Thellë

Zbulohen përgjimet për 3.2 milionë eurot, “E nisëm vajzën” (FOTO)


1 Nga 6 Foto




Nga Nikoleta Kovaçi

Fation Xhyliu, vazhdon të jetë personi kyç që ka marrë përsipër të dëshmojë mbi mënyrën se si janë organizuar dy grabitjet spektakolare në aksin Tiranë-Rinas. Të paktën ky është versioni i parë që vjen jo vetëm nga prokuroria po edhe nga policia duke e bërë lushnjarin personin e vënë në shënjestër që në dhjetorin e dy viteve më parë, por që mungesa e provave konkrete ka bërë që të vijohet shtyrja e vënies së tyre në pranga. Referuar të dhënave zyrtare mësohet se në fakt Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika janë dy personat që kanë qenë të njohur dhe miq me njëri-tjetrin që para grabitjes së 3 dhjetorit të 2015-s, fakt i dalë edhe nga përgjimet e asaj kohe bën me dije prokuroria.

Kanë qenë një sërë telefonatash të përgjuara të Xhyliut në atë kohë, që kanë dhënë sinjale të qarta në lidhje me përfshirjen në dhënien e informacionit, ndonëse Xhyliu, ditën e grabitjes nuk ishte në punë, por ishte në shtëpi, fakt ky i vërtetuar. Policia bën me dije në rrugë konfidenciale se djemtë, përfshi tre prej katër të ndaluarve kanë qenë të dyshuar që atëherë, por ka qenë pamundësia për të shkuar te provat konkrete që i ka lënë të lirë. Interesant është fakti se në të gjithë materialin hetimor paraprak, prokuroria flet vetëm për dy raste të grabitjeve në atë rrugë dhe lihet jashtë këtij hetimi rasti i sulmit fatal që ndodhi brenda në aeroportin e Rinasit, ku u krye goditja më e rrezikshme për sa i përket sigurisë kombëtare. Autoritetet bëjnë me dije se ekzistojnë një sërë provash për të lënë në qeli të gjithë të dyshuarit.

Rrëfimi i Fationit

“Punoja pranë Rogat dhe kisha lidhje shoqërore me Ditjon Memlikën. Ai më prezantoi në atë kohë me një shokun e tij që kishte qenë në forcat e armatosura dhe që quhej Neim Avdulaj. Jemi takuar disa herë dhe më pas mua dhe Memlikës na lindi ideja të godisnim eskortën që do transportonte paratë. I kërkuam ndihmë Neim Avdulajt, i cili si fillim pranoi të bashkëpunonte. Kjo gjë ka ndodhur nga fundi i majit 2015 dhe në qershor 2016. Avdulaj na njohu me dy persona të tjerë. Mbaj mend që ata ishin nga Laçi. Neimi nuk na i prezantoi me emra, por na tha se ishin shokë të mirë të tij.

Por njëri prej tyre tha se nuk bëhej pasi ishte në ndjekje nga policia për një grabitje tjetër. Avdulaj kishte dalë garant se do të gjente të tjerë të aftë për këtë punë, ndërkohë që unë hyra vetëm për dhënie informacioni për të cilën mora 100 mijë euro”. Sipas të dhënave kjo është dëshmia që lushnjari ka dhënë para prokurorit, ndërkohë që vetë prokuroria në një material të shpërndarë dje për mediat bën me dije se Xhyliu u kallëzua nga informatorë se ai bënte jetë luksi. Mirëpo në lidhje me këtë fakt, prindërit e Fationit i thanë “Shekullit” se djali i tyre kishte punuar në mënyrë sezonale në Greqi që në kohën që kishte lënë punën te “Rogat” që daton fund dhjetorin e 2015-s.

Avdulaj

Prokuroria dhe policia bëjnë të ditur se ka dëshmuar edhe ka dëshmuar edhe Neim Avdulaj, djali nga Vlora që pretendohet se ka qenë një prej personave që ka marrë pjesë në grabitjen e 9 shkurtit. Ndonëse avokati i tij, Lazër Sokoli, bëri me dije mbrëmë për “Shekullin” se për klientin e tij nuk ekzistojnë prova të qarta dhe se arrestimi i tij është i paligjshëm. Por policia dhe prokuroria kanë tjetër version për të të dëshmuar nga vetë Avdulaj: “U njoha me Admir Çerpjen nga një kushëriri i tij që ishte me mua në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Pasi u bë plani, për tetë muaj kam pirë kafe pranë një qendre tregtare pranë Piramidës, nga ku kam survejuar lëvizjet e blindave të bankës. Biseda ishte kjo; do të informoja Çerpjan për çdo lëvizje deri ditën që u krye goditja”, ka dëshmuar ai. Mirëpo në lidhje me arrestimet e shumta të kryera për llogari të këtyre dy grabitjeve, ditën e djeshme mësohet se është lënë i lirë vëllai i Admir Muratajt, Cani.

Ai u akuzua si personi që kishte mbajtur një sasi të madhe eurosh nga ato që ishin grabitur në të dy rastet, por me sa duket prokuroria dhe gjykata kanë qenë të pabindura për këtë fakt, pasi burri nga Tropoja ka vërtetuar se të gjitha ato të holla që kishte marrë policia ishin të ardhura nga aktiviteti i vet me servisin privat. Referuar të dhënave mësohet se Murataj është lënë i lirë dhe se iu kanë kthyer shumat e bllokuara nga policia, ndërsa vëllai i tij, Admiri, që në përgjime sipas prokurorisë del me emrin Adi, vijon të jetë në kërkim në të gjithë vendin, edhe pse ai ka qëndruar në Shqipëri për një periudhe të gjatë kohe i paprekur nga policia edhe pse ishte një ndër personat më të kërkuar të Greqisë. Murataj, i cili është baba i tre fëmijëve, mësohet se në vendin tona ka qenë gjithnjë i paprecedent, ndërsa policia vijon të jetë në Tropojë në kërkim të tij për këtë grabitje.

Xhyliun e spiunuan

Në bazë të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se: Pas disa muajsh hetimesh, në vjeshtën e vitit 2016, një informacion i përftuar në rrugë operative tregonte se shtetasi Fation Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë që kishte marrë përsipër transportin e parave që u vodhën në dhjetor 2015, kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, për të cilat nuk kishte mundësi reale për t’i krijuar nga burime të ligjshme. Këto para ishin shpenzuar kryesisht për blerje makine, rregullim shtëpie, blerje dyqani, etj. Prokuroria e Tiranës, kreu verifikimet e nevojshme për të vërtetuar të dhënat e ofruara në informacion operativ.

Në shkurt 2016, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime të arsyeshme se, shpenzimet e të dyshuarit Fation Xhyliu ishin përtej mundësive të tij reale. Gjithashtu, ndërkohë ishin siguruar edhe të dhëna të tjera, të cilat mendohej se e lidhnin atë me vjedhjen e dhjetorit 2015. Për këtë arsye, më datë 12.02.2017, prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e tij, si person nën hetim për veprat penale të “Vjedhjes me armë” për ngjarjen e vitit 2015. Pas ndalimit të tij, në bazë të hetimeve të kryera, janë identifikuar edhe disa persona të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në vjedhjen me armë të vitit 2015.

Nga verifikimet e deritanishme, janë përftuar të dhëna, të cilat përfshijnë edhe shtetasit Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa. Sipas deklarimeve dhe të dhënave deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se: Shtetasi Fation Xhyliu, ishpunonjës i kompanisë “Rogat”, ka qenë në punë pranë kësaj kompanie, në kohën e vjedhjes me armë në dhjetor 2015. Por ai nuk ka qenë në shoqërimin e vlerave monetare. Ky person, nëpërmjet kolegut të tij në atë kohë, Ditjon Memlika, është njohur me shtetasin Neim Avdulaj. Gjithnjë sipas deklarimeve paraprake, ky i fundit u ka kërkuar që të bashkëpunonin në vjedhjen e vlerave monetare që transportoheshin nga kompania “Rogat”.

Xhyliu dhe Memlika kanë pranuar ofertën e tij, për të cilën do të paguheshin. Këta dy persona kishin si detyrë që të njoftonin mbi lëvizjen e automjeteve që transportonin paratë. Në bazë të këtij informacioni, disa persona të tjerë, me ndërmjetësinë e Neim Avdulaj, do të realizonin goditjen. Për të realizuar komunikimin, Xhyliu dhe Memlika ishin pajisur me telefona nga Avdulaj. Në datë 03.12.2015, dy punonjësit e “Rogat” në atë kohë, Xhyliu dhe Memlika, kanë njoftuar me sms Avdulajn për lëvizjen e mjete me vlera monetare. Avdulaj, nga ana e tij, dyshohet se ka njoftuar shtetasin A. Ç. Pas këtyre komunikimeve me sms, disa persona të tjerë, kanë realizuar vjedhjen me armë të parave që gjendeshin në mjetet e kompanisë “Rogat”, në zonën e Kasharit.

 

Nga Xhentila Gjoshi



Lihen në burg grabitësit, Kupa mohon akuzat për pjesëmarrje në grabitje

Neim Avdulaj nuk ka dhënë asnjë deklaratë në gjykatë, pasi nuk u lejua nga avokati i tij mbrojtës

Ish-efektivi i forcave komando Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa, kanë dalë dje në Gjykatën e Tiranës për t’u mësuar me masën e sigurisë. Ata akuzohen për grabitjen e parave të bankave të nivelit të dytë, teksa transportoheshin në Aeroportin e Rinasit. Ndaj tyre u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”. Në ambientet e gjykatës nuk kishte asnjë familjar përveç avokatëve mbrojtës, të zgjedhur nga familja. Për herë të parë, ata u lejuan të takojnë klientët e tyre brenda sallës së gjyqit. I pari që doli para gjykatës ishte ish-efektivi i forcave komando Neim Avdulaj, i cili dyshohet se është një nga personat aktivë në të dy grabitjet. Para gjykatës Avdulaj nuk mundi të fliste, pasi nuk u lejua nga avokati i tij mbrojtës Lazër Sollaku. 28-vjeçari në momentin që është pyetur nga gjykata se nëse donte të jepte shpjegime mbi akuzat e ngritura ndaj tij, është ngritur në këmbë dhe është bërë gati të flasë. Por në këtë moment ndërhyri avokati i tij, i cili i tha gjykatës se klienti i tij nuk kishte asgjë për të thënë, pasi ende nuk ishte njohur me akuzat e organit të akuzës.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e çështjes, Avdulaj ka pranuar dhe ka treguar paratë e fshehura në tenxheret me presion. Avokati, kërkoi nga gjykata të cilësojë të paligjshëm arrestimin dhe caktimin e një mase më të butë sigurie për shkak se është mbajtur tej afateve ligjore. Kërkesa që u kundërshtuan nga prokurorët, të cilët dyshojnë se Avdulaj ishte edhe personi që ka qëlluar me armën “kallashnikov” ditën e grabitjes së fundit, më 9 shkurt 2017. Ndërkohë, organi i akuzës u shpreh dje se ndaj 28-vjeçarit rëndon një provë e fortë, një mesazh që i është zbuluar gjatë përgjimeve. “U nisën vajzat”, është ky mesazh që do të përdoret si provë ndaj të akuzuarit. Ernest Kupa Sakaq, gjyqtarja Fida Osmani vazhdoi seancën me të dyshuarin tjetër, Ernest Kupa, i cili mohoi akuzën e ngritur nga akuza.

Ai ka hyrë në kafazin e gjykatës i mërzitur dhe gjatë leximit të akuzave nga prokurori, ai ka kundërshtuar në çdo rast. Kupa tha dje se nuk është autor apo pjesëmarrës në grabitjet e kryera, duke pretenduar se ka disa biznese fitimprurëse dhe nuk ka nevojë të kryejë grabitje. Para gjyqtares, Kupa tha se disa nga të dyshuarit i njihte se frekuentonin lokalin e tij, por nuk kishte gisht në grabitje. Edhe avokati mbajti të njëjtin qëndrim, duke kërkuar lirimin e klientit të tij në mungesë të provave. Ky pretendim u kundërshtua nga prokurorët, të cilët i kujtuan gjykatës se në lokalin e të dyshuarit, grabitësit mblidheshin para grabitjes për të finalizuar planin si dhe pas grabitjes janë strehuar aty. Gjykata vendosi që të dyshuarit të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimit. Seancën e djeshme avokatët nuk pranuan të komentojnë vendimin e gjykatës, që sipas tyre, do ta ankimojnë pranë Gjykatës së Apelit. Të dy të dyshuarit, Kupa dhe Avdulaj akuzohen se në bashkëpunim me të shpallurit në kërkim, Admir Murataj e Jetmir Çerpja dhe Ditjon Memlika e Fatjon Xhyliu kanë grabitur në dy raste mjetet e blinduara që transportonin paratë nga banka drejt Rinasit.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

9 + 4 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM