Thellë

Kapen 45 kg tritol në Tiranë, poseduesi vinte nga Tepelena

Temat Kryesore

  • Arrestimi i shtetasit Ylli Done është bërë pranë mbikalimit që ndodhet në hyrje në Tiranës. Efektivë të veshur civilë, po e mbanin atë në mbikëqyrje gjatë gjithë kohës. Ai sapo kishte zbritur nga autobusi dhe po priste në trotuar
Nga Xhentila Gjoshi

Rreth 45 kilogramë tritol sekuestrohen pas një operacioni të policisë në hyrje të Tiranës. Operacioni policor i koduar me emrin “Fuqia” ka vënë në pranga transportuesin Ylli Done, i cili po priste te mbikalimi pranë një qendre tregtare. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se arrestimi i Dones, në moshën 38-vjeçare,  erdhi pas një kohe të gjatë përgjimi policor. Mësohet se 38-vjeçari është banues në Tepelenë dhe rezulton i dënuar më parë. Burime të policisë thanë se shtetasit të mësipërm i është kapur një sasi prej 45 kilogramë tritol (309 kallëpe), 5 copë eksploziv plastik, 500 kapsolla detonatorë alumini, 10 granata mbrojtëse, 720 fishekë model 56. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 10 ndezës unifikues granatash, 1 qese transparente brenda të cilës u gjet pluhur kafe me lëndë plasëse artizanale, një kovë plastike dhe dy çanta, dy qese të zeza dhe polipoleni të bardhë dhe një telefon “Nokia”. Materialet në ngarkim të 38-vjeçarit nga Tepelena iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Arrestimi

Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se arrestimi i shtetasit Ylli Done është bërë pranë zonës së doganës në Tiranë. Disa efektivë të veshur civilë po e mbanin atë në mbikëqyrje gjatë-gjithë kohës. Ndërsa mësohet se 38-vjeçari kishte ardhur në Tiranë mëngjesin e djeshëm, pak minuta para se të arrestohej. Municionet luftarake dhe tritoli, ai e kishte futur në disa çanta sportive. Sipas policisë, ai sapo kishte zbritur nga autobusi dhe po priste në trotuar të vinte ta merrte dikush tjetër me makinë.

Done nuk mund të largohej me çantat në duar, pasi ato kishin një peshë të rëndë. Ndërkohë, në një moment, ai ka kuptuar që i ishin vënë në ndjekje efektivë policie dhe tentoi të largohej. Por arratisja e tij nuk është lejuar nga policia, të cilët e kanë prangosur duke e shtrirë në mes të rrugës ku edhe nuk mungonte trafiku. Sipas burimeve, gjatë momentit të shoqërimit 38-vjeçari ka bërë rezistencë duke thënë vazhdimisht se municionet do t’i dorëzonte në polici. Sipas tij, nuk kishte asnjë arsye tjetër, veçse dorëzimit të tyre në polici. Por pse pikërisht 38-vjeçari kishte zgjedhur t’i dorëzonte në Tiranë? Kjo pyetje është ngritur nga oficerët e policisë, të cilët mendojnë se ai ishte nisur për t’i trafikuar kallëpet e tritolit. “Mendojmë se Ylli Done ishte nisur për t’i trafikuar ato lëndë shpërthyese dhe municione luftarake.

Gjatë-gjithë kohës ai e ka refuzuar këtë gjë, por ka dhënë dëshmi kontradiktore”, thonë burimet. Më tej, mësohet se ai është zbuluar nga një patrullë e rastësishme në atë zonë. Sipas policisë, veprimet e tij kanë ngjallur dyshime, pasi bënte shikime të dyshimta teksa qëndronte pranë çantave që i kishte mbushur me lëndë plasëse dhe municione luftarake. “Ai është pikasur nga një patrullë në atë zonë. Kishte disa minuta që qëndronte në të njëjtin vend dhe veprimet e tij ngjallën dyshime. U vumë në ndjekje të tij dhe mësuam se çfarë mbante në çanta. Ai priste të shkonin e ta merrnin me makinë pasi vet nuk mund të lëvizte për shkak të peshës së rëndë. Ne dyshojmë për një trafik të atyre municioneve dhe lëndëve plasëse”, thanë më tej burimet nga policia.

Arrestimi

Sasia e madhe e tritolit u kap në një kohë kur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po bën thirrje në çdo qytet të vendit për dorëzimin e armëve dhe municioneve luftarake nga vetë poseduesit e tyre. Por si duke, jo të gjithë shtetasit shqiptarë po e dëgjojnë fjalën e tij. Dje paradite, u kap një sasi e konsiderueshme tritoli, rreth 45 kilogramë. Poseduesi i tij përdori arsyetimin në polici se, ishte nisur për t’i dorëzuar kallëpet me trotil dhe municionet luftarake. Por versioni i tij nuk është marrë për bazë nga policia. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

7 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM