Opinion

“Zgjidhja”, një lëvizje jetike për të ardhmen e PS-së

  • Ted Nasto
  • 17 Shkurt 2017, 08:50
  • Përditësuar 09:44
ted nastoNga Ted Nasto

“Zgjidhja” është një lëvizje jetike për të ardhmen e Partisë Socialiste. Kjo lëvizje sfidon të gjithë mentalitetin e 25 viteve të fundit brenda Partisë Socialiste, një mentalitet i dominuar nga individualizmi e totalitarizmi i liderit dhe një grupi të vogël njerëzish rreth tij, që përcaktojnë fatet e vendit . Është po ky mentalitet që sundon njësoj aktualisht në të gjitha partitë politike të Shqipërisë . Është ky mentalitet shkaku i gjendjes mjerane dhe aspak të merituar të kësaj Shqipërie që kemi sot. Për shumë vite me radhë jemi përfaqësuar në parlament nga njerëz të paaftë, kriminelë apo shokë e miq të kryetarit vetëm, sepse ky fat është lënë në gjykimin personal të tij. Por ka ardhur koha që kjo të ndryshojë, sepse historia e tregoi se ata nuk bëjnë më të mirën dhe duhet t’ia kthejnë këtë pushtet bazës socialiste. Dhe të gjithë ne do të bëjmë më të mirën nëpërmjet zgjedhjeve paraprake në parti duke e përcaktuar vetë listën e përfaqësuesve që do të shkojnë në zgjedhjet elektorale dhe më pas në kuvend .

E drejta e zhvillimit të primareve është i vetmi mekanizëm që Partia Socialiste të përqafojë vlerat demokratike dhe të reformohet në një mënyrë dinjitoze. Lëvizja “Zgjidhja” do të bëjë që Partia Socialiste të përqafojë vlerat e demokracisë në të gjitha praktikat e saj, në sistemin e organizimit dhe të drejtat themelore të çdo anëtari. Partia Socialiste, në mënyrë të menjëhershme duhet që të përdorë mekanizmat e propozuara nga “Zgjidhja” në mënyrë që pushtetin e vërtetë mbi praktikat dhe strategjitë e zhvillimit ta ketë anëtarësia.

Drejtimi i Partisë Socialiste duhet që të pranojë tashmë se ndjenja e anëtarësisë për të marrë mbrapsht kontrollin e partisë dhe të drejtat e tyre po rritet dita-ditës në të gjithë vendin. “Zgjidhja” po bën sinergjinë e gjithë këtyre zërave të cilët e kanë kuptuar tashmë se me këtë sistem aktual shanset që Partia Socialiste të ndryshojë Shqipërinë sa vijnë dhe pakësohen. Dështimi i të majtës ka qenë gjithmonë një fitore për të Djathtën .

Njerëzit nuk janë të verbër, apo apatikë kur shikojnë pabarazitë e theksuara përreth tyre. Ne i përjetojmë këto pabarazi çdo ditë dhe shpesh kemi dhe ide sesi mund të përmirësojmë jetën në komunitetet tona. Drejtimi politik dhe institucionet e partisë nuk i ofrojnë asnjë mundësi njerëzve që të jenë pjesë e vendimmarrjes në asnjë rast. Kongresi dhe Asambleja Kombëtare e PS-së janë kthyer në farsa ku thjeshtë reklamohen të ashtuquajtura arritje të qeverisë dhe nuk diskutohet kurrë për problematika brenda partisë apo të përfshihen pjesëmarrës në diskutime apo ndarje idesh dhe në disa raste kthehen dhe në organe inkuizitore për ata që thonë se “partia rrotullohet”, nuk është e palëvizshme. Anëtarësia duhet të përfshihet në politik bërje në mënyre që njerëzit të kenë mundësinë e tyre për të bërë ndryshimin dhe jo thjeshtë të shkundin votën një herë në katër vjet. Organizatat bazë duhet të jenë qeliza të gjalla që përcjellin energji dhe trajtojnë probleme reale të komuniteteve dhe përcjellin ide dhe nevoja për përmirësimin e jetesës.  Aktualisht organizatat dhe aparati partiak bëjnë vetëm “like” dhe “share” për kryetarin, sepse këto janë udhëzimet dhe po i bëri njëri like Koço Kokëdhimës apo “Zgjidhjes” mjerë ai sepse e thërrasin në seli dhe i bëjnë gjyqin me kërcënime se do ta heqin nga puna . Kryetari i PS-së së Vlorës i shkreti është kthyer në monitorues të “like” dhe “share” dhe është shndërruar në kryegjykatës për rastet e agjitacion-propagandës. Ky model duhet të ndalet dhe “Zgjidhja” jemi të gjithë ne.

Më pyeti dikush një ditë: Ore “Zgjidhja” çfarë kërkon dhe si do t’i arrijë objektivat? Se nuk është që të jetë alternativë pushteti dhe nga ana tjetër kryetari i PS-së kërkesat e saj nuk i merr parasysh...

I thashë: “Zgjidhja” nuk po kërkon pushtet për interes të ndonjë personi të caktuar sepse zgjidhja je ti, jam unë, jemi në të gjithë dhe po kërkon që pushteti t’i kthehet bazës, duke zhbërë rrënjët e kastave të këtyre 25 viteve. Jemi ne që do të vendosim se na bën apo jo një deputet apo një kryetar bashkie dhe të jesh i sigurtë se në të gjithë bashkë nuk do t’i japim shans të dytë askujt që do gaboj ashtu siç bëjnë aktualisht kryetarët e partive që riciklojnë figura të shplara dhe pa energji përveçse për të vjedhur (se për të vjedhur kanë energji mjaftueshëm). Dhe po nuk i mori kryetari parasysh këto kërkesa numri ynë që e mendojmë njësoj sa vijnë e po shtohet dhe në fund do të dalë që partia nuk është e kryetarit që të vendosë ai, është e të gjithë neve që e mendojmë njësoj dhe kështu do të imponojmë kërkesat tona ndaj një njeriu të vetmuar.

*Anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Fjala në bashkëbisedimin e z.Koço Kokëdhima me socialistët e Elbasanit

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM