Kulturë

15 vepra të artistëve shqiptarë do të ekspozohen në Greqi e Gjermani

gasl15 vepra arti, që janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve do të lëvizin jashtë Shqipërisë, në dy ekspozita që do të zhvillohen në Greqi dhe Gjermani.

Në vendimin e marrë nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro thuhet se veprat në pikturë e vizatim do të jenë pjesë e ekspozitës që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor, Athinë, Greqi, si dhe Muzeut të Arteve të Bukura, Neue Galerie, Kassel Gjermani.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 15 (pesëmbëdhjetë) veprave të artit në pikturë dhe vizatim, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, me qëllim realizimin e ekspozitës që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor, Athinë, Greqi, sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

  2. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 3 (tre) veprave të artit në pikturë dhe vizatim, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, me qëllim realizimin e ekspozitës që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut të Arteve të Bukura, Neue Galerie, Kassel Gjermani, sipas tabelës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

  3. Lejimi i lëvizjes të bëhet nga data 31 mars 2017 deri më 6 gusht 2017, për veprat e artit, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Artit, që kërkohen të ekspozohen në Muzeun e Artit Bashkëkohor Athinë, Greqi.

  4. Lejimi i lëvizjes të bëhet nga data 2 maj 2017 deri më 8 tetor 2017, për veprat e artit, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Artit, që kërkohen të ekspozohen në Muzeun e Arteve të Bukura, Neue Galerie, Kassel, Gjermani.

  5. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

  6. Ngarkohet Galeria Kombëtare e Arteve të kryejë shoqërimin dhe kthimin e veprave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.

  7. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.


Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /E.SH/

 

isufi
Jane vepra te cilat shkojne ne Bienalen DOKUMENTA. urime galerise kombetare!!!

Shto komentin tuaj

2 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM