Thellë

KQZ nën hetim se shkeli “Dekriminalizimin”, Biba: Jemi në presion (FOTO)


1 Nga 3 Foto




Nga Nikoleta Kovaçi

Një lojë me formularin e deklarimit nga një deputet dhe dy kryetar bashkish, ka çuar në një rast të paprecedent: Prokuroria nis hetim penal për KQZ-në 5 muaj para zgjedhjeve! Sinjali i “rrezikshëm” është bërë publik ditën e djeshme nga zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa mësohet se hetimi penal ka nisur pikërisht pasi ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të ligjit. Edhe pse kreu i këtij komisioni, ditën e djeshme bëri me dije se aktet për të cilat ka nisur hetimin Prokuroria nuk kanë mbërritur në KQZ, ai vuri theksin në faktin se gjithçka e kishte marrë vesh nga mediat.

Kreu i KQZ-së Denar Biba, tha po dje se institucioni i tij po vihet nën presion pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare! Prokuroria në këtë hetim i referohet Kodit Penal në pikën e shpërdorimit të detyrës, ku dënimi shkon deri në burgim. “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, përcakton neni 248 i Kodit Penal i referuar prej Prokurorisë së Tiranës.

Megjithatë, priten veprime të tjera ditët në vazhdim, ndërkohë që burime të hetimit saktësojnë se rasti i deputetit Artan Gaçi ka të bëjë me një shkelje të rëndë bashkë me dy rastet e dy kryebashkiakëve. Pikërisht në këto dy akte është kapur prokuroria për të vënë me “shpatulla pas muri” institucionin që ka në dorë fatin e kushtetuetshmërisë së zgjedhjeve në vendin tonë.

Rasti Gaçi dhe vijimi i procesit

Referuar të dhënave që vijnë nga organi i hetimit mësohet se Artan Gaçi ka dorëzuar formularin e parë më datë 13.04.2016. Ky formular është bosh në pjesën ku saktësohen dënimet gjyqësore. Rreth dy muaj më vonë, pra me datë 01.06.2016, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr dëshminë e penalitetit të tij, ku rezulton që ka qenë në proces gjyqësor. Ndërsa siç mësohet nga ana e burimeve të informacionit, dhjetë ditë më vonë, pas marrjes së dëshmisë së penalitetit nga KQZ, deputeti bën deklaratën e dytë të plotësuar, ku ai deklaron një proces gjyqësor në vitin 2006 ku është shpallur i pafajshëm. Më pas një dënim me 300 mijë lekë të vendosur nga gjykata e Apelit Durrës në vitin 2007 si dhe prishjen e dënimit në vitin 2009 nga Gjykata e lartë.

Plotësimi i formularit kryhet me datë 10 qershor dhe depozitohet dhe pranohet nga KQZ. Mësohet se e njëjta praktikë është ndjekur edhe në dy rastet e tjera, dy kryebashkiakë, ndërsa po dje prokuroria kërkoi që Armando Prenga duhet të lërë mandatin. Kështu është Italia që e fundos deputetin e së majtës, që tashmë, në fakt, është lënë i pa parti, por që, sa herë duhet, numërohet votë e maxhorancës. Belatë për të nuk kanë të sosur, që pas atij sherri me miqtë e tij në Patok, për Lagunën. Në fakt gjithnjë u përfol, që në kohën kur vendosi të kandidonte për deputet se ishe dënuar në Itali për grabitje banesash, por ai arriti jo vetëm të fitonte dhe të hynte në parlament, por të ishte edhe një deputet aktiv.

Procesi i dekriminalizimit e ka listuar figurën e tij përkrah atyre deputetëve dhe zyrtarëve të lartë lokal e qendror si një i skeduar për një sërë veprash penale jashtë vendit dhe për këtë Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar që madje ai të lërë edhe mandatin fare. Por, nëse për Prengën Italia ka kthyer përgjigje për një sërë veprash penale për të cilat është akuzuar dhe hetuar atje, në këtë listë, me propozimin e deputetëve të PS-së është kërkuar një verifikim edhe për Flamur Nokën. Prokuroria në reagimin e djeshëm bën me dije se Serbia ka kthyer përgjigje negative për të e për pasojë ai nuk është subjekt i këtij ligji.

Prokuroria për deputetët

“Dekriminalizimi”, t’i ndërpritet mandati deputetit Armando Prenga dhe hetim penal për shkeljet ligjore të kryera nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; Prokuroria e Përgjithshme ka konkluduar, se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”. Po ashtu, është konkluduar se një deputet tjetër, i cili ka qenë nën procedurën e verifikimit, nuk është në kushtet e ndalimit sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Ndërkohë, një hetim penal është regjistruar edhe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se, në disa raste, ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të ligjit “Për Dekriminalizimin”. Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar: 1. Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 mijë lekë gjobë 2. Si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.

Flamur Noka

Ndërkohë, Sektori i “Dekriminalizimit” ka arritur në konkluzionin se deputeti Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit, sipas këtij ligji. Në bazë të kërkesës së një grupi deputetësh, Prokuroria e Përgjithshme verifikoi informacionet lidhur me një masë të mundshme sigurimi dhënë ndaj tij në vitin 1991, nga autoritetet e ish-Republikës Federative Jugosllave. Në bazë të informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, rezulton që subjekti Flamur Noka, “nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”. Ndërsa lidhur me faktin nëse ky subjekt është dëbuar nga një shtet i huaj, në këtë rast nga ish-Jugosllavia, Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur parasysh faktin se pyetja 7, e formularit të vetëdeklarimit përjashton nga detyrimi për deklarim vendimin e dëbimit për rastet e shkeljes së rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes nga territori i një shtetit të huaj.

Citojmë pyetjen 7: “A është marrë ndonjëherë për ju masa e dëbimit nga një shtet i huaj? (Me përjashtim të rastit kur jeni dëbuar ekskluzivisht për shkeljen e rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes në një territor të një shteti të huaj). Pra, pavarësisht faktit se nuk rezulton të ketë vendim dëbimi, pasi autoritetet serbe kanë kthyer përgjigje negative në lidhje me këtë fakt, edhe nëse do të kishte një vendim të tillë për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt të ish-Jugosllavisë, subjekti nuk ka pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar këtë vendim. Për këtë arsye, Sektori i “Dekriminalizimit” ka arritur në konkluzionin se deputetit Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit.

Rimarrja e formularit

Ndërkohë, gjatë procesit të verifikimit, janë konstatuar disa problematika të theksuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në administrimin e dokumentacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme. Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithë subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë, prej Prokurorisë, rezulton se për këta tri subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016-s.

Po ashtu, pas ushtrimit të nismës nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për deputetin Armando Prenga, informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vërtetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor.

Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “Jo” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë. Mirëpo, ditën e djeshme ka qenë i menjëhershëm reagimi i vetë kreut të KQZsë i cili tha se dy aktet nuk kanë ardhur në KQZ. Sipas tij, ky është një presion që po i bëhet këtij institucioni 5 muaj para zgjedhjeve. Denar Biba: Të dyja këto akte të Prokurorisë unë i kam marrë vesh prej jush këtu. Nuk e kam idenë. Këto akte nuk kanë ardhur në KQZ, asnjë prej të dyjave. Nuk mund të bëj asnjë koment, përveç faktit që më vjen keq që 4-5 muaj para zgjedhjeve, institucioni që do të menaxhojë zgjedhjet vihet përpara këtij presioni.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

8 + 4 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM