Thellë

Vetting-u pret “kokat” e drejtuesve të DSIK-së dhe të Pastrimit të Parave

Temat Kryesore

  • Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve japin dorëheqjen dy drejtorët Alket Hyseni dhe Arben Seferi. “Po ikim se na sulmoi politika”
Vetting-u pret “kokat” e dy institucioneve kryesore të shtetit shqiptar. Drejtori i Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar paraqitën dorëheqjet e tyre nga postet që mbajnë, me argumentimin se po goditën pandershmërisht nga politika. Një vendim i tillë duket se ka ardhur pas akuzave dhe kontestimeve të shumta që opozita ka bërë ndaj dy drejtorëve të cilët, sipas ligjit të ri të Vetting-ut, janë pjesë e procesit të verifikimit të pasurisë së 800 prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sipas ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, DPPP do të bëje kontrollin e llogarive financiare të njerëzve që do të bëjnë Vetting-un për 9 vitet e ardhshme; anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit. Ndërkohe qe tek DSIK do të verifikojë, nëse zyrtarët kanë apo jo lidhje me figura të krimit. Alket Hyseni, i cili përveç këtij posti është edhe Kryetar i Komisionit te Garancive Statutore dhe etikës në Partinë Socialiste dhe Arben Seferi kanë qenë arsyet kryesore që motivuan goditjen në Gjykate Kushtetuese të ligjit të Vettingu-t nga ana e Partisë Demokratike.

Dorëheqjet

I pari që ka dhënë dorëheqjen nga ka qenë Alket Hyseni. Letra e tij iu dorëzua kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. “Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky proces të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej, do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga Vettingu”, thuhet në letrën e dërguar, që mban datën 16 shkurt. Më pas radha e dorëheqjes i ka ardhur kreut të DSIK-së.

“Edhe pse kam pasur nderin që gjatë tre viteve të fundit të drejtoj një institucion të një rëndësie të veçantë, vetëm pak ditë më parë, kam filluar të etiketohem si një person me anësi politike. Arsyeja është e qartë DSIK do të ketë një rol të qartë në implementimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Pikërisht ndaj, ata që i tremben kësaj reforme, kërkojnë justifikime nga më të ndryshmet për ta penguar me çdo kusht. Pavarësisht përpjekjeve të mia për të përgënjeshtruar këto akuza, jam i vetëdijshëm që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e vendit, institucioni që unë drejtoj, duhet të dëshmojë paanshmëri dhe transparencë maksimale.

Për këtë arsye, përmes kësaj letre ju paraqes dorëheqjen time si titullar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shpresën se pas zëvendësimit tim, procesi i Vetting-ut në veçanti dhe reforma në drejtësi ne përgjithësi, do të ecin me hapin e shpejtë që shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtare presin”, shkruan Seferi. Disa ditë më parë ambasadori Donald Lu pati takime intensive me disa prej ministrave. Ndërsa mësohet se edhe në takimin me një pjesë të deputetëve dhe përfaqësuesve më në zë të maxhorancës dhe opozitës disa ditë më parë. Pikërisht këto negociata kanë sjellë dhe dorëheqjen e këtyre dy zyrtarëve të lartë.

Rama përgëzon lëvizjen

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar aktin e dorëheqjes së dy drejtorëve që ka në varësi Këshilli i Ministrave. Ndërsa ka bërë të ditur se reforma në drejtësi është pandashme. “Faleminderit 2 drejtuesve që u dhanë dorëheqjen për t'u hequr çdo alibi kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi!Reforma nuk ndalet, Vetting-u nuk shmanget”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale. Burime pohojnë se largimi i dy drejtuesve në këto drejtori kyçe ka ardhur pikërisht pas negociatave që ambasadorit amerikan ka bërë, si dhe pas reagimit të fortë të opozitës ndaj Hysenit dhe Seferit, duke i cilësuar si emërime politike.

B.H


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

9 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM