Thellë

Tension dhe sherr në Kuvend, Noka përjashtohet për 10 ditë pas sherrit me Braçen (FOTO)


1 Nga 3 Foto




Nga Elmaz Gorica

Zvarritjet e reformës në drejtësi, pakënaqësitë ndaj qeverisjes së vendit dhe protesta e paralajmëruar e opozitës më 18 shkurt kanë rritur tensionin politik në vend e kjo u vu re në seancën e ditës së enjte në Parlament. Që në nisje të seancës, ish¬-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi mocion mosbesimi për kryeministrin Edi Rama, për shkak të mungesave të tij në seancat e fundit, duke deklaruar se qeveria ka rënë.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për largimin e kreut të qeverisë nga Parlamenti, përpara se “ta marrë sheshi më 18shkurt”, siç u shpreh ai duke iu referuar protestës së datës 18. Kulmi i përplasjes u shënua kur deputeti demokrat Flamur Noka qëlloi me librin e Rregullores së Kuvendit ligjvënësin socialist, Erjon Brace, pasi ky i fundit ndërpreu disa herë dhe fyeu gjatë fjalimit të tij ish- kryeministrin Sali Berisha. Teksa akuzonte qeverinë dhe maxhorancën për keqqeverisjen e vendit, Berisha u ndërpre disa herë nga deputeti Erjon Braçe e kaq mjaftoi që Noka t’i shkonte afër Braçes dhe ta godiste me rregulloren.

U desh ndërhyrja e deputetëve që ndodheshin aty për të parandaluar përshkallëzimin e situatës ndërsa drejtuesja e seancës kërkoi që Noka të largohej nga salla. Situata e tensionuar solli ndërprerjen e seancës më shumë se tre herë pasi Noka nuk pranonte të largohej, ndërsa deputetët e dy kampeve politike hartuan dokumentin me të cilin do i drejtoheshin Byrosë së Kuvendit për përjashtim. Socialistët kërkonin përjashtimin e Nokës ndërsa demokratët përjashtimin e Braçes e Ballës me pretendimin se ato përdornin fjalor ofendues.

Tensioni i akumuluar brenda seancës u zhvendos dhe jashtë parlamentit ku deputetë të dy kampeve përmes prononcimeve publike për mediat fajësuan njëra-tjetrën se kanë qëllim prishjen e seancës. Në një moment kur ishte ora gati 15:00, garda u përpoq të ndalonte Nokën të mos hynte në Kuvend por ai hyri me forcë dhe kjo detyroi sërish ndërprerjen e seancës nga Leskaj, e cila më pas bëri thirrje për mbledhjen e Byros së Kuvendit rreth orës 16:00. Byroja vendosi përjashtimin me 10 ditë të deputetit demokrat Noka.

Për mediat Noka deklaroi se Braçes i kishte hedhur në fytyrë rregulloren me qëllim për të ndaluar fyerjet e “koneve të krimit” siç e cilësoi ai deputetin socialist. Ndërkohë, kërkesa e Partisë Demokratike për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Brace nuk u pranua nga Byroja. “Ky është standardi i kësaj qeverie kriminale, ky është standardi që zbaton kjo bandë në vendin që quhet bandidistan, që unë që u çova dhe reagova për të ndaluar fyerjet dhe fjalorin e rrugës që përdorin konet e krimit në Parlament, unë që nuk shava e fyeva asnjeri dhe që nuk preka me dorë asnjeri unë jam armike dhe duhet të përjashtohem.

Sigurisht që kjo qeveri dhe ky parlament nuk meritojnë më të mbijetojnë e të qëndrojnë në këmbë sepse këtu vetëm parlamentarizëm nuk ka...”, u shpreh Noka. Nga ana tjetër ligjvënësi i PS-së Braçe tha për mediat se Nokën do ta padisë në Prokurori për goditje në krye të detyrës, ndërsa Partinë Demokratike e cilësoi parti të dhunës. “Kallëzim penal ndaj Flamur Nokës, për ushtrim dhune për shkak të detyrës. Është një strategji e qartë dhune nga një parti që e ka instaluar dhunën prej 27 vitesh në këtë vend. Dhunë në 21 janar, në Gërdec, në rrugë. Kanë rrahur një militant, themelues të PD në Durrës, thjesht pse i tha Bashës se deputeti jot më ka marrë pronën. Dhunuan dhe një tjetër në Kavajë thjesht e vetëm se pse tha që Elvis Rroshi ka bërë punë. Ky s'duhet të jetë në sallë”, tha Brace pas incidentit me Nokën.

Blushi në zgjedhje me LSI?

Nga studio e emisionit “Opinion”, deputeti dhe njëherësh kreu i LIBRA-s Ben Blushi, nuk ka mohuar mundësinë e një aleance me LSI-në për të krijuar një pol të tretë në politikën shqiptare. Ai shtoi se nëse do të ishte në dorën e tij, ai do të zgjidhte që LIBRA të shkonte e vetme në zgjedhje. “Nëse do të më pyesni mua, unë dua që LIBRA të shkojë në zgjedhje vetë. Por ky nuk është një vendim që më përket mua, port ë gjithë anëtarëve. Për këtë arsye ky është një vendim që do ta marrim të gjithë bashkë”, tha Blushi.

Në emision ka reaguar dhe kreu i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima. “Blushi më ka keqkuptuar. Kam qenë shumë kritik, ndofta njeriu më kritik në PS mbi gjendjen e PS në të gjitha kuptimet. Lidhur me debatin që bënte Blushi, qëndrimi im ka qenë ky: PS duhet të ketë rregulla dhe nuk duhet të ketë situata si këto që konteston Blushi. Unë projektova reforma radikale për të kthyer PS në një parti moderne. Ne nuk kishim komunikim me Blushin, prandaj ai nuk i njihte pikëpamjet e mia. Blushi ndofta kishte paragjykime për mua dhe kjo e ka penguar të kuptonte qëndrimet dhe pikëpamjet e mia.”- shkruan Kokëdhima.

Paloka quan Ramën derr, Topalli kërkon mocion mosbesimi

Që në nisje seanca nisi me tensioni të shkaktuara nga mungesa e kryeministrit Rama, i cili ndodhet në Kosovë. Duke evidentuar mungesën e Ramës në seancat e fundit, ligjvënësi demokrat Edi Paloka i kërkoi drejtueses së seancës Valentina Leskaj që të thërrasë Ramën të vij në seancë. “Thirreni derrin këtu dhe të vijë të flasë. Ku e keni derrin? E keni te Armando Prenga dhe ka shkuar për ta ngushëlluar atje. Thirreni derrin të vijë dhe të përballet këtu se duke shpërndarë lopë nuk i pengon dot njerëzit të vijnë të shtunën në protestë”, tha Paloka. Deputetja Jozefina Topalli kërkoi mocion mosbesimi për të tretën herë për Ramën.

Ajo u shpreh se ministrat aleatë në qeverisje e kanë braktisur podiumin e Kuvendit, ndërsa Rama ka 1 muaj që nuk e sheh Kuvendin me sy. “Ka tre javë që në karriget e ministrave nuk ka asnjë ministër të partisë që bën koalicionin. Ka një muaj që kryeministri nuk vjen në Kuvend. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite. Ju nuk keni përgjegjësi në këtë raport, por maxhoranca ka përgjegjësi. Në këtë pikë që jemi nuk ka rrugë tjetër përveçse një mocion mosbesimi nga kryeministri. Tre javë pa partinë e koalicionit, një muaj pa paraqitjen e kryeministrit. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vite që një kryeministër të mos vijë një muaj rresht në Kuvend?”, u shpreh Topalli.

PS-ja voton pa LSI-në ligjin për arsimin profesional

Kuvendi miratoi të enjten me 72 votat ‘pro’ te maxhorancës dhe dy vota kundër pr/ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”. Ashtu siç ishte parashikuar kjo nismë ka ndarë sërish LSI-në me PS-në. Në fjalën e saj në emër të grupit të LSI-së, deputetja Kejdi Mehmetaj shprehu rezerva për draftin, duke paralajmëruar votën kundër. Projekti, tha ajo, nuk sjell një ndryshim thelbësor në këtë drejtim. “Votimi ose jo i këtij ligji nuk përbën ndonjë ndryshim thelbësor. I bëj thirrje kolegëve ta trajtojnë me seriozitet arsimin në përgjithësi dhe atë profesional në veçanti, të rrisim investimet, pasi sot që flasim Shqipëria mund të jetë vendi i fundit në rajon sa i takon shpenzimeve për arsimin”, u shpreh Mehmetaj. Ajo apeloi për të rritur vëmendjen ndaj arsimit në përgjithësi dhe atij profesional në veçanti.

Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi tha se nisma ligjore nuk lidhet vetëm me edukimin, por ajo lidh në mënyrë të pandalshme tregun e punës me edukimin në përgjithësi. “Arsimi dhe formimi profesional do duhet të trajtohet jo si edukim, por si mekanizëm që mund të ndryshojë jetën e shtresës së mesme shqiptare. Na duhen profesionistë që përmes profesionit të paguhen më shumë dhe të jetojnë më mirë”, tha ministri Klosi. Deputetët e maxhorancës miratuan dje edhe çështjet e tjera në rendin e ditës. Me 74 vota u miratuan te tre pikat e tjera në rendin e ditës: ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”; ndryshimi në Dekretin “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit, si dhe ndryshimet në ligjin “Për pronësinë industriale”.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

7 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM