premte është ndër të paktët që i shpëtuan këtij rregulli makabër, urdhërit të arrestit keqdashës. Në ato kohë ishte një rast i veçantë, një histori që ishte lënë në errësirë. “Kjo nuk është bërë nga historianët tanë deri më sot. Shumica e të cilëve ende vazhdojnë të jetojnë me mendësi komuniste, ndonëse kanë kaluar 25 vjet nga ajo epokë dhe ekziston mundësia e njohjes së arkivave, që deri më dje ishin të mbyllura. Por, ka mjaft prej tyre, me tituj dhe grada, të cilët nuk e kanë kaluar asnjëherë pragun e Arkivit të Shtetit Shqiptar”. Ndërsa, e majta e ka për obligim moral, shton Meksi, që institucionet e shtetit shqiptar, që merren apo tentojnë të merren me punët e historisë të zbardhin ngjarjet dhe personazhet, që i ka mbuluar pluhuri i kohës apo që janë fshirë nga defterët e historisë. Ai mendon se duhet të rrëmohet edhe në arkivat e shteteve të tjetra, ku ka mjaft dokumente arkivore, botimi i të cilave në mënyrë shkencore, jo vetëm që nderon studiuesit edhe historianët, por njëkohësisht do të ishte me mjaft dobi dhe për historiografinë zyrtare të Shqipërisë.

Por, kjo ka ndodhur në raste sporadike. “Libri i autorit Dashnor Kaloçi në këtë aspekt është i pasur me një mori dokumentesh arkivore, mbi të cilat duhet të ndërtohet një libër historik. Ky botim ka histori qendrore historinë e një personazhi, që është mjaft e mpleksur me pjesën më të madhe të personazheve kryesorë të së majtës, por edhe të historisë së dhunshme gjysmëshekullore shqiptare”. Ndodhitë për të cilat flitet në këtë libër shtrihen në një periudhë të gjatë kohore, nga vitet ’40-të deri në vitet ’90. Ato dëshmojnë veprimtarinë e Sadik Premtes dhe marrëdhëniet e tij me pjesën më të madhe të pjesës kryesore të udhëheqjes Komuniste Shqiptare dhe më vonë Partinë e Punës, duke nisur nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Liri Gega, Hysni Kapo etj. “Krahas dokumenteve arkivore janë edhe kujtimet e Sadik Premtes, Enver Hoxhës dhe Anastas Lulos, tre personazhe që kanë qenë aktorë kryesorë të asaj periudhe, që njihet si lufta kryesore në Shqipëri. Secili nga aktorët jep versionin e vet, duke nisur nga raportet që kanë pasur me njëri-tjetrin, si gjatë luftës dhe më pas. Në këtë kontekst libri ka nevojë për gjykime më të thelluara dhe pa paragjykime partiake, por duke u bazuar mbi dokumente kryesisht arkivore”.



Gjet Ndoj: Historianët shpeshherë i kanë përdorur dokumentet në mënyrë selektive, kjo është mënyra më e sofistikuar e falsifikimit të historisë

Libri “Sadik Premte dhe historia e panjohur e një disidenti” bazohet në dokumente arkivore. Gjet Ndoj, ish-drejtor në Arkivin e Shtetit mendon se lexuesi nëpërmjet këtij kupton se së pari Sadik Premtja, ishte komunist, që nga koha kur formoi grupin e tij, bashkë me Anastas Lulën e deri në vitin 1991 në Paris. Së dyti, Sadik Premtja ishte një antifashist i vendosur, ai ishte organizator kryesor në demonstratën e 7 prillit 1942. Për rolin e tij aktiv dhe antifashist policia dhe xhandarmëria e ndiqnin për ta kapur ose ekzekutuar. Së treti, Sadik Premtja dhe krerët e tjerë të grupeve, si Anastas Lulo, Zef Malo, Koço Tashko, Mihal Lako, Sejfullah Malishova, ishin komunistët e parë që u goditën dhe u mënjanuan nga Partia Komuniste Shqiptare, formuar në 8 nëntor 1941. Mënyra e goditjes, por edhe atentatet për eliminim fizik do të përbënin për Enver Hoxhën strategjinë kryesore, që ky do të përdorte deri në fund të jetës së tij. Enver Hoxha do të përcaktohej, si një diktator unik në të gjithë botën komuniste. Komunizmi leninist dhe stalinist ishin një strategji që do t’i shërbenin interesave politike, pra jugosllave. Në dokumentet arkivor, shumica që botohen për herë të parë, mësohet se fryma komuniste shqiptare u ndikua akoma më shumë nga Partia Komuniste Jugosllave për të thelluar bashkë me të edhe një ndikim të plotë jugosllavë në Shqipëri.

Së katërti, kuptojmë se krerët e Partisë Komuniste ishin idealistë, por nuk i shpëtuan dot luftës dhe represionit të Enver Hoxhës, të tillë ishin Sadik Premtja, Anastas Lulo, Zef Malo etj. Ndërsa shtresa e dytë që u godit nga fundi i diktaturës në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80 ishin personat që u përdorën nga Enver Hoxha për të eliminuar politikisht dhe fizikisht të parët. Përkujdesja e pandërprerë e Enver Hoxhës për të mbajtur partinë të pastër, bënë që nga fillimi i viteve ’80, byroja politike ishte e përbërë jo nga personat që vinin nga lufta, sesa  nga kuadro të rëndomë, karrocierë, deri te bujq. Së pesti, të sjellësh një histori të plotë edhe të vërtetë nuk është e thënë se e përligj duke botuar dokumente arkivore. “Shpeshherë historianët që merren me shkrimin e historisë i kanë përdorur dokumentet arkivore në mënyrë selektive. Kam kohë që jam bindur se është mënyra më e sofistikuar e falsifikimit të historisë, pra paramendojnë se çfarë do të shkruajnë edhe në funksion të asaj përzgjedhin dokumentet arkivore. Ky është falsifikimi më i rrezikshëm, sepse përveçse janë profesorë shumica e tyre e argumentojnë, duke thënë se e bazojnë atë që thonë në dokumente arkivore. Ky botim na bind se historia e Shqipërisë ka vend për të shtuar dhe vërtetuar më tej”.

Luan Malltezi:  Akademia e Shkencave ka detyrë të çlirojë shoqërinë

Janë të rrallë elementët që mundet të gjesh në shoqërinë shqiptare, të cilët mundet që të ishin kundër luftës. Unë mund të them se këto figura pas viteve ’90 kanë nevojë për këto studime. Arkivi i Shtetit ka qenë i hapur, por gjatë këtyre viteve ka operuar më tepër me publicistë. Është shumë i rëndësishëm angazhimi në këtë detyrë i Akademisë së Shkencave, për arsye se ne duhet të çlirojmë të gjithë shoqërinë. Pas viteve ’90 e gjithë kjo shoqëri vetëm sa na tërheq pas, por ne kemi mundësi të ecim para, prandaj duhet të studiojmë historinë tonë, e cila ka mbetur shumë e kufizuar.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

5 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM