Kulturë

Shuhet “Çelentano” shqiptar, lamtumirë Françesk Radi

Temat Kryesore

  • Shuhet Françesk Radi në moshën 67-vjeçare. Flasin Sadik Bejko, Sherif Merdani, Myfarete Laze dhe Josif Papagjoni
  • Teksa e konsiderojnë si Çelentano të Shqipërisë dhe rrëfejnë kujtimet që ruajnë me të. Homazhet sot te RTSH-ja
Nga Valeria Dedaj

Muzikës së lehtë shqiptare do t’i mungojë zëri i veçantë i kantautorit Françesk Radi (1950-2017). I shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak të hemorragjisë cerebrale para një jave, pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor artisti nuk mundi që ta mposhte dot sëmundjen. Artistët që shprehin konsideratat për Françesk Radin u përkasin të gjithë brezave, por gazeta “Shekulli” sjell rrëfimet e profesor Sadik Bejkos, kritikut Josif Papagjoni dhe këngëtarëve  Myfarete Laze dhe Sherif Merdani. Teksa ata e konsiderojnë, si një artist me shpirt të madh, natyrë të qetë edhe të tërhequr, shtojnë se do të jetë e vështirë që talenti i tij të zëvendësohet lehtas në muzikën e lehtë shqiptare. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen sot, ora 10.00-12.00 te RTSH-ja.

Sadik Bejko: Radi krijoi vetëm për kërkesat shpirtërore

Profesor Sadik Bejko rrëfen se kantautori Françesk Radi u ngjit në skenë në vitet ’70-të. Ai plotësonte kërkesat që kishte rinia për nivelin e këngës së lehtë në Shqipëri dhe në botë gjatë atyre viteve. Bejko kujton, se asokohe ishte redaktor muzike në Radio Televizionin Shqiptar, kur ai trokiti në dyert e RTSH-së për të provuar talentin e tij.

“Françesk Radi ka ardhur për të regjistruar këngën “Adresa” për rubrikën ‘Anketat’ në vitin 1971 në RTSH. Ishte një këngë, të cilën e kishte krijuar vet. Tekstin e kishte shkruar moshatari i tij Kastriot Gjini dhe e interpretoi Françesk Radi”, tregon profesori. Por, Françesk Radi do të bëhej shumë i njohur edhe me këngët e tjera që do të këndonte më vonë. Zëri i tij i veçantë ishte i pasur me tonalitete pak a shumë të muzikës moderne edhe të lehtë, por anonin nga ajo italiane tregon Bejko. “Kujtoj se asokohe kishte një problem për të hyrë në radio. Thoshin se në timbrin e tij ka diçka nga Adriano Çelentano. Kjo gjë quhej negativitet në atë kohë dhe nuk lejohej”. Në Festivalin e 11-të në RTSH Françesk Radi interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.

Kjo ishte kënga hapëse në këtë festival. Tekstin e saj e ka shkruar profesor Sadik Bejko. Veç kësaj kënge, Bejko na tregon se kishte shkruar edhe dy këngë të tjera, por festivalin e hapi kjo këngë, sepse quhej këngë me tematikë. “Ishte me tematikë për arsye, sepse kishte një temë ndërkombëtare. Atëherë, pothuajse e gjithë e majta botërore edhe Shqipëria shqetësoheshin për luftën në Vietnam. U tha se kishte tone propagandistike, pavarësisht se nuk ishte këngë e ashpër, por ishte e butë dhe e angazhuar. Shqetësimi dhe lufta që bëhej në Vietnam shqetësonte edhe të rinjtë në Shqipëri. Kjo temë ishte gati, gati në pohim me propagandën e kohës. Megjithatë, kënga u mor si shkas që Françesk Radi të shkonte për disa vite në Pukë. Sigurisht që kjo këngë ishte si pretekst për shkuarjen e tij në Pukë, sepse ai shihej pak si vëngër edhe për tematikën që sillte në këngët e tij, atë të dashurinë”.

Nga teksti i këngës, që i kushtoi 8 vjet jetesë në Fushë Arrëz, Françesk Radit.“Kur dëgjojmë zëra nga bota”. “Mora shokët shkuam në park,/ Ishte mbrëmje, ishte qetësi. /Me kitarën ulur në një stol, /Nisa një këngë për shokët e mi. /Ah, ky zëri nuk dilte i lirë, /Dhe kitara nuk binte lehtë. /Më thanë shokët: Ç'farë ke ti në këtë natë/ Në këtë mbrëmje nuk kam gjë të fshehtë. /Në Vietnam o shokë /Bombarduan prap' sonte /Shqetësimin tonë/Me kitarë ta këndojmë. Merr kitarën shokët më thanë /Heshtja parkut jo, nuk i shkon /Me kitarën ulur përsëri /Nisa një këngë për shokët e mi...

Autori i tekstit, Sadik Bejko, mendon se kjo këngë prezantonte një tematikë të lehtë, aq më tepër që Françesk Radi ishte natyrë e butë, i tërhequr edhe melankolik, që nuk krijonte probleme. “Ky njeri kaq i ndrojtur, me bukuri dhe me urtësi të shpirtit iu desh që të kalonte disa vite në Pukë, (Fushë Arrëz), por përsëri edhe në ato zona arriti të krijoi muzikë, derisa më vonë erdhi sërish në Tiranë”. Profesori e konsideron ndarjen e kantautorit nga jeta, një dhimbje personale, për një njeri për të cilin do të ruajë respekt. “Këngët e tij do t’i mungojnë publikut tonë. Këtë e them me bindje të plotë, sepse muzika shqiptare nuk e ka dhe do ta ketë shumë të vështirë të gjejë një muzikant, si Françesk Radi”. Profesori mendon se Radi sot mund të kishte më shumë këngë në repertorin e tij, por duke qenë një njeri i tërhequr, jo agresivë, i cili krijoi vetëm për kërkesat shpirtërore, jo për ato tregtare të momentit, ka kaq pak këngë.

Myfarete Laze: Radi, një njeri me kurajë dhe punëtor

Këngëtarja Myfarete Laze e ka përjetuar nga afër shtrimin e kantautorit Françesk Radi në spital. Ajo na rrëfen se këto ditë është gjendur në spital për shkak të një të afërmi në QSUT dhe ka parë edhe shërbimin që i është bërë kantautorit Radi. Për këtë falënderon stafin mjekësor të QSUT-së. “Ne jemi brezi që jemi rritur me këngën italiane. Festivali i Sanermos për ne ishte shumë, sepse deri para tre vitesh në Shqipëri nuk ka pasur universitet apo shkollë të mesme për muzikën e lehtë. Ka pasur për muzikën klasike. Ne u edukuam me muzikën klasike, por me muzikën e lehtë jemi rritur”. Radi për këngëtaren ishte kitarist, pianist dhe kantautor shumë i mirë. “Mbi të gjitha njeri me kurajë, sepse kishte guxim dhe ishte shumë punëtor. Edhe në kohën që e çuan në Fushë Arrëz ai ka bërë mrekullira atje. Ishte një muzikant i lindur. Muzikantët nuk vdesin, por jetojnë. Frankon e do i gjithë brezi që u rrit me të”. Për Lazen të gjitha këngët e tij, si “Biçikileta”, “Telefonatë zemrash” etj., janë të mrekullueshme edhe këtë nuk e thotë se është zakon, por sepse mendon se ai ishte unik. (përlotet)

Sherif Merdani: Françesk Radi, artisti i parë që më përqafoi pas burgut

Ngushëllimin e parë këngëtari Sherif Merdani ja bëri bashkëshortes së Françesk Radit, gazetares Tefta Radi, duke i thënë se merr pjesë në dhimbjen e tyre për humbjen e njeriut më të dashur dhe për humbjen e mikut të tij të madh. “Ai nuk ishte vetëm një këngëtar, kantautor, por ishte edhe miku im i madh. Është njeriu i artit, që më ka pritur i pari pas burgut, më ka përqafuar me një dashuri dhe me mall të jashtëzakonshëm”, rrëfen Merdani. Këngëtari mendon se Françesk Radi ishte një njeri që jetonte me lumturinë e të tjerëve, sepse  respektonte për mrekulli thënien e Tolstoit: “Të rrosh për të tjerët”. “Ai vërtet që rronte për të tjerët. Na ka dhënë kënaqësi. Ai ishte tamam Çelentano i Shqipërisë. Edhe përse isha aq shumë i dashuruar me atë këngëtar të madh, Radi e riprodhonte me origjinalitetin dhe natyrën shqiptare për mrekulli. Për mua ishte një kantautor i jashtëzakonshëm, sidomos kompozitor”. Teksa e vlerëson fillimisht si kompozitor dhe këngëtar, shton se, zëri i tij ishte i ëmbël dhe i mrekullueshëm, prandaj nuk do të jetë aktual gjatë gjithë kohës. “Muzika humbi një njeri të mrekullueshëm, shumë paqësor dhe të dashur. Humbi një artist të madh”.

Biografia

Françesk Radi (1950) lindi në Tiranë. Kreu Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve (sot UA) në Tiranë. Fillimisht nisi që të punojë në Estradën e Shtetit, si kitarist dhe kantautor. Në moshën 22-vjeçare, pas studimeve të larta, mori pjesë në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. Teksti i këngës “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, i Sadik Bejkos, ishte një protestë për luftën në Vietnam. Shqipëria ishte në krahun e popullit vietnamez.  “Ishte një këngë rrok. Ne ishim mësuar që temave politike t’iu këndonim me marshe, me himne. Kënga bëri përshtypje në qarqet e larta. Madje ministri i asaj kohe, deklaroi në një mbledhje: “Françesk Radi, i këndon Vietnamit, me kitarë si amerikanët”. Pas këtij interpretimi e larguan nga Tirana, për prirjet moderne që ishin parë në muzikën e tij, dhe për 8 vjet ka punuar në Shtëpinë e Kulturës Fushë-Arrëz. Në vitin 1992 nisi punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në festival u kthye me këngën “Një nënë, fëmijët, koha dhe unë” (1993) me tekst të Romina Power.  Një vit më vonë këndoi bashkë me Mariza Ikonomin “Telefonatë zemrash”. Disa nga këngët e tij janë “Rroku i burgut” (1996), “Jeta s’të lë fëmijë” (1997), “Erdha erdha” (1998), “Ky fat na ra” (1999), “Zemër trembur s’kam jetuar” (2002), “Syri i saj po më verbon” (2003) etj.

Josif Papagjoni: Kemi fjetur së toku në një dhomë në Fushë-Arrëz

Kritiku i artit Josif Papagjoni pasi ka mësuar për ndarjen nga jeta të kantautorit Françesk Radi shkruan kujtimet e tij me të, duke e konsideruar si një mik të vyer të rinisë së tij, që nga Fushë Arrzi deri në Tiranë.Sa mësova lajmin e hidhur të vdekjes së kantautorit Françesk Radi. Ishte një mik i vyer i rinisë sime, kemi fjetur së toku në një dhomë në Fushë-Arrëz asaj kohe të acartë pas plenumit të IV-të PPSH (1973-1974), fillimisht në një barrake druri vrima-vrima e pastaj në një studio në prapaskenë në Pallatin e Kulturës. Shkëmbenim dëshpërimet tona, por dhe shpresat, energjinë, humorin, artin. Madje dhe kënduam bashkë disa këngë të tij, deri në TVSH, duke marrë unë përsipër rolin e "garantuesit" të daljes në skenë, pasi ia kishin ndaluar. Dhe aty, mes borës dhe erës, në gjithë vështirësitë e menduara të asaj kohe, me gjithë frikërat dhe pasiguritë, ai merrte kitarën dhe këndonte në dhomë këngë të Adriano Çelentanos e këngëtarëve të tjerë italiane. Ende e kam në vesh zërin e tij paksa të ngjyruar, krejt origjinal, dhe atë tipin e njeriut të urtë, babaxhan, me kokën varur mbi tastierë, në një përhumbje të bukur. Dhe ky imazh, me atë miqësi e respekt gati të shenjtë të krijuar atëherë, në vitet e vështira të rinise sonë, më ndoqi gjithë jetën, duke mbetur një adhurues i muzikës së tij, por dhe i miqësisë që kam pasur. Ngushëllime familjes, Teftës dhe fëmijëve, si dhe gjithë adhuruesve të tij”.

Rozana Radi: Humba babanë për herë të hytë

Këngëtarja e njohur, Rozana Radi, ka reaguar pas humbjes së xhaxhait të saj, Françesk Radi. Rozana shkruan se ndarja e tij nga jeta ishte e njëjtë si vdekja e babait. Sipas saj, ajo sot humbi babanë për herë të dytë. “Sot kam humbur babanë për herë të dytë! Nuk duket të ndodhte kështu për ty”, ka shkruar Rozana.

Elton Deda: Je i dënuar të kujtohesh përjetësisht

Edhe kantautori i njohur Elton Deda ndarjen nga jeta të artistit Radi e konsideron një humbje të madhe për artin shqiptar. “Një artist më pak, një mik më pak. Vërtet që e humbe pranverën Franko, por ke lënë gjurmë të madhe mbrapa. Je i dënuar të kujtohesh përjetësisht. Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë artist!”

Zija Saraçi: Le një zbrazëtirë në muzikën e përvuajtëshme shqiptare

Këngëtari Zija Saraçi shprehet se me hidhërim të madh dhe i brengosur mori vesh për ndarjen nga jeta të mikut të tij të dashur Franko. “Miku i dashur Franko, mjeshtër i këngës rinore, moderne dhe melodioze. Ike kaq shpejt sa nuk munde ti thoshe të gjitha. I dhe aq shumë vendit dhe artdashësve sa që do ngelesh i skalitur në memorien kolektive. Le një zbrazëtirë në muzikën e përvuajtëshme shqiptare, por edhe në zemrat tona. Mallëngjimi nuk më lë të përfundoj këtë moment kaq të vështirë ndarje. Do jesh përherë i paharruar me gjurmët e tua muzikore dhe njerëzore. Ngushëllime Familjes, dashamirësve dhe miqve. U prehesh në paqe mik i paharruar Franko. Lamtumirë!”, shkruan ai.


tani
do mbetet i paharruar

Shto komentin tuaj

7 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM